Gjykata Penale e Brukselit shpalli fajtorë organizatorin dhe vrasësit e Enver Hadrit

Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, dy krerë të nëntokës serbe, dhe Bozhidar Spasiq, shef për operacione speciale i UDB-së, janë shpallur fajtorë për vrasjen me paramendim të Enver Hadrit, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë. Mbi kohëzgjatjen e dënimit me burg autoritetet e drejtësisë në Belgjikë do të njoftojnë në ditët në vijim.

Enver Hadri.

Në një njoftim për opinion familja e Enver Hadrit ka bërë të ditur se Gjykata Penale e Brukselit të martën i ka shpallur fajtorë organizatorin dhe vrasësit e disidentit dhe aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut. Ky është vendimi i parë i një gjykate të një shteti europian në lidhje me vrasjen e një emigranti shqiptar, i cili kundërshtonte regjimin jugosllav dhe serb në Kosovë dhe me mjete diplomatike luftonte për pavarësinë e Kosovës.

Në emër të familjes e bija e Enver Hadrit, Teuta Hadri, duke u bazuar në vendimin e gjykatës, ka theksuar se Veselin Vesko Vukotiqi dhe Andrija Drashkoviqi, që të dy kriminelë të njohur nga nëntoka serbe, dhe Bozhidar Spasiqi, shef për operacione speciale i UDB-së jugosllave, janë shpallur fajtorë për vrasjen me paramendim të Enver Hadrit, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë me seli në Bruksel.

«Ne, familja e Enver Hadrit, në cilësinë e palës civile në këtë dosje penale, kemi nderin dhe kënaqësinë ta informojmë opinion shqiptar se pas përpjekjeve shumëvjeçare dhe me ndihmën e pakursyer të avokatëve tanë, sidomos të zotit Christoph Marchand, arritëm që vrasësit e burrit dhe babait tonë, Enver Hadrit, të nxirren para drejtësisë dhe të shpallen fajtorë. Kjo ishte një betejë e gjatë përballe diversioneve të panumërta të organeve të shtetit jugosllav e serb, përballë vonesave, neglizhencës, por edhe lëshimeve të çuditshme të disa hallkave të sistemit gjyqësor», thuhet në njoftim.

Familja e Enver Hadrit thekson se prej datës 7 nëntor e deri më 22 nëntor 2016 Gjykata Penale Brukselit, në përbërje të tre gjyqtareve profesionistë dhe të jurisë prej 12 qytetarëve të zgjedhur me short mbajti 12 seanca gjyqësore, ku u shqyrtua aktakuza e Prokurorit të Mbretit, e cila ngarkonte Vukotiqin, Drashkoviqin dhe Spasiqin për vrasjen e Enver Hadrit. «Dy pjesëmarrës të tjerë në këtë vrasje, Andrija Llakoniq dhe Darko Ashanin, u vranë në Serbi në rrethana që bëjnë të dyshohet se motivi ishte të mos zbardhet vrasja e Enver Hadrit».

Më tutje në njoftim thuhet se gjatë gjykimit i dhanë dëshmitë e tyre ekspertë të kriminalistikës, ekspertë të historisë së Ballkanit, hetues policorë, ekspertë të atentateve politike, por edhe dëshmitarë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe dëshmitarë okularë të vrasjes. Pati edhe dëshmitarë për të konfirmuar dëshmitë e tyre që kishin dhënë më parë në Tribunalin e Hagës.

Gjatë procesit «u lexuan procesverbale të ndryshme dhe dokumente gjyqësore e hetimore të të gjitha shkallëve në një procedure që zgjati më shumë se një çerek shekulli».

Enver Hadri u vra më 25 shkurt 1990. Policia pati gjetur atëherë në xhepin e Enver Hadrit listën e 32 shqiptarëve që ishin vrarë rishtas nga policia serbe në manifestimet paqësore në përpjekje për të mbrojtur autonominë e Kosovës.

Sipas familjes «as kësaj radhe në bankën e të akuzuarve nuk u ulën vrasësit e Enver Hadrit, sepse ata i mbrojti dhe po i mbron me të gjitha mjetet e mundshme shteti serb, por kjo nuk ndryshon asgjë, sepse realisht, në vendin e tyre, ishte i ulur dhe gjykohej e u dënua bashke me vrasësit edhe vetë Serbia».

Në fjalën e saj përfundimtare Prokurorja e Mbretit theksoi se ky gjykim i bëri një nderim Enver Hadrit, por edhe përpjekjeve të drejtësisë për ta nxjerrë të vërtetën në shesh; se ky krim është shqyrtuar në imtësi dhe në të gjitha aspektet e mundshme; se ky proces gjyqësor po mbahet në Bruksel, në kryeqytetin e Europës, të Europës së vlerave, të cilat i mbronte edhe Enver Hadri; se vrasja e Enver Hadrit ishte një krim i rëndë, i kryer me gjakftohtësi e paramendim, me armë e municion të përzgjedhur paraprakisht; se vrasja e Enverit ishte një gjurmë gjaku më shume në pemën gjenealogjike të familjes Hadri (babai i Enver Hadrit është pushkatuar nga serbët në vitin 1944); se indiferenca vret dhe se mosndëshkimi gjyqësor i krimit e vret viktimën për të dytën herë.

Pas shpalljes fajtor të Veselin Vesko Vukotiqit, Andrija Drashkoviqit dhe Bozhidar Spasiqit, gjykata në ditët në vijim do t’ua shqiptoje dënimin me burg.

«Paraprakisht avokatët tanë dhe prokurorja kanë kërkuar dënim me burg të përjetshëm për të tre të akuzuarit. Ne konsiderojmë se kjo është një fitore e madhe, sepse dëshmon se drejtësia vonon, por nuk harron. Ne jemi të sigurt se në negociatat për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, Serbia do të detyrohet t’ia dorëzojë argatët e saj vrasës  organeve belge të drejtësisë për ta vuajtur dënimin e merituar», thuhet në njoftimin e familjes, e cila ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar e mbështetur në këtë betejë të gjatë e të vështirë.

Gjykimi kundër vrasësve të Enver Hadrit është injoruar gati tërësisht nga mediat shqiptare në Ballkan. Indiferentë kanë qenë edhe krerët politikë në Kosovë, për të cilën Enver Hadri punoi dhe u flijua. Shpallja fajtorë e organizatorit dhe vrasësve të Enver Hadrit vjen në një moment kyç historik: sivjet një gjykatë gjermane ka dënuar me burg të përjetshëm dy funksionarë të lartë të shërbimeve sekrete jugosllave për vrasjen e disidentit kroat Stjepan Gjurekoviq, i cili ishte një mbështetës i madh i kauzës së Kosovës për liri e pavarësi. Ndërkohë autoritetet gjermane po zhvillojnë hetime edhe për dhjetëra vrasje të tjera që supozohet t’i ketë kryer regjimi jugosllav. Mes këtyre lëndëve është edhe ajo e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, të vrarë në vitin 1982 në Gjermani. Autoritetet gjermane e shohin qeverinë qendrore jugosllave në Beograd si urdhërdhënëse të rreth 70 vrasjeve të emigrantëve kroatë dhe shqiptarë. Asnjë shërbim sekret i botës lindore komuniste, madje as KGB-ja, nuk ka kryer më shumë vrasje në botën e jashtme se ai i Beogradit. Si ndihmës në këto vrasje dyshohen edhe spiunë kroatë dhe shqiptarë, të cilët në mënyra të ndryshme, sidomos me logjistikë, mund të kenë ndihmuar ekzekutorët.