Gjuha e përbashkët përçan popujt e Ballkanit

Një grup intelektualësh në Ballkan kanë marrë një nismë për ruajtjen e gjuhës së përbashkët, që dikur quhej serbokroate. Ata s’duan të imponojnë një gjuhë të re apo të kontestojnë identitetet linguistike, por protestojnë kundër absurdeve gjuhësore, siç janë mesazhet e njëjta në tri gjuhë në Bosnjë – ose kërkesat e disa boshnjakëve në Sanxhak që para gjyqit të kenë përkthyes, sepse gjoja nuk e marrin vesh serbishten. Një raport i agjencisë AFP.

Foto: Shutterstock



Duhanpirësit paralajmërohen në Bosnjë tri herë në pakot e cigareve se «Pušenje ubija» («Duhani vret»), por kjo nuk është përpjekje për ta përçuar mesazhin për rëndësinë e shëndetit.

Mesazhi është shkruar në pako në tri gjuhët zyrtare të Bosnjës: boshnjakisht, serbisht dhe kroatisht, megjithëse e njëjta fjali është shkruar në tri raste, por me alfabete të ndryshme të njohur mirë nga banorët lokalë. Por shumëkush konsideron se mesazhi në tri gjuhë është punë artificiale dhe se përdoret për nxitje nacionalizmi. Një grup intelektualësh nga Bosnja, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia kanë nxjerrë në fund të marsit një deklaratë nëpërmjet së cilës pretendojnë se një «gjuhë e përbashkët» flitet në katër ish-republikat jugosllave.

«Kjo është e qartë si puna e dritës së diellit», ka deklaruar Fexha Isoviq, dramaturg boshnjak, i cili drejton një rrjet rajonal, ku thotë se më shumë se 300 aktorë nga Ballkani «të gjithë flasin gjuhën e tyre amtare» pa asnjë vështirësi pavarësisht dialekteve të tyre të larmishme.

«Vetëm hordhitë nacionaliste-linguistike mendojnë ndryshe», ka deklaruar ai për AFP-në. Prej Zagrebit deri në Podgoricë, Sarajevë e Beograd, rreth pesëmbëdhjetë milionë njerëz flasin gjuhën që ishte standardizuar në shekujt nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë, dhe që ishte njohur përgjithësisht si serbo-kroate gjatë kohës së Jugosllavisë komuniste, shkruar me alfabet latin ose cirilik.

Por pas prishjes së përgjakshme të Federatës Jugosllave në vitet nëntëdhjetë, elitat nacionaliste u munduan të mbushnin boshllëkun gjuhësor në radhët e shteteve të porsaformuara. Kroacia futi fjalë të reja, si «zračna luka» në vend të «aerodrom» për aeroportin, derisa zëdhënësi tani njihet si «glasogovernik» (apo «altoparlant» në vend të «portparolit»). Mali i Zi pas e shpalli pavarësinë prej Serbisë më 2006, krijoi dy shkronja të reja në alfabetin malazez.

Në Bosnjën e varfër, ende të ndarë mbi linja etnike edhe më shumë se njëzetë vite pas përfundimit të luftës që la mbi 100 mijë persona të vrarë, autoritetet nxjerrin dokumente në tri gjuhë, shpesh në versione identike – një kosto alamet e lartë për një vend me 3,5 milionë banorë. Njëherësh, në rajonin jugperëndimor të Serbisë, Sanxhak, një gjykatë lokale është detyruar të punësojë përkthyes boshnjakë më 2015 për shkak se të akuzuarit pretendonin se nuk e kuptonin serbishten.

Por nuk është se kanë pasur sukses të gjitha përpjekjet për ndryshimin e gjuhës – përpjekja kroate për ta zëvendësuar «televizija», fjalë për televizorin, me «dalekovidnica» (vizion i largët), ka dështuar ngaherë. Përpjekjet për përkthimin me titra të filmave serbë në Kroaci gjithashtu u lanë në gjysmë pasi shumëkush kritikoi dhe përqeshi. Autorët e deklaratës së re, e cila është nxjerrë në Sarajevë, kanë thënë se janë nxitur prej «manipulimeve politike» të gjuhës.

Manifesti bën thirrje t’i jepet fund puritanizmit gjuhësor dhe pasojave të tij, si segregacioni i nxënësve në baza etnike, sidomos në Bosnjë, me pretekstin se nuk e flasin të njëjtën gjuhë. Derisa akronimet BCS ose BCMS nganjëherë përdoren në aspektin administrativ për të përshkruar gjuhën rajonale, duke përdorur inicialet e shteteve, deklarata nuk propozon emër për gjuhën e përbashkët, duke ia lënë në dorë secilit folës. Sipas shkrimtares kroate, Slavenka Drakuliq, që jeton në Kroaci dhe Suedi, njerëzit nga rajoni që jetojnë jashtë vendit, shpesh i referohen thjesht si «naš jezik» (gjuha jonë).

«Vdiq» bashkë me Jugosllavinë

Deklarata ka nxitur debat të zjarrtë dhe kritika anembanë Ballkanit, ku tensionet politike janë ngritur muajve të fundit dhe nuk është se të gjithë i marrin me entuziazëm këto ngjashmëri gjuhësore. «Ajo gjuhë e përbashkët ishte projekt politik që vdiq bashkë me ish-Jugosllavinë», ka deklaruar presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq. Por satiriku dhe shkrimtari kroat, Ante Tomiq, ka vërejtur se presidentja nuk kishte pothuajse fare vështirësi të komunikonte në këtë gjuhë me politikanët rajonalë.

Megjithëse koncepti për gjuhë të përbashkët duket se po pranohet më mirë në Serbi. Milosh Kovaçiq, nga Shoqata Letrare Serbe, ka argumentuar se ndonëse nuk i është vënë emri, «krejt e dinë se ajo është gjuha serbe». Snjezhana Kordiq, linguiste kroate dhe nismëtare e deklaratës, e ka përshkruar gjuhën si «shembull tipik të një gjuhe standarde policentrike, e folur për shumë popujve, me ndryshime në vete prej të cilave mund ta njihni folësin se prej nga është». Ajo e ka krahasuar me variante të frëngjishtes, anglishtes ose gjermanishtes.

Megjithëse deklarata ka marrë përkrahje të më shumë se tetë mijë personave deri tani, kritikët i kanë etiketuar si tradhtarë të shteteve të tyre. Shkrimtari kroat, Davor Velniq, i ka përshkruar nënshkruesit e deklaratës si «jugo-intelektualë» dhe «parazitë», të cilët «kurrë nuk e pranuan faktin se ka një shtet sovran kroat të pranuar ndërkombëtarisht». (AFP)