Gjykata Speciale përgatitet të padisë ish-luftëtarët e UÇK-së

Gjashtë vjet pasi një raport i Këshillit të Europës akuzoi luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime brutale, Gjykata Speciale e ngritur për të gjykuar këto akuza është thuajse gati të ngrejë paditë e para.

David Schwendiman, kryeprokurori i Gjykatë Speciale të Kosovës. Foto: Zyra e Prokurorit të Kosovës.



Ish-pjesëtarët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët dyshohet se janë përgjegjës për vrasje, rrëmbime, tortura dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut gjatë dhe pas luftës në Kosovë, mund të dalin së shpejti në bankën e të akuzuarve sepse rregullat e reja të Gjykatës do të hyjnë në fuqi në shtatë ditë pasi ato u miratuan më në fund të mërkurën. Edhe pse me bazë në Hagë, Dhomat e Specializuara janë ligjërisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por të pavarur nga sistemi gjyqësor i Kosovës dhe me staf ndërkombëtar, ndërkohë që të gjitha vendimet dhe emërimet që lidhen me Gjykatën do të bëhen nga Bashkimi Europian.

Dhomat i kishin rregullat e procedurave dhe provave gati në mars. Por një muaj më vonë, Gjykata Kushtetuese vendosi që nga 208 rregulla të procedurave dhe provave, dhjetë dispozita nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ato u gjet se nuk ishin në përputhje me Kapitullin 2 të Kushtetutës së Kosovës që trajton të drejtat dhe liritë themelore dhe kishin lidhje me të drejtat e njerëzve gjatë hetimeve dhe çështjeve të administratës në Dhomat e Specializuara. Kështu që dhomat morën edhe një muaj e gjysmë kohë për të korrigjuar këto çështje në mënyrë që të sigurojnë se «do të zbatohen standardet më të larta të të drejtave të njeriut», tha kryetarja e Gjykatës së re Ekaterina Trendafilova. Rregullat e rishikuara të procedurave u miratuan përfundimisht të mërkurën, duke i hapur rrugë Prokurorisë të ngrejë zyrtarisht padi dhe të nisë gjyqe.

Cili është hapi i radhës i Prokurorisë?

Pas shtatë ditësh, kur rregullat e procedurës të hyjnë në fuqi, Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të ngrejë padi kundër ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë dy viteve të fundit, ka pasur spekulime se kush do të akuzohet, sidomos pasi raporti i parë i Këshillit të Europës në lidhje me krimet e dyshuara përmendi emrat e atyre që pretendohet të jenë përgjegjës, duke përfshirë edhe presidentin aktual të Kosovës Hashim Thaçi.

Megjithatë prokurori David Schwendiman deri më tani ka arritur t’i mbajë të fshehtë emrat. Në një intervistë për BIRN nëntorin e kaluar, Schwendiman theksoi gjithashtu se objektivi i tij janë kriminelët e dyshuar dhe jo vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. «Unë i vihem nga pas organizatave apo etnive. Kërkoj përgjegjësinë individuale për atë që është bërë», u shpreh ai. Gjithashtu mbetet për t’u parë nëse prokurori do të ngrejë padi të mbyllura apo publike. Gjatë çdo arrestimi, ai mund të mbështetet te Policia e EULEX-it, por edhe te forcat policore të Kosovës, si edhe të kërkojë bashkëpunim nga çdo shtet tjetër. Ligji i Kosovës mbi Dhomat e Specializuara e lejon gjithashtu Prokurorinë të ketë policinë e vet, por se si do të funksionojë ajo në praktikë mbetet ende një sekret për shkak të ndjeshmërisë së detyrës. Megjithatë, shumë njerëz në Kosovë besojnë se ish-guerilët e paditur do të dorëzohen vullnetarisht në Gjykatë. Kur bëhet fjalë për ndalimin e tyre, policia do të ketë 48 orë kohë nga arrestimi për ta sjellë të dyshuarin para gjyqtarit, i cili do të vendosë masën e ndalimit. Ndërtesat e paraburgimit të Gjykatës do të jenë në Holandë.

Cili është mandati i Gjykatës?

Dhomat e Specializuara do të kenë juridiksion mbi krimet që kanë ndodhur midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 dhe që janë kryer ose kanë nisur në Kosovë, që do të thotë se mund të ndjekë penalisht krimet e kryera në Shqipëri, pasi shumë nga të burgosurit që u morën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës u mbajtën nëpër kampe në veri të Shqipërisë. Dhomat do të jenë në gjendje të ndjekin penalisht krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, shfarosje, skllavërim, dëbim, burgim, torturim, përdhunim, zhdukje me forcë dhe persekutime të tjera me baza politike, racore, etnike ose fetare. Ajo gjithashtu do të ndjekë penalisht krime lufte dhe shkelje të tjera – përfshirë shkatërrimin e pronave të civilëve, qytete, fshatra dhe ndërtesa fetare.

Çfarë krimesh ka gjasa të gjykohen?

Personi i fundit që foli me detaje rreth shkeljeve të pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte Clint Williamson, kreu i Task Forcës Speciale të BE-së që hetoi pretendimet për abuzime të dhunshme të ngritura në raportin fillestar të Këshillit të Europës. Në një deklaratë në vitin 2014, Williamson tha se ishin mbledhur mjaftueshëm prova për të ngritur padi kundër zyrtarëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët «kanë përgjegjësinë për fushatën e persekutimit që u zhvillua kundër serbëve etnikë, romëve dhe popullsisë tjetër pakicë në Kosovë dhe ndaj shqiptarëve të tjerë të Kosovës që ata i etiketonin si bashkëpunëtorë të serbëve ose që kanë qenë kundërshtarë politikë të lidershipit të UÇK-së». Sipas Williamson, edhe në Kosovë pati spastrimi etnik të një numri të madh serbësh dhe romësh. Williamson tha gjithashtu se provat ishin bindëse se këto nuk ishin akte individësh mashtrues, por të zhvilluara në mënyrë të organizuar, duke shtuar se abuzimet që ndodhën pas qershorit 1999 përbënin krime kundër njerëzimit.

Pse nevojitej Gjykata e re?

Në të kaluarën ka pasur përpjekje për t’i gjykuar këto akuza nga tre institucione ndërkombëtare. Krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në kampet në veri të Shqipërisë u zbuluan fillimisht nga gazetari amerikan Michael Montgomery, i cili ia kaloi provat që kishte misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, i cili ishte autoriteti administrativ në Kosovë pas përfundimit të luftës në qershor 1999. Memoja që iu dërgua UNMIK-ut shkoi në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të mbështetur nga OKB-ja për ish-Jugosllavinë, ICTY, e cila më pas hetoi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. ICTY përparoi ngadalë në këtë rast dhe hasi një sërë pengesash në hetimin e këtyre pretendimeve, siç detajoi në librin e saj në vitin 2008 ish-kryeprokurorja e ICTY-së Carla del Ponte.

Libri i Del Pontes tregoi publikisht për herë të parë pretendimet për trafikim organesh që çuan në hetimin e Këshillit të Europës. UNMIK-u në Kosovë gjithashtu nisi hetime, por ato nuk arritën kurrë të dilnin në gjyq. E njëjta gjë ndodhi edhe me Misionin e sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, i cili mori përsipër ndjekjen penale të krimeve të luftës në vitin 2008. Pas vitit 2012, fuqitë ndërkombëtare, kryesisht SHBA dhe BE, mbështetën themelimin e Gjykatës Speciale. Ata besonin se gjykata nevojitej sepse sistemi gjyqësor i Kosovë nuk mundej ose nuk donte të gjykonte si duhej ish-figura të larta të UÇK-së dhe për shkak se EULEX nuk kishte kapacitet për ta bërë këtë.

Cilat janë sfidat kryesore të Gjykatës?

Gjykata do të përballet me sfida serioze në garantimin e sigurisë së dëshmitarëve të saj – si edhe në vendosjen e legjitimitetit të saj në mendjet e shqiptarëve të Kosovës. Në të njëjtën kohë ajo do të jetë gjykata e parë në Kosovë që do të përpiqet të sigurojë pjesëmarrjen e viktimave dhe të përdorë një mekanizëm dëmshpërblimi. Dështimi i gjykatave dhe i misioneve ndërkombëtare për t’i mbajtur dëshmitarët të sigurt dhe për të ndjekur penalisht krimet e luftës pa ndërhyrje politike ishte një nga arsyet kryesore për themelimin e Dhomave të Specializuara. Problemi i kanosjes së dëshmitarëve u ngrit fillimisht nga ICTY, më pas nga UNMIK-u dhe EULEX-i.

Dëshmitarët ndryshuan dëshminë e tyre gjatë gjyqeve, duke marrë mbrapsht atë që kishin thënë gjatë fazës së hetimit. Dëshmitarët përballeshin gjithashtu me rrezikun e largimit nga shoqëria kryesisht për shkak të faktit se anëtarët e UÇK-së shihen kryesisht si heronj dhe dëshmitë kundër tyre shihen nga shumë shqiptarë të Kosovës si një akt tradhtie.
Gjykata e re është zotuar se mbrojtja e dëshmitarëve do të jetë përparësia më e lartë e saj dhe këmbëngul se ka përgatitur një program të fuqishëm për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Çështje të tjera kyçe janë legjitimiteti dhe shtrirja. Në Kosovë gjykata shihet si e njëanshme, sepse ajo fokusohet vetëm në një anë të konfliktit – aktivitetet e UÇK-së, jo veprimet e forcave të Beogradit.

Ajo perceptohet gjithashtu si një fyerje për shqiptarët e Kosovës, shumica e të cilëve besojnë se lufta e tyre kundër shtypjes serbe ishte e drejtë. Shumë prej tyre janë zotuar se do të dalin në rrugë të protestojnë pasi të ngrihen akuzat. Gjykata pritet të shkaktojë trazira serioze në skenën politike, pasi shumë ish-figura kryesore të UÇK-së mbajnë poste zyrtare dhe ushtrojnë ndikim të madh në shumë fusha, përfshirë në qeveri dhe në biznes.

Gjatë zgjedhjeve në Kosovë më herët këtë muaj, tre ish-liderë të UÇK-së u bashkuan për të formuar një bllok politik të cilin disa vëzhgues e quajtën «krahu i luftës» ose «koalicioni i Hagës» – dhe fituan përqindjen më të madhe të votave. Në një atmosferë të tillë, ekipi i Dhomave të Specializuara do të ketë një nga punët më të vështira që ka pasur çdo gjykatë ndërkombëtare deri më tani. Fakti që gjykata ndodhet në Hagë, larg nga komunitetet në të cilat ndodhën krimet, ka gjasa ta bëjë më të vështirë punën e komunikimit të drejtësisë së misionit të saj me shqiptarët e Kosovës.

Si do të funksionojë Gjykata?

Dhomat e Specializuara përfaqësojnë një lloj të ri të institucionit gjyqësor «hibrid». Është një përzierje e elementeve gjyqësore ndërkombëtare dhe atyre vendore. Ata do të pasqyrojnë gjykatat e Kosovës, por do të kenë disa tipare që zakonisht u atribuohen gjykatave ndërkombëtare. Dhomat e Specializuara përbëhen nga dy institucione kryesore – dhoma dhe regjistri. Dhoma përfshin një gjykatë të shkallës së parë, një gjykatë apeli, një gjykatë të lartë dhe një gjykatë kushtetuese, duke pasqyruar sistemin gjyqësor të Kosovës.

Të gjitha panelet gjyqësore në të gjitha nivelet e gjykatave do të përbëhen nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë. Regjistri përfshin një zyrë mbrojtjeje, zyrën e pjesëmarrjes së viktimave, zyrën për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve, njësinë e menaxhimit të paraburgimit dhe zyrën e Avokatit të Popullit. Gjuhët zyrtare të gjykatës do të jenë gjuha shqipe, serbe dhe angleze. Zyra e Prokurorit të Specializuar do të jetë e pavarur, ka theksuar në mënyrë të përsëritur. I gjithë personeli i gjykatës dhe i prokurorisë është ndërkombëtar dhe fondet ofrohen gjithashtu nga donatorë të huaj, kryesisht nga BE dhe SHBA. Të pandehurit që shpallen fajtorë do ta vuajnë dënimin e tyre në burgje jashtë Kosovës.