«Gjykata fantazmë» vonon drejtësinë për viktimat e luftës në Kosovë

Pas vitesh të tëra vonesa, Gjykata e re Speciale në Hagë ende nuk ka filluar punën për gjykimin e autorëve të dyshuar, duke e zgjatur akoma më shumë ankthin e familjeve të viktimave të luftës, thotë gjyqtari Dean B. Pineles.

Foto: BIRN



Si amerikan, pata privilegjin të jetoja dhe punoja në Kosovë si gjykatës ndërkombëtar penal me misionin e sundimit të ligjit të BE-së, EULEX, nga viti 2011 në vitin 2013, pas një karriere gjyqësore prej mbi 20 vjetësh në SHBA. Gjykova shumë raste të vështira, përfshirë ndjekjen e parë penale të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Fatmir Limaj dhe çështjen e parë për trafikim organesh nga klinika Medicus dhe kuptova forcën dhe dobësitë e komponentit të drejtësisë të EULEX-it, gjë të cilën e vura re nga brenda pothuajse çdo ditë.

Që prej kthimit tim në SHBA, i kam ndjekur ngjarjet shumë afër dhe kam shkruar dhe kam ligjëruar gjerësisht për Kosovën. Një temë që më ka tërhequr vëmendjen është Dhoma e Specializuar dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, gjykata e re e cila u hap në korrik 2017 në Hagë. Unë isha aplikues për një nga pozicionet gjyqësore, por që atëherë kam arritur në përfundimin se krijimi i një gjykate të re ishte gabim. Mandati ekskluziv i gjykatës është të ndjekë penalisht anëtarë individual të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të dyshuara të kryera gjatë dhe menjëherë pas konfliktit brutal me forcat serbe të Sllobodan Millosheviqit dhe të vendosë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.

Por evolucioni i gjykatës së re qëndron si një shembull i zellshëm i drejtësisë penale ndërkombëtare në lëvizje të ngadaltë, qëllime të mira të shkuara keq dhe sundimi i ligjit i ngecur në vend. Sot gjykata ende nuk ka marrë ende asnjë padi për të gjykuar, pavarësisht nga një procesi shumëvjeçar dhe një buxheti shumë të madh prej 41 milion eurosh. Tragjedia e vonesës është e dyfishtë. Së pari, autorëve të dyshuar të krimeve të këqija u është lejuar vazhdojnë jetët e tyre pa u ndëshkuar. Por, më e rëndësishmja, dhe nuk mund ta theksoj mjaftueshëm këtë pikë, viktimat dhe familjet e tyre janë detyruar të sorollaten për një kohë shumë të gjatë, duke pritur të vihet drejtësi. Dhe 1600 persona të zhdukur nga lufta, fotografitë e shumicës prej të cilëve janë vendosur jashtë ndërtesës së parlamentit në Prishtinë, nuk janë shfajësuar për vuajtjet e tyre.

Edhe nëse gjykata fillon të gjykonte rastet nesër, vitet e vonesës, pasigurisë dhe ankthit nuk mund të kompensohen kurrë. Do të kishte qenë një zgjidhje shumë më e mirë nëse EULEX-i, i cili kishte një komponent drejtësie plotësisht funksional, do të vazhdonte ndjekjen penale të krimeve të luftës, në vend që të fillonte përsëri. E vërtetë, EULEX-i kishte problemet e veta, por këto probleme mund të përmirësoheshin, nëse nuk do të mund të zgjidheshin, nëse për këtë do të ishte bërë një përpjekje e bashkërenduar.

Gjithçka filloi në vitin 2008, kur Carla Del Ponte, ish-kryeprokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, ICTY, pretendoi në librin e saj «Zonja Prokurore» se anëtarë të lartë të UÇK-së kishin kryer krime të tmerrshme kundër të burgosurve serbë të luftës, pakicave dhe bashkëpunëtorëve shqiptarë, përfshirë heqjen e organeve njerëzore për qëllime trafikimi. Pretendimet e rënda të Del Pontes, sidomos ato të trafikut të organeve, dolën në titujt kryesorë të gazetave në të gjithë botën. Kjo e motivoi Këshillin e Europës të kryente një hetim të gjerë, të udhëhequr nga senatori zviceran Dick Marty. Për arsye që nuk janë të qarta, ky nuk ishte një hetim penal.

Raporti i Martyt në fund të vitit 2010, i cili u bë një zëdhënës, konfirmoi shumë nga akuzat e Del Pontes, përfshirë trafikimin e organeve dhe në fakt identifikoi anëtarë specifik të UÇK-së. Megjithatë, për shkak se hetimi i tij shumëvjeçar nuk ishte një hetim penal, BE-ja u desh të krijonte një Task Forcë Speciale Investiguese në vitin 2011 nën kujdesin e EULEX-it për të kryer një hetim penal. Për këtë u ngarkua Clint Williamson, një prokuror amerikan me përvojë. Ndoshta kjo duhet të ishte bërë që në fillim. Williamson i bëri publike gjetjet e tij në mesin e vitit 2014. Ai arriti në përfundimin se kishte prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuza kundër disa anëtarëve të paidentifikuar të UÇK-së për krime si vrasje, tortura, rrëmbime dhe vetëm në një «grusht» rastesh, heqje organesh, të gjitha gjatë periudhës 1998-2002. Fatmirësisht, ai e bëri të qartë se heqja e organeve nuk ishte e përhapur, në mënyrë që të lehtësonte ankthin midis familjeve të të pagjeturve.

Raporti i Williamson ishte një pikë kritike referimi. Pothuajse katër vjet më parë, ai e informoi botën se kishte prova të mjaftueshme për të vazhduar me aktakuzat. Por komuniteti ndërkombëtar besonte se nuk kishte gjykatë në të cilën Williamson mund të paraqiste paditë e tij. ICTY po mbyllej dhe nuk kishte juridiksion adekuat për të ndjekur penalisht krimet që ndodhën pas mesit të vitit 1999 kur përfundoi lufta. Dhe EULEX-i tashmë ishte braktisur në favor të një gjykate të re. Mbetet ende e debatueshme nëse kjo humbje besimi te EULEX ishte e justifikuar. Në të vërtetë, nga pikëpamja ime, EULEX, ndonëse jo i përsosur, ishte dëshmuar si i aftë për të trajtuar shumë raste të vështira para dhe pas raportit të Williamsonit në vitin 2014, përfshirë edhe raste krimesh lufte. Rasti i Grupit Drenica është një shembull i kohëve të fundit.

Pavarësisht nga kjo, humbja e besimit në EULEX ishte forca shtytëse në vendimmarrje. Një nga problemet që përmendet shpesh për të justifikuar një gjykatë të re, që unë s’do ta minimizoja, ishte kanosja e dëshmitarëve dhe mungesa e një programi efikas për mbrojtjen e dëshmitarëve. Këtë e kam përjetuar vetë në çështjen Limaj, ku dëshmitari kryesor i prokurorisë, i cili ishte në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, kreu vetëvrasje në Gjermani pak para fillimit të gjykimit; me sa duket një akt dëshpërimi për të mbrojtur familjen e tij. Por ky problem nuk ishte vetëm për EULEX-in. Ishte një shqetësim serioz edhe në Gjykatën e Hagës që ndodhet shumë larg në Hagë, njësoj si gjykata e re.

Lirimi i parë nga akuzat i Ramush Haradinajt është një shembull kryesor. Dhe, siç bëri të qartë Williamson, ishte gjithashtu një problem i madh gjatë hetimit të tij, i cili ishte i bazuar në Bruksel. Kanosja e dëshmitarëve është një fakt i jetës në Kosovë dhe do të vazhdojë të ndodhë pavarësisht se ku ndodhet gjykata. Vonesa e pafund thjesht e përkeqëson problemin. Një tjetër shqetësim mund të ketë qenë siguria gjatë proceseve të profilit të lartë. Në Kosovë, gjykimet e të dyshuarve të UÇK-së zakonisht nxorën një sërë mbështetësish, brenda dhe jashtë sallës së gjyqit, siç përjetova edhe unë personalisht.

Megjithatë, me masa të rrepta sigurie, ne kemi qenë gjithmonë në gjendje të përfundojmë gjykimet pa ndonjë incident serioz. Një mjedis i qetë në Hagë mund të jetë i dëshirueshëm, por jo i domosdoshëm. Ndoshta një shqetësim tjetër ishte numri i lirimeve nga akuzat, anulimeve dhe rigjykimeve. Ndërsa shpesh frustruese, kjo është natyra e procesit të duhur dhe do të ndodhë në gjykatën e re. Në mesin e vitit 2015, nën presion të madh ndërkombëtar, parlamenti i Kosovës, në përpjekjen e dytë, ndryshoi kushtetutën për të autorizuar krijimin e gjykatës së re. Ai më pas miratoi legjislacionin për themelimin e saj. Gjykata do të operonte brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës, ashtu si EULEX-i, por do të vendosej diku jashtë Kosovës – një univers paralel.

Pastaj filloi procesi i dhimbshëm burokratik. Nevojitej të gjendej një vend pritës me ndërtesat e përshtatshme gjyqësore; të hyjë në marrëveshje ndërkombëtare me vendin pritës; të rekrutoheshin gjyqtarë, zyrtarë ligjorë, përkthyes, staf i gjykatës, personel sigurie, ekspertë informatikë dhe të ngjashëm; të zhvillohej një program për mbrojtjen e dëshmitarëve; të hartoheshin rregullat e procedurës gjyqësore dhe provave dhe të trajtoheshin një sërë detajesh të tjera. Me fjalë të tjera, të krijohej një sistem gjyqësor krejtësisht të lirë me shpenzime të mëdha, sidomos para komponentit të drejtësisë të EULEX-it. E gjithë kjo punë zgjati edhe dy vjet të tjera dhe u deshën edhe miliona euro.

Kur gjykata më në fund u hap nëntë muaj më parë, u parashikua se Zyra e Prokurorit të Specializuar, nën drejtimin e David Schwendiman, kryeprokurori amerikane, do të ngrite menjëherë padi. Por zyra e tij ende nuk ka ngritur akuza kundër askujt, edhe pse Williamson tha se kishte prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuza në vitin 2014. Frika ime është se vonesa që nga viti 2014 ka krijuar probleme në përgatitjen e rasteve, si zhdukje të dëshmitarëve. Pastaj vetëm muajin e kaluar, Schwendiman papritur dha dorëheqjen, që bëhet efektive nga data 31 mars. Ka mundësi të ketë vonesa të tjera dhe zhvillimet e fundit nuk sugjerojnë ndryshe.

Më 15 dhe 16 mars, gjyqtarët në listën e gjykatës u takuan në një seancë plenare pasi udhëtuan nga vendet e tyre. Deklarata për shtyp e gjykatës tha se gjyqtarët «u informuan për aktivitetet e kryera nga Zyra e Regjistrimit gjatë vitit të kaluar, duke siguruar më tej zbatimin e qetë të mandatit të Dhomës së Specializuar. Në diskutimet e tyre, gjyqtarët u përqendruan në momentet përpara.» Ndërkohë që kjo është gjë e mirë, nuk u përmend në fakt se kur gjykata mund të fillojë të përmbushë mandatin e saj.

Përveç familjeve të viktimave dhe mbështetësve të tyre, gjykata është shumë e urryer në Kosovë. Vonesa e gjatë ka shtuar thjesht i ka shtuar dru zjarrit dhe ka lejuar ndjenjën e pro-UCK-së të nxehet më shumë. Në fund të dhjetorit të kaluar, Shoqata e Veteranëve të UÇK-së i paraqiti një peticion parlamentit për të shpërbërë gjykatën, me mbështetjen e shumë politikanëve drejtues, përfshirë disa që mund të paditen edhe vetë. Kjo strategji dështoi para një reagimi të ashpër nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, por mund të rilindë në çdo çast, sidomos nëse ngrihen padi kundër heronjve të njohur të luftës.

Dhe sapo të ngrihen paditë, mund të presim një rrugë të gjatë dhe të vështirë përpara. Çdo gjë është e re dhe e paprovuar në Dhomën e Specializuar, përfshirë gjyqtarët dhe personelin tjetër. Është praktikisht e sigurt se të pandehurit do të kundërshtojnë legjitimitetin e gjykatës, por legjitimiteti nuk do të ishte një problem nëse paditë do të ishin ngritur nga EULEX-i. Përgjegjësia për krimet e anëtarëve të UÇK-së dhe drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre janë qëllime të rëndësishme në të drejtën ndërkombëtare që nuk mund të harrohen nga kalimi i kohës.

Por kalimi i kohës e bën gjithnjë e më të vështirë arritjen e këtyre qëllimeve, siç po shohim. Dëshmitarët vdesin ose zhduken, dëshmitarët harrojnë, dëshmitarët kërcënohen ose vriten, anëtarë të familjes vdesin, autorët vdesin ose zhduken, personeli kryesor jep dorëheqjen, dëshmia humbet, tregimet ndryshojnë. Tashmë kanë kaluar pothuajse 10 vjet nga koha e akuzave të Carla del Pontes, më shumë se gjashtë vjet që nga raporti i Dick Martit, pothuajse katër vjet që nga raporti i Clint Williamson, dy vjet e gjysmë që kur gjykata e re u miratua nga parlamenti i Kosovës dhe nëntë muaj e në vazhdim që kur gjykata u bë plotësisht funksionale. Megjithatë, ajo qëndron aty si një gjykatë fantazmë, të paktën në aspektin e funksionit të saj thelbësor – gjykimin e rasteve. Nëse akuzat do të ishin ngritur në EULEX në vitin 2014, kur Williamson kishte prova të mjaftueshme për ta bërë këtë, ndoshta këto çështje tani do të ishin drejt përfundimit. Përkundrazi, viktimat dhe familjet e tyre vazhdojnë të presin dhe shpresojnë të vihet drejtësi.

Gjyqtari Dean B. Pineles është diplomuar në Brown University, Boston University Law School dhe Kennedy School of Government në Universitetin e Harvardit. Përveç se në Kosovë, ai ka eksperiencë në sundimin e ligjit në Rusi, Kazakistan dhe Gjeorgji. (Botuar fillimisht nga kallxo.com, BIRN)