Gjykata e Qarkut në Zürich dënon me 4 mijë franga burrin shqiptar që terrorizonte gruan

Përkundër urdhrit për të ndërprerë kontaktin me gruan e tij, prej së cilës ishte ndarë, një shqiptar ka vazhduar ta terrorizojë atë – dhe është dënuar nga drejtësia zvicerane.

Ilustrimi: Shutterstock

Në verën e vitit 2014 një çift shqiptarësh nga Kosova me banim afër Zürichut ishte ndarë për shkak të konflikteve të ashpra mes vete. Me atë rast gruaja ishte larguar nga banesa e përbashkët dhe ishte vendosur në një banesë tjetër. Por nuk kishte gjetur qetësi, sepse burri i saj e përcillte pothuaj në çdo hap dhe e fotografonte fshehurazi.

Siç njoftojnë mediumet e Zürichut kosovari kishte ardhur më 23 tetor 2014 pa paralajmërim para banesës së gruas dhe e kishte fotografuar atë dy herë, duke ia dërguar pastaj fotografitë në telefonin mobil. Pastaj kishte shtyrë derën e mbyllur të banesës dhe grilat e dritares.

Ndërsa gruaja e frikësuar ishte strukur në banesë, burri i saj ishte ngjitur në ballkon, ku kishte thyer disa vazo lulesh dhe kishte hedhur në rrugë disa orendi të vendosura në ballkon. Pastaj ishte larguar. Me ndihmën e fqinjëve gruaja i kishte futur orenditë në bodrum, por pas 20 minutash burri ishte kthyer sërish te banesa, kishte hyrë në bodrum, i kishte nxjerrë sërish orenditë në rrugë dhe disa prej tyre i kishte dëmtuar.

Para gjykatës gruaja tregoi se burri i saj e përcillte vazhdimisht përkundër urdhrit të policisë për të ndërprerë çdo kontakt. Para Krishtlindjeve të vitit 2014 ai dëmtoi grilat e dritares së banesës së gruas, në korrik u përpoq të futet në banesë përmes ballkonit, por gruaja e pengoi në këtë synim duke i derdhur kafenë në fytyrë.

Konflikti mes çiftit vazhdon edhe sot dhe sillet kryesisht rreth dy fëmijë të përbashkët. Tani burri doli para Gjykatës së Qarkut në Zürich dhe u gjobit me 4 mijë franga për shkak të dëmtimit të pronës dhe prishjes së qetësisë shtëpiake. Sipas gjykatës burri shqiptar ishte i dënuar disa herë më parë edhe për delikte të tjera. (-lli)