Gjuriq: Askush s’mund ta shantazhojë Serbinë në raport me Kosovën

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në një intervistë për Tanjug, ka folur për disa çështje në lidhje me Kosovës, duke filluar nga hapja e Kapitullit 35 për integrimin e Serbisë në BE, raundin e ri të bisedimeve mes Kosovës e Serbisë, Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.




Zyrtari serb ka thënë se askush nuk mund ta shantazhojë Serbinë që të shfuqizojë institucionet e saj në veri të Kosovës dhe t’i largojë pikat kufitare.

Gjuriq i ka thënë këto duke u referuar në hapjen e diskutimeve për Kapitullin e 35-të, i cili përfshinë edhe këto çështje.

«E diskutueshme është se nëse na detyrojnë që Serbia me forcë të mbyll institucionet e veta, nga të cilat do të mbetnin pa punë mijëra serbë, të na detyrojnë që të japim pronën tonë në sistemin energjetik dhe të fillojmë të trajtojmë linjën administrative me ata si Kosovë, të cilën nuk preferojmë as ta shohim, aq më pak si kufi i një shteti sovran», ka thënë Gjuriq.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ka thënë se në këto kërkesa, Serbia nuk mund as të flas, duke shtuar se shteti i tij mund të flet për normalizim të marrëdhënieve me Prishtinën, «por askush nuk mund t’ia imponoj Serbisë zgjidhjen».

Para raundit të ri të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, Gjuriq thotë se kanë pasur një rishikim të brendshëm dhe diskutime në qeveri rezultatet e të cilave kryeministri Vuçiq do t’ia prezantojë përfaqësues së lartë të BE-së, Federica Mogherinit.

Në anën tjetër, Gjuriq nuk ka lënë pa përmendur edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë duke thënë se përfaqësuesit serbë në Parlamentin e Kosovës duhet të jenë unikë dhe mos të ketë çarje mes tyre sepse e dëmtojnë kursin e politikës shtetërore, duke iu referuar politikave të shtetit të Serbisë, transmeton Koha.net.

Kurse për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Gjuriq ka thënë se Prishtina zyrtare është duke u munduar t’i përvetësojë thesaret kulturore dhe trashëgiminë serbe.

«Ata kanë menduar se të gjitha kishat dhe manastiret, xhamitë dhe kishat katolike në Kosovë të jenë pronë e Kosovës. Kjo është diçka që nuk ka ekzistuar as në Shqipërinë e Enver Hoxhës», tha Gjuriq duke aluduar në përvetësimin e pronave publike dhe pronave tjera nga pushteti në kohën e regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri.

Aktivitetin diplomatik në kundërshtim të këtij anëtarësimi të Kosovës në UNESCO, Gjuriq ka thënë se Serbia e ka zhvilluar edhe me vendet që e kanë sponsorizuar dhe nënshkruar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, pasi, sipas tij, «Serbia ka argumente të forta se ato prona janë të saja».

Për një numër të madh të manastireve serbe në Kosovë, Gjuriq ka thënë në fund se «ka dokumentet e themelimit dhe dëshmitë për çdo ari të tokës, ku janë varrosur mbretërit serbë».