Gjuha e të mësuarit

Udhëtimi i Eni Dervishit nga Shqipëria në Harvard filloi me dy fjalë të thjeshta, shkruan gazeta e Universitetit të Harvardit.

Eni Dervishi. Foto: Universiteti i Harvardit



Eni Dervishin e ka tërhequr gjithmonë gjuha. «Kur isha në kopsht», kujton ajo, «edukatorja na mësoi se si të thonim fjalët ‚karrige‘ dhe ‚tryezë‘ në anglisht. Më mahniste fakti që mund të përdorje dy fjalë të ndryshme për të njëjtin objekt».

Në qytetin e vogël ku ajo banonte në Shqipëri, mësimi i gjuhëve ishte i kufizuar. Por Eni ishte e vendosur të mësonte. Ajo dëgjoi se një nga fqinjët e saj dinte më shumë sesa disa fjalë të thjeshta në anglisht. «Shkoja dhe trokisja në derën e tij, dhe i kërkoja që të më mësonte. Më në fund gruas së tij i erdhi keq për mua», tregon Eni. Ajo më pas iu bashkua një shoqeje të saj më të madhe në moshë e cila studionte italishten, gjuhë së cilës i shtoi pak më vonë dhe frëngjishten. Udhëtoi për në Tiranë për të blerë librat. Pasuan gjermanishtja, spanjishtja, dhe pak portugalishtja të cilën e mësonte duke shikuar telenovelat. Së  fundmi, Eni pati mundësinë t’i vinte në përdorim këto gjuhë sepse qyteti i saj i lindjes, Pogradeci, i cili ndodhet në bregun e liqenit të Ohrit, u kthye në një atraksion turistik dhe ajo mundi të praktikonte gjuhët që kishte mësuar, falë vizitorëve të huaj.

Për Enin u hap një dritare. «U dashurova me gjuhët», thotë ajo. «Nëpërmjet tyre unë munda të shoh një botë tjetër. Ato zgjeruan imagjinatën time rreth asaj që ndodhte përtej».

Në të vërtetë, qe një fjali e veçantë e cila ndikoi në vendimin e saj për të ndërmarrë rrugën drejt Harvardit ku Eni ka studiuar për ekonomi. «Kur isha në klasën e katërt, një mësues përmendi që Harvardi ishte universiteti më i mirë në botë», tha ajo. «Kjo fjali mbeti në mendjen time, dhe unë nisa të ëndërroj për universitetin».

Në atë kohë, universiteti ishte një ëndërr në vetvete. Babai i Enit nuk e kishte ndjekur arsimin e lartë, kurse nëna e saj i ishte kthyer studimeve në moshë të madhe, dhe i kishte ndjekur ato me kohë të pjesshme kur Eni ishte e vogël. «Duke e parë mamanë se si menaxhonte dy punë dhe studionte në të njëjtën kohë, për më tepër duke u kujdesur edhe për familjen, ishte jashtëzakonisht motivuese», rrëfen Eni. «Nëna ime jo vetëm që më fliste për rëndësinë e arsimimit, por ajo në fakt e tregoi këtë me punën e saj».

Edhe pse kishte një frymëzim të tillë, rruga për të shkuar përpara ishte e vështirë. Shkolla e mesme e qytetit të vogël ku Eni banonte nuk kishte askënd që ta udhëzonte atë në procesin e aplikimit. «Mësuesit e mi nuk kishin shkruar më parë letra rekomandimi», thotë ajo. «Mu desh t’i mësoja unë». Kur i duhej të dërgonte dokumente zyrtare, si p.sh. vërtetimin e notave, ajo hasi një tjetër pengesë. «Mendova t’i dërgoja me faks, por në qytetin tim nuk kishte faks».

 

Këmbëngulja e saj iu shpërblye me një bursë të plotë (ajo u pranua në 14 universitete nga 15 ku kishte aplikuar). Por sfidat vazhduan. «Kalimit nga shkolla e mesme në universitet, që ishte një sfidë më vete, iu bashkua shpërngulja në një vend krejtësisht të ri», tregon ajo. Çdo gjë ishte e re për të, që nga makineritë e shitjes deri tek karta e identitetit për të hyrë në një bibliotekë. Dhe ndonëse kishte aftësi të shkëlqyera gjuhësore, disa fjalë ende nuk i dinte. Eni kujton kursin e matematikës së vitit të parë: «Dija si të shkruaja dhe të zgjidhja një ekuacion, por nuk dija të thoja «minus» ose «plus», ndaj dhe ishte veçanërisht sfiduese për mua të flisja dhe të bëja pyetje në klasë».

«Ishte një proces të mësuari», thotë Eni në një anglishte të rrjedhshme me një theks fare të lehtë. «Unë zbuloja diçka të re çdo ditë».

Edukimi që ka marrë e ka çuar tashmë Enin larg Shqipërisë dhe Kembrixhit. Ajo ka fituar disa internshipe, përfshirë atë me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit të Shqipërisë (financuar nga Qendra për Studime Europiane), dhe me Qendrën e Kërkimeve të Europës në Paris (e themeluar nga Shkolla e Biznesit në Harvard). Vitin e kaluar, pranë Parlamentit Europian në Bruksel, ajo bëri një internship me Partinë Aleanca për Demokraci Liberale në Europë, në një program të financuar nga Qendra për Studime Europiane Minda de Gunzburg. Energjitë e saj të pashtershme Eni i përdor po ashtu për të luajtur volejboll, si edhe për të bërë vrap përgjatë lumit Charles.

Eni thotë se koha që ka kaluar në Harvard «ka qenë me të vërtetë një përvojë që i ka ndryshuar jetën. Kam ëndërruar gjithmonë të udhëtoj nëpër botë, dhe Harvardi më mundësoi ta bëj këtë. Gjithashtu më mundësoi të jem në kontakt me gjëra që kanë pikëpamje nga më të ndryshmet. Kam takuar njerëz me prejardhje të llojllojshme, dhe kam mundur të mësoj nga profesorët më të mirë në botë».

Eni u përqendrua qysh në fillim që t’i kthente diçka mbrapsht botës së saj më të gjerë. Për shembull, gjatë vitit të parë, përmes Institutit të Politikës ajo u përfshi në një program që asistonte kandidatët për shtetësi amerikane. «Për mua qe vërtet një eksperiencë shumë fuqizuese, thotë Eni. Kontakti me njerëz që kishin ëndërruar gjithmonë të bëhen shtetas amerikanë, dhe t’i ndihmoja ata qoftë edhe thjesht duke i bërë të ndjehen më të sigurt për aftësitë e tyre në anglisht».

Pas diplomimit Eni do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara – të paktën tash për tash. Ajo ka nisur punë si konsulente në Boston, punë e cila shpreson do ta ndihmojë atë të zhvillojë më tej aftësitë e saj. Ajo dëshiron të vazhdojë studimet, ndoshta në shkollën e biznesit, ku synon të ndjekë një master për zhvillim ndërkombëtar.

«Unë kam përjetuar sfidat e dikujt që vjen nga një vend në zhvillim , dhe këtu kam kuptuar se Shqipëria nuk është i vetmi vend që përballet me këto sfida», thotë Eni. «Dua të jap kontributin tim për zgjidhjen e këtyre çështjeve».

Kjo përfshin edhe ndihmën për studentë të tjerë, veçanërisht ata për të cilët hyrja në universitet mund të duket e pamundur. «Asnjëherë mos hiq dorë nga ëndrrat e tua», thotë Eni, në gjuhën që e ka sjellë atë deri këtu. «Kurrë mos i lejo rrethanat që të përcaktojnë se kush je».