Gjykata franceze refuzon ekstradimin e Haradinajt në Serbi

Menjëherë pas lirimit, Haradinaj ka thënë se refuzimi i kërkesës për ekstradimin e tij në Serbi, është fitore e shqiptarëve.

Ramush Haradniaj. Foto: Al Jazeera



Gjykata franceze në Colmar ka vendosur të liroj ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, mbi të cilin rëndonin akuzat e autoriteteve të Serbisë për, siç thuhej, krime lufte të kryera në periudhën e viteve 1998-1999.

Menjëherë pas lirimit, Haradinaj ka thënë se refuzimi i kërkesës për ekstradimin e tij në Serbi, është fitore e shqiptarëve. Para gjykatës, atë e kanë pritur disa simpatizantë të tij dhe të subjektit politik që e drejton, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

«Jam i lirë. Procedura u mbyll, është refuzuar kërkesa e Serbisë. Pres ta marr pasaportën dhe do të kthehem në Kosovë. Janë humbur 4 muaj dhe koha është e çmuar», ka thënë Haradinaj.

Në Prishtinë, lirimi i ish-kryeministrit Haradinaj është festuar me fishekzjarrë.

Lirimin e Ramush Haradinajt e kanë përshëndetur krerët më të lartë të institucioneve të vendit, duke e quajtur një lajm të mirë për gjithë Kosovën. Ata kërkuan që raste të tilla mos të përsëriten në të ardhmen.

Reagime pati edhe në Serbi. Pas vendimit të gjykatës franceze për lirimin e Ramush Haradinajt, Qeveria e Serbisë sot mban mbledhje të jashtëzakonshme.

Kreu i AAK-së ishte ndaluar në aeroportin e Bazelit me 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një fletë-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Haradinaj është liruar dy herë nga akuzat për krime lufte nga Gjykata e Hagës.