Gjykata Speciale pritet të punojë 8 vjet dhe të ketë rreth 400 dëshmitarë

Në një analizë të Fondacionit «Heinrich Böll» të Partisë së Gjelbër të Gjermanisë thuhet se më 1 janar për Kosovën fillon numërimi i ri i kohës: nga kjo ditë Gjykata Speciale do të jetë operative. Kosovën e presin ditë të vështira, por edhe ndoshta ndryshimi i komplet skenës politike. Përkrahësit e Kosovës kanë penguar së paku rolin rus në këtë gjykatë.

David Schwendiman, kryeprokuror i Gjykatës Speciale.



Kalimi nga një vit në tjetrin për shumë vende nuk paraqet ndonjë zhvillim të veçantë: pas ditëve festive jeta politike vazhdon me ritmin e njëjtë. Ky nuk do të jetë rasti me Republikën e Kosovës me kalimin nga viti 2016 në vitin 2017. Nga 1 janari Gjykata Speciale do të jetë operative dhe do të ketë selinë në Hagë. Pas akuzave të ngritura në vitin 2008 nga ish-prokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, në librin e saj «Gjuetia» («The Hunt»), se prokuroria kishte dëshmi për kidnapime masive në fund dhe pas luftës në Kosovë, raportuesi special i Këshillit të Europës, Dick Marty, zhvilloi një hetim, i cili «në fund të vitit 2010 rezultoi me Raportin tronditës prej 27 faqesh, në të cilin thuhet se pas vendosjes së KFOR-it në Kosovë janë rrëmbyer rreth 500 civilë (rreth 400 joshqiptarë, kryesisht serbë, por edhe romë, si dhe rreth 100 shqiptarë) dhe një numër i paidentifikuar i tyre fshehurazi është transferuar në Shqipëri në mënyrë që të zhvillohet tregti me organet e tyre», theksohet në një analizë të Fondacionit «Heinrich Böll» të Partisë së Gjelbër të Gjermanisë.

I miratuar nga Këshilli i Europës Raporti fitoi kredibilitet të madh ndërkombëtar, sepse pas tij qëndronte organizata më e madhe europiane dhe një trup që konsiderohet mbrojtës ekskluziv i të drejtave të njeriut në Kontinentin Europian. Këshilli i Europës ka kërkuar «një hetim të pavarur në mënyrë që të gjendet e vërteta e plotë për këto pretendime». Rrjedhimisht, u vendos të themelohet një gjykatë e veçantë kosovare, e cila nominalisht do të ishte pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por do të kishte selinë jashtë Kosovë dhe për të do të punonin vetëm gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë. «Duhej të kalonin gjashtë vite që nga miratimi i Raportit të Martyit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës ndërsa u themelua Gjykata Speciale. Duke përfshirë procedurën e ankesave, vlerësohet se Gjykata Speciale do të funksionojë rreth tetë vjet», thuhet në analizën e Fondacionit «Heinrich Böll» të shkruar nga gazetari Ismet Hajdari.

Gjykata Speciale vetëm për nga definicioni është kosovare, në të vërtetë autoritetet e Kosovës nuk kanë asnjë kompetencë në funksionimin e tij – madje as në shkallën e dytë, kur do të trajtohen ankesat eventuale ndaj aktgjykimeve. Arkivi dhe dokumentacioni i gjykatës mbi lëndët do të ruhen jashtë Kosovës si dhe dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur dhe me gjasë edhe anonimë.

Pyetja më shpeshtë që shtrohet në Kosovë në lidhje me Gjykatën Speciale është se kush do të akuzohet? Këtë nuk mund ta thotë askush me siguri, me gjasë të vetmit që kanë informacion për këtë janë amerikanët. Një burim i afërt me prokurorin Clint Williamson, i cili ka zhvilluar hetimet në bazë të Raportit të Dick Martyit, kishte pyetur se cilët emra do të gjenden në listën e të akuzuarve. Williamson, atëbotë në prag të përfundimit të mandatit, ishte përgjigjur: «Lexojeni Raportin e (Dick) Martyit».

Siç dihet në këtë raport si personi që ngarkohet me fajësinë më të madhe për krime është Hashim Thaçi. «Kemi zbuluar se Grupi i Drenicës kishte shefin e vet – ose nëse përdorim terminologjinë e rrjetit të organizuar kriminal ky rrjet kishte «bosin» e vet -, operatorin e njohur politik dhe mbase personalitetin më të pranuar ndërkombëtarisht të UÇK-së, Hashim Thaçin», ka konstatuar Marty. Figura të tjera të përmendura në raport janë Azem Syla, Kadri Veseli, Fatmir Limaj dhe Xhavit Haliti.

«Në Prishtinë ekzistojnë dy rryma të mendimit mbi atë se kush do të ulet në bankën e të akuzuarve në Hagë. Njëra thotë se ata do të jenë zyrtarët kryesorë të Kosovës, të cilët në politikën e nivelit të lartë u lansuan falë pjesëmarrjes së tyre në luftë dhe në pozita komanduese. Sipas këtyre mendimeve Raporti i Martyit paraqet një akuzë të drejtpërdrejtë me emra konkretë të anëtarëve të kreut me të ngushtë të UÇK-së dhe, kësisoj, tërë përpjekja ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës Speciale nuk mund të përbyllet pa një <Big Bang>, përkatësisht pa ngritjen e aktakuzës kundër atyre që përmenden në Raportin e Martyit. Të tjerët thonë se (…) do të akuzohen komandantët rajonalë të UÇK-së, të cilët janë përgjegjës për territoret ku kanë ndodhur kidnapimet masive dhe zhdukjet», thuhet në analizën e fondacionit gjerman. Mendohet se deri më tani në favor të aktakuzave kanë dhënë deklarata rreth 400 dëshmitarë, ndërsa 30 prej tyre do të dëshmojnë para gjyqit me emër të plotë apo anonim. Dëshmitarët kryesorë janë larguar nga Kosova dhe jetojnë pjesërisht me identitet të ri në vendet perëndimore, thkeson raporti.

Pasi që Kosova nuk i ka kryer punët dhe detyrat e veta në ndjekjen e të dyshuarve për krime të luftës, bashkësia ndërkombëtare dhe sidomos shtetet që sponsorizuan pavarësinë e Kosovës u gjendën në situatë delikate. Raporti i Dick Martyit nuk mund të injorohej, sepse pesha e akuzave është shumë e rëndë. Themelimi i Gjykatës Speciale u bë për dy arsye. Arsyeja e parë ka të bëjë me synimin që shtetit të ri të Kosovës t’i ruhet dinjiteti aq sa është e mundshme në këto rrethana, ndërsa arsyeja e dytë e themelimit të Gjykatës Speciale është pamundësimi që raporti i Dick Martyit të shfaqet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku do të imponohej forma e gjykatës kompetente për Kosovën dhe do t’i krijohej hapësirë Rusisë të ndikojë në mandatin dhe përbërjen e gjykatës, përfshirë edhe gjykatësit rusë, para të cilëve do të mund të dilte ndokush nga politikanët e sotëm kosovarë.

Se kush do të akuzohet për Kosovën gjithsesi është e rëndësishme, sepse «nëse dalin të vërteta mendimet e rrymës së parë të mendimit, atëherë Kosovës politikisht do t’i hiqet koka». Sidoqoftë, në vitin 2017 Kosovën e presin ditë të vështira, por edhe ndoshta ndryshimi i komplet skenës politike dhe i gjeneratave. Supozohet se pa Thaçin PDK do të përjetojë atë që e përjetoi LDK pas vdekjes së Ibrahim Rugovës: dobësimin masiv. Kalimi i PDK-së në plan të dytë do të krijonte hapësire për rivalët politikë, duke i ofruar shans partisë më të madhe (dhe për shumëkënd) opozitës së vetme të mirëfilltë – Lëvizjes Vetëvendosje. Një skenar i tillë do të ishte ironik, kur dihet se LVV e kundërshton themelimin e Gjykatës Speciale me argumentin se ajo e nxjerr tërë UÇK-në para gjyqit.

Në analizën e Fondacionit gjerman kritikohet ashpër misioni i BE-së, EULEX, i cili ka dështuar në shumë fusha dhe sidomos në ndjekjen e të dyshuarve për krime të lutës. Më tutje kërkohet që të mos ketë kurrfarë kontinuiteti mes EULEX-it dhe Gjykatës Speciale. Në fillim të mandatit EULEX synonte të europianizonte shoqërinë kosovare, ndërkohë misioni i BE-së është kosovarizuar në mënyrën më negative për shkak të paaftësisë, rekrutimit joadekuat të gjykatësve dhe prokurorë europiane, mungesës së guximit, lojërave politike dhe prirjes për kompromise. «Kosovës i duhet e vërteta për atë se çfarë ka ndodhur në fund dhe pas luftës në territorin e saj dhe që ka të bëjë me kidnapimet masive», konstaton analiza e Fondacionit «Heinrich Böll» të Partisë së Gjelbër të Gjermanisë. – Kryeprokuror i Gjykatës Speciale është zgjedhur juristi amerikan David Schwendiman, ndërsa kryetare e Gjykatës do të jetë bullgarja Ekaterina Trendafilova, e cila ka një përvojë të gjatë në drejtësinë ndërkombëtare. (-lli)