Gjykata Europiane e Drejtësisë: Kroacia shkeli rregullat e BE-së për refugjatët

Gjykata Europiane e Drejtësisë të mërkurën vendosi se Kroacia shkeli rregulloren e Dublinit të BE-së duke lejuar emigrantët të kalonin për në Slloveni dhe Austri pa shqyrtuar më parë kërkesat e tyre për azil.

Refugjatë duke hipur në një tren në Kroacinë lindore në vitin 2015. Foto: BETA/HINA/Damir Sencar



Gjykata Europiane e Drejtësisë njoftoi të mërkurën vendimin e saj në dy raste që kanë lidhje me Slloveninë dhe Austrinë, të cilat pretendojnë se Kroacia lejoi refugjatë sirianë dhe afganë të hynin ilegalisht në territorin e tyre në 2016.

Rastet kanë të bëjnë me një refugjat sirian që hyri në Slloveni nga Kroacia dhe një çift afgan që hyri në Austri nëpërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë.

Pasi Sllovenia dhe Austria mohuan mbrojtjen ndërkombëtare për sirianin dhe çiftin afgan, ata e çuan Kroacinë në gjykatë, duke pretenduar se ajo kishte thyer të ashtuquajturën rregulloja e Dublinit e BE-së.

Kjo i detyron refugjatët të kërkojnë azil në vendin e parë të BE-së që ata arrijnë – dhe është hartuar për të mos lejuar që shtetet ngjitur me BE-në t’i kalojnë emigrantët diku tjetër.

Gjykata vendosi se, sipas rregullores së Dublinit, Kroacia ka përgjegjësi të shqyrtojë kërkesat e emigrantëve për mbrojtje ndërkombëtare. Ajo tha se Kroacia shkeli rregulloren duke i lejuar ata të kalonin Kroacinë dhe të hynin në vende të tjera të BE-së pa viza të rregullta.

Lejimi i një vendi mbërritjeje të BE-së – në këtë rast Kroacia –  t’i përcjellë emigrantët në një vend tjetër, pa shqyrtuar aplikimet e tyre, ishte «e papajtueshme me Rregulloren e Dublinit III», vendosi gjykata.

Që nga fillimi i krizës së refugjatëve në Kroaci në shtator 2015 deri në mbylljen e të ashtuquajturës «Rruga ballkanike» në mars të vitit 2016, qindra mijëra refugjatë kaluan Kroacinë, me autoritetet që i transportonin ata shpesh me trena dhe autobus në Hungari dhe Slloveni.

Gjykata citoi se pranimi i refugjatëve në një vend të BE-së «nuk duhet të ngatërrohet me vizat» dhe Kroacia s’kishte arritur t’i siguronte ato për personat e përmendur.

Për më tepër, Gjykata shpjegoi se ndërsa një vend mund të vendosë t’i lejojë refugjatët të hyjnë në territorin e tij pa kërkuar apo lëshuar dokumente të vlefshme, për arsye humanitare, një leje e tillë është e vlefshme vetëm për atë vend dhe nuk shtrihet në vende të tjera.

Gjykata theksoi më tej se transferimi i personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare nuk duhet të ndodhë nëse «ekziston një rrezik real që personi në fjalë vuan trajtim çnjerëzor ose degradues në rastin e një transferimi të tillë».

Avokati austriak Clemens Lahner i tha BBC-së se qindra azilkërkues do të prekeshin nga vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë. «Për ata që tashmë janë në Kroaci – 700 apo më shumë – për ata historia ka marrë fund. Austria s’do t’i rimarrë mbrapsht ata», u citua të ketë thënë ai.

(https://www.reporter.al/gjykata-europiane-e-drejtesise-kroacia-shkeli-rregullat-e-be-se-per-refugjatet/)