Gjuha e urrejtjes në median online mbetet shqetësuese, thotë monitorimi

Një monitorim i publikuar të enjten zbuloi se përkatësia gjinore është arsyeja kryesore e diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes në median online, ku grupet e margjinalizuara i bënë thirrje medias të mos legjitimojë diskriminimin për hir të klikimeve.

Foto: Tashatuvango / Shutterstock



Rreth 21 për qind e lajmeve, opinioneve dhe analizave të publikuara në median online gjatë muajve nëntor-dhjetor 2016 përmbanin gjuhë diskriminuese dhe urrejtjeje, zbuloi një projekt pilot i monitorimit të raportimit nga mediat online në Shqipëri.

Monitorimi i përqendruar te grupet e margjinalizuara dhe respektimi i të drejtave të njeriut u krye nga redaksia «Historia Ime» dhe organizata Pro LGBT me mbështetjen e Civil Rights Defenders.

Mbi 200 artikuj janë monitoruar në katër media online Gazeta Tema, Balkanweb, Panorama dhe Syri.net të përzgjedhura bazuar te klikimet, linja editoriale dhe ndikimi në opinionin publik.

Në analizë janë marrë përmbajtja e artikujve, por edhe elementë të multimedias, si video dhe foto.

Sipas raportit në 57% të rasteve, shënjestër e artikujve me një përmbajtje denigruese ishin individët, ndërsa në 43% të rasteve gjuha e urrejtjes/diskriminuese iu drejtua grupeve shoqërore (LGBT, komunitetit rom, grave, grupeve etnike apo atyre me bindjeve politike të caktuara).

Monitoruesit megjithatë vërejtën se në shumë raste individët janë bërë objekt i këtyre artikujve për shkak të grupeve shoqërore që përfaqësojnë. Në 73% të rasteve viktima të diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes ishin gratë.

Krahasuar me monitorimin e vitit 2015, kjo përbën një rritje nga raporti 59% gra dhe 41% burra.

Përkatësia gjinore ishte shkaku kryesor i diskriminimit/gjuhës së urrejtjes në 41% të rasteve; pasuar nga etnia/raca 22%, bindjet politike në 17% dhe orientimi seksual apo identiteti gjinor në 11% të artikujve të monitoruar.

Të dhënat e monitorimit tregojnë se forma më e përhapur e shprehjes së gjuhës së urrejtjes/ diskriminuese është përmes shtrembërimit të fakteve, apelit të rremë ndaj personave, fajësimeve dhe aludimeve. Pjesa më e madhe e viktimave të kësaj forme diskriminimi kanë qenë persona të përfshirë në krime të dhunshme apo viktima të dhunës në familje.

«Ne besojmë se media nuk mund të jetë thjesht zëdhënëse e homofobisë, diskriminimit racor apo atij me bazë gjinore duke u bërë legjitimuese e tyre, por ka përgjegjësinë t’i luftojë ato duke vënë etikën përpara nevojës për klikime», tha për BIRN Kristi Pinderi drejtor i Pro LGBT.

Pinderi beson se monitorimi i medias është i nevojshëm për të tërhequr vëmendjen ndaj lidhjes së gjuhës së urrejtjes dhe dhunës që përjetojnë grupet e margjinalizuara në jetën e përditshme.

«Në punën tonë me LGBTI e kemi konfirmuar se sa herë ka shtim të dukshmërisë së çështjeve LGBTI, po aq herë ka shtim të gjuhës së urrejtjes në media. E për pasojë kjo ndikon direkt në dhunën verbale, psikologjike e fizike ndaj LGBTI», shtoi ai, duke vërejtur se i njëjti mekanizëm zinxhir ndodh edhe me grupet e tjera, sidomos me gratë dhe komunitetin rom.

Sipas monitoruesve, shumica e artikujve që përmbajnë gjuhë urrejtjeje apo diskriminuese nuk publikohen me emrin e plotë apo inicialet e autorit.

(https://www.reporter.al/gjuha-e-urrejtjes-ne-median-online-mbetet-shqetesuese-thote-monitorimi/)