Gjykata Kushtetuese rrëzon ankimimin e Elvis Rroshit

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e kreut të bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, për shkarkimin nga detyra si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, duke i dhënë përfundimisht fund karrierës së tij politike.




Gjykata Kushtetuese tha në një njoftim për shtyp të martën se pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e paraqitura nga kërkuesi, si dhe parashtrimet e subjekteve të interesuara, vendosi për rrëzimin e kërkesës së ish krybashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi.

Roshi i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr.952, datë 29.12.2016 «Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Kavajë, zoti Elvis Rroshi», vendimin të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e mandatit, si dhe shqyrtimin e ligjshmërisë së ligjit të dekriminalizmit.

Elvis Rroshi, kryebashkiak i Kavajës që nga viti 2011, rezultoi se pati gënjyer në formularin e tij të dekriminalizimit duke mos raportuar një dënim për përdhunim në grup të marrë në Itali si dhe një rast të lidhur me trafikun e drogës në Zvicër.

Pas zbulimit nga ana e Prokurorisë të dënimit në Itali dhe përzënieve në Zvicër, Rroshi u arrestua me urdhër të prokurorisë në qershor të vitit 2016. Ai është aktualisht në ndjekje të lirë për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve si dhe gjendet nën hetim për falsifikim tenderësh. Në një çështje tjetër, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar të dhëna në SHBA për Rroshin, nën dyshimin e pjesëmarrjes në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Në maj 2016, Rroshi shpalli në Facebook se kishte dhënë dorëheqjen si kryebashkiak për shkak të dënimeve të tij në të shkuarën, por deklarata nuk u shoqërua me dorëheqje formale.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep fund përfundimisht karrierës së Rroshit si i zgjedhur vendor.

Ligji i dekriminalizimit u miratua në Kuvendin e Shqipërisë në dhjetor 2015, pas dy vitesh debat, me synimin për të bllokuar rrugën e politikës për personat që kishin të shkuar të rëndë penale si dhe për të rritur transparencën mbi të shkuarën penale të personave të zgjedhur apo të emëruar të niveleve të larta. Që nga ajo kohë, një numër deputetësh, kryebashkiakësh e zyrtarësh të tjerë kanë humbur postet, kryesisht për shkak se nuk kanë deklaruar të shkuarën e tyre penale.

(https://www.reporter.al/gjykata-kushtetuese-rrezon-ankimimin-e-elvis-rroshit/)