Gjykata Speciale dhe «nata e rrezikshme» e thikave të gjata

Reagime të ashpra të diplomatëve kundër nismës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Kanë reaguar edhe përfaqësues të partive politike. Burime diplomatike bëjnë me dije se në shënjestër të Gjykatës Speciale ka gjasa të jenë krerë të shtetit, andaj është krijuar kjo situatë dramatike në Kuvend dhe qeveri.

Kuvendi i Kosovës gjatë një seance.



Agjencia amerikane e lajmeve «Associated Press» ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë tërhequr vërejtjen politikanëve të Kosovës pas nismës për pezullimin e Gjykatës Speciale, të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës. Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie është deklaruar qartë dhe dy herë gjatë pasdites së të premtes se miratimi i një projektligji për shfuqizimin e këtij tribunali e izolon Kosovën në nivel global. Delawie është parë në hollin e Kuvendit të Kosovës bashkë me ambasadorin britanik Ruairi O’Connell.

Burime diplomatike bëjnë me dije se në shënjestër të Gjykatës Speciale ka gjasa të jenë krerë të shtetit, andaj është krijuar kjo situatë dramatike në Kuvend dhe qeveri. Deputeti i VV Glauk Konjufca e ka përshkruar situatën në parlament si dramatike, por pa dhënë detaje.

Ambasadori O’Connell deklaroi se kjo mund të jetë nata më e rrezikshme e Kosovës që nga paslufta. Ai, sipas Kohës Ditore, tha se kur u miratua Specialja, të gjithë «ishim krenarë dhe u duk sikur politikanët i vunë interesat e shtetit para interesave të veta personale». «Kësaj here kam përshtypjen se interesat personale po vihen para interesave të shtetit».

Pastaj O’Connell ka shtuar: «NATO-ja nuk është mashtruar për të ndërhyrë, por ka pasur arsye për të ndërhyrë. Ne e dimë saktë se çka ka ndodhur këtu gjatë luftës. Më vinte shumë mirë kur para dy viteve ka pasur gatishmëri për të pranuar drejtësi për të gjithë. Më vjen shumë keq tash kur dëgjoj tash një përpjekje për të shfuqizuar ligjin për Specialen. (…) Nëse anulohet tash reagimi do të jetë shumë i keq për Kosovën». Ambasadori Delawie e ka quajtur «thikë pas shpine» synimin për të shfuqizuar Gjykatën Speciale. «Iniciativa është e turpshme. Është thikë pas shpine për SHBA-në. E kundërshtojmë fuqishëm», deklaroi ai.

Ndërsa ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka deklaruar për KALLXO.com se pa ndryshimin e bazës kushtetuese të Ligjit për Dhomat Speciale nuk mund të shfuqizohet ligji që e themelon këtë gjykatë. Ai the se me këta hapa «Kosova futet në zonën e përgjegjësisë ndërkombëtare si shtet». Hasani më tej shpjegoi se ndryshimi i bazës kushtetuese duhet të bëhet me të njëjtën procedurë që është miratuar. «Këtu nuk shtrohet çështja e ndryshimit të ligjit por e bazës kushtetuese. Me ndryshimin e Kushtetutës është deleguar një pjesë e pushtetit të gjyqësorit në bashkësinë ndërkombëtare», tha për KALLXO.com, Enver Hasani. Sipas tij «shfuqizimi i Ligjit për Dhomat Speciale nuk ka bazë nëse nuk shfuqizohen amendamentet e Kushtetutës që i kanë dhënë bazë Gjykatës Speciale. Pra, pa shfuqizimin e amendamenteve kushtetuese nuk mund të bëhet shfuqizimi i një detyrimi ndërkombëtar të Kosovës».

Përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike e Kosovës Kujtim Shala ka lexuar një deklaratë të partisë së tij, ku thuhet se: «Hapat e nxituar mund të prodhojnë situata të reja që do të rrezikonin stabilitetin dhe do të dëmtonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës». Sipas LDK-së tendenca për të shfuqizuar Ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është tepër e rrezikshme dhe e fut vendin në aventura të paparashikueshme. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se të gjitha çështjet e, sidomos çështjet me rëndësi jetike për ekzistencën e vendit, duhet të trajtohen me maturi e pa nxitim. (dp)