Gjyqësori përpiqet të menaxhojë dëmet e mbi 300 rekurseve të lëna në harresë

Pas ekspozimit të skandalit «të groposjes» së mbi 300 rekurseve në arkivën e Gjykatës së Tiranës, inspektoriati i KLD-së nis verifikimet, ndërsa kryetari i Gjykatës së Lartë pohon se çdo çështje do të shqyrtohet rast pas rasti-duke e quajtur problemin «cënim të procesit të rregullt ligjor».

Dosje në zyrat e arkivit penal të Gjykatës së Tiranës | Foto: BIRN



Pas zbulimit të mbi 300 rekurseve «të harruara» përgjatë viteve 2006-2015 në arkivën e Gjykatës së Tiranës, institucionet e drejtësisë në Shqipëri po përpiqen të menaxhojnë dëmet.

Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është vënë në lëvizje të mërkurën për të verifikuar situatën e paprecedentë në Gjykatën e Tiranës, përmes së cilës u është mohuar aksesi në drejtësi dhjetra individëve, institucioneve shtetërore apo kompanive private të përfshira në konflikte civile.

Një burim zyrtar i KLD-së i tha BIRN-it se ka nisur verifikimi i çështjes dhe «po merret informacion i plotë nga Gjykata e Tiranës për faktet dhe masat që janë marrë». BIRN mësoi gjithashtu se është lajmëruar edhe presidenti i Republikës, ndërsa informacione po kërkohen edhe nga Ministria e Drejtësisë.

Lënia në harresë dhe mosvënia në lëvizje e mbi 300 rekurseve të prapambetura në Gjykatën e Tiranës mësohet të jetë zbuluar në fillim të korrikut, sipas një urdhri të kryetares së Gjykatës, Enkeledi Hajro, të publikuar fillimisht në televizionin News 24.

Sipas urdhrit, Hajro bën përgjegjëse kryesekretaren e Dhomës Civile, Mimoza Cenaj për mbajtjen në arkivë të rekurseve të prapambetura, pa ua komunikuar palëve që nga viti 2006, ndonëse pjesa më e madhe e shqyrtimeve kanë përfunduar, kanë marrë formë të prerë dhe janë ekzekutuar.

Përmes shkresës që mban datën 17 korrik 2017, Hajro i komunikon shkarkimin nga puna kryetares Cenaj me motivacionin se «ka lejuar shkeljen e dispozitave ligjore urdhëruese, duke u mohuar të drejtën shumë subjekteve fizike dhe juridike për të pasur akses në drejtësi».

«…ka sjellë dëmtim të interesave shtetërorë, shkeljes së të drejtave të individit dhe një situatë të rëndë proceduriale sa i takon menaxhimit dhe administrimit gjyqësor të gjykatës më të madhe në vend…», shton Hajro.

Pas shkarkimit të kryesekretares së gjykatës, kryegjyqtarja e Tiranës është përpjekur ta zgjidhë problemin përmes verifikimit të çdo rekursi dhe dosjeje gjyqësore të patrajtuar dhe dërgimit të tyre në Gjykatën e Lartë.

Në një dokument të dytë mbi procesin e verifikimit, të cilin BIRN e disponon, Hajro informohet mbi gjendjen e rekurseve të prapambetura dhe mbi ecurinë e dërgimit të tyre në Gjykatë të Lartë.

«Nga të gjitha dosjet e nxjerra nga arkiva, mbi 100 dosje i janë nisur Gjykatës së Lartë. Për pjesën tjetër janë kryer veprimet dhe priten dëftesat e komunikimit», shkruhet në dokument.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori i tha BIRN-it përmes një bisede telefonike se ishte njoftuar rreth një muaj më parë nga kryetarja e Gjykatës së Tiranës mbi një numër rekursesh të pavëna në veprim dhe e cilësoi situatën e krijuar si «tepër shqetësuese».

Megjithatë, Zaganjori u shpreh i vendosur për të marrë në shqyrtim çdo rekurs të vonuar brenda hapësirave që njeh ligji, ndërsa inkurajoi palët e dëmtuara që t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

«Unë e konsideroj këtë një problem shqetësues dhe cënim të procesit të rregullt gjyqësor», tha Zaganjori për BIRN.

«Pavarësisht se çfarë ka ndodhur, unë i kam dhënë urdhër administratës që të pranojë çdo rekurs, për të cilat trupat gjyqësorë do të vendosin rast pas rasti», shtoi ai.

Amullia me dosjet gjyqësore dhe rekurset e prapambetura në arkivën e Gjykatës së Tiranës – institucioni gjyqësor më i madh në vend nuk është një problem i ri. Urdhri i shkarkimit nga puna të kryesekretares zbulon njëherazi se ky problem i ishte bërë me dije ish-kryetarit Fatri Islamaj që në vitin 2016.

«Më 18 janar 2016, [Islamaj] ka urdhëruar kryesekretarinë që të marrë masat e nevojshme proceduriale për trajtimin me përparësi të rekurseve të vjetra, brenda ligjit…», thuhet në urdhrin e Hajros.

«Lidhur me këtë urdhër të dhënë me shkrim nga ish-kryetari, i cili i ka përcjellë kryesekretarisë praktikën për veprim, nuk ka asnjë reagim nga znj. Mimoza Cenaj se nuk ka pasur në vazhdimësi asnjë informacion për ish-kryetarin për ecurinë e procesit të komunikimit të rekurseve të vjetra», shtohet në dokument.

Të dhënat e siguruara nga BIRN-i nga një dokument verifikimi të kryer në arkivë tregojnë se një pjesë e rekurseve trajtojnë konflikte civile mes individëve apo kompanive private me institucionet shtetërore-përfshirë edhe çështjet e pronësisë, prishjes së kontratave të punës apo ankesave mbi procedura tenderuese.

Dokumenti tregon gjithashtu se një pjesë e këtyre konflikte e ka mbyllur ciklin e shqyrtimit në Gjykatë të Lartë, për shkak të rekursit të bërë nga pala tjetër.

Sipas dokumentit që i referon informacionin Hajros, nga arkiva janë nxjerrë 230 rekurse të prapambetura, të cilat po i nënshtrohen veprimeve përkatëse për t’iu dërguar Gjykatës së Lartë.

Gjithashtu, grupi i verifikimit evidenton gjithashtu se 6 rekurse kanë mbetur në arkivën e Gjykatës së Tiranës, ndonëse dosjet gjyqësore janë shqyrtuar në Gjykatën e Lartë dhe janë rikthyer për gjykim në gjykata të tjera, tetë rekurse u përkasin dosjeve që ndodhen aktualisht në Gjykatë të Lartë dhe 9 rekurse të tjera janë depozituar gabimisht aty, pasi duhej të ishin në gjykata të tjera.

Ndërkohë, 20 rekurse rezultojnë të ndara nga dosjet respektive dhe për 21 të tjera po kërkohen dosjet në arkivë.

«Këto rekurse nuk janë bashkuar me dosjet pasi jemi në proces verifikimi të vendndodhjes së dosjes dhe rekursi nuk ka të dhëna të sakta në lidhje me vendimet që kundërshtohen»” thuhet në informacion.

(https://www.reporter.al/gjyqesori-perpiqet-te-menaxhoje-demet-e-mbi-300-rekurseve-te-lena-ne-harrese/)