Gjurgjeviq: Mercenari i Tsiprasit punon për Thaçin

Diplomati grek, Dimitris Moschopoulos, është lobuesi kryesor i Hashim Thaçit për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), njofton e përditshmja beogradase «Blic».




Moschopoulos, në emër të Qeverisë së Kosovës, po u dërgon letra shteteve anëtare të UNESCO-s, po bisedon me politikanë dhe po i bind që të pranojnë Kosovën në këtë agjenci të specializuar të Kombeve të Bashkuara.

Dimitris Moschopoulos ka qenë shef i Zyrës së Greqisë në Kosovë, por edhe përfaqësues i BE-së për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë.

Sipas Nenad Gjurgjeviq, nga Forumi për marrëdhënie etnike, angazhimi i Moschopoulos është veprim i mençur i Prishtinës.

«Bëhet fjalë për një diplomat me përvojë dhe njohës të mirë të rrethanave në Kosovë dhe UNESCO. Ajo që Moschopoulos po bën tani për Kosovën nuk do të thotë se Greqia do të njoh Kosovën, por të bën të dyshosh se qeveria e Alexis Tsipras po e shqyrton njohjen e saj», thotë Gjurgjeviq për «Blic».

Në ndërkohë, Kosova ka shënuar suksesin e radhës në procesin drejtë anëtarësimit të saj në UNESCO, meqë dje është konfirmuar se Bordi Ekzekutiv i kësaj organizate do të votojë javën që vjen që Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s të votojë pranimin e Kosovës në fillim të nëntorit.

Në anën tjetër, kryeministri serb Aleksandar Vuçiq u ka dërguar shteteve anëtare të UNESCO-s një letër në të cilën ka theksuar se kjo kërkesë e Kosovës është ligjërisht, politikisht dhe moralisht e pabazuar. Njëherësh, ministri Ivica Daçiq ka deklaruar Serbia është në «një situatë të pafavorshme», ndërsa ambasadori i Serbisë në UNESCO, Darko Tanaskoviq, ka thënë se «nuk kemi arsye për optimizëm të madh».