Gjuha e buxhetit dhe shqiptarët e Maqedonisë

Shqipja duhet të jetë gjuhë e barabartë në Maqedoni, por shqiptarët nuk duhet të bien pre e dalldive patriotike. Aq sa flasin për gjuhën duhet të flasin edhe për ndarjen e buxhetit, për investime në infrastrukturë në komunat shqiptare dhe për përgatitje të kuadrove.



Të flasësh frëngjisht në Zvicër – e vetëkuptueshme. 22,8 për qind e banorëve të Konfederatës Helvetike e kanë gjuhë amtare frëngjishten. Rrjedhimisht, gjuha frënge është gjuhë zyrtare. Çfarë domethënë kjo? Kushtetuta e Zvicrës njeh katër gjuhë zyrtare: gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe retoromanisht. Prej 8,4 milionë banorëve të Zvicrës vetëm 0,6 për qind janë retoromanë. Gjuha e tyre është vetëm atëherë zyrtare në nivel të konfederatës, kur përdoret në komunikim me persona që flasin retoromanisht. Këta qytetarë kanë të drejtë t’i drejtohen administratës qendrore në gjuhën e tyre dhe në gjuhën e tyre të marrin përgjigje. Gjuhët e tjera – gjermanisht, frëngjisht dhe italisht – janë gjuhë zyrtare të Zvicrës.

Si qëndron puna në Maqedoni? Një e katërta apo e treta e dy milionë banorëve të Maqedonisë janë shqiptarë. Ndërsa Kushtetuta e Zvicrës i përmend katër gjuhë si gjuhë zyrtare, Kushtetuta e Maqedonisë është një arenë e gjimnastikës gjuhësore: për të mos përmendur shqipen thuhet se në ato vendbanime ku një grup etnik përbën më shumë se 20 për qind të banorëve, gjuha e tij konsiderohet zyrtare. Që i bie: në komunat me shumicë shqiptare gjuha shqipe është zyrtare. Deputetëve shqiptarë nuk u pritet koka nëse flasin gjuhën amtare në parlamentin e Maqedonisë, por evidente është se shqipja në nivelin qendror të pushtetit në Maqedoni është gjuhë e padëshiruar.

Rrjedhimisht, është e kuptueshme që partitë shqiptare në Maqedoni këmbëngulin që gjuha shqipe të jetë e barabartë, e pranueshme dhe e respektuar. Maqedonasit sllavë kanë shans ta ruajnë shtetin e tyre vetëm bashkë me shqiptarët, duke i trajtuar ata si qytetarë të barabartë. Prej të gjithë fqinjëve vetëm shqiptarët nuk kontestojnë identitetin e maqedonasve sllavë: bullgarët (ndonëse jo zyrtarisht) mohojnë ekzistimin e një gjuhe maqedonase, grekët kontestojnë emrin e shtetit «Republika e Maqedonisë», kisha serbe nuk e pranon kishën ortodokse maqedonase.

Përbuzja që politikanët e Shkupit i bëjnë gjuhës shqipe është anakronizëm. Por, debati për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni nuk bën të kufizohet vetëm te çështja e gjuhës. Shqipja duhet të jetë gjuhë zyrtare, por kjo nuk domethënë që dokumentet e lëshuara në Gjevgjeli, ku s’jeton gati asnjë shqiptar, të shkruhen në maqedonisht dhe shqip. Fundja, as kantoni i Zürichut nuk lëshon vendime edhe në gjuhën frënge dhe italiane krahas gjermanishtes.

Krahas gjuhës shqipe partitë politike shqiptare në Tetovë, Shkup e Strugë duhet të flasin për gjuhën e buxhetit. Debati për gjuhën shqipe përmban edhe elemente populliste – për këtë flet edhe postimi i fundit i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Injeksioni i tij patriotik nuk duhet të largojë vëmendjen nga gjuha e buxhetit, e cila i diskriminon shqiptarët. Andaj debati duhet të orientohet në këtë drejtim: përse nuk ka investime të shtetit në vendbanimet shqiptare, përse infrastruktura në komunat dhe fshatrat shqiptare është kryesisht jofunksionale dhe në nivel të vendeve të botës së tretë, përse nuk investohet në arsim, përse nuk ka çerdhe për fëmijë, kanalizim dhe furnizim me ujë, përse nuk ka fusha sportive, përse? Para se të hyjnë në qeveri me cilëndo parti maqedonase partitë shqiptare duhet ta kenë të qartë çfarë duan. Nuk mjafton vetëm përsëritja si papagall e kërkesës që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare.

Si në viset e tjera shqiptare dhe në Maqedoni vërehet një mungesë kronike e kuadrove cilësorë. Shtypja e gjatë nga pushteti maqedonas dhe ndalimi i shkollimit të nivelit të lartë kanë lënë pasoja të mëdha. Por, gati po aq pasoja ka lënë edhe seleksionimi negativ i kuadrove nga partitë shqiptare që kanë qenë në pushtet. Nëse kjo qasje nuk ndryshon urgjentisht, nuk do të ketë asnjë zhvillim pozitiv, madje edhe nëse kryeministër në Shkup bëhet një shqiptar.

Sa i përket krijimit të qeverisë së re në Maqedoni, pala shqiptare nuk duhet të ketë asnjë dilemë: ajo duhet të jetë përkrah bashkësisë perëndimore ndërkombëtare. BE ka kritikuar presidentin maqedonas për mosdhënie të mandatit Zoran Zaevit për krijim të qeverisë së re, SHBA-të kanë argumentuar në linjë të njëjtë, po ashtu edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Duket se Brukseli dhe Washingtoni kanë një qëndrim: Gruevski dhe kamarilla e tij duhet të shkojnë në opozitë dhe, po qe sa ka fakte, edhe në burg. Në viset shqiptare kishte politikanë që mbështetën Gruevskin. Njëri ndër ta ishte Ilir Meta me mediat e tij. Kështu u konfirmua ajo teza e përhershme se çdo oligark ballkanik mbron oligarkun tjetër. Në çdo vend me sistem funksional të drejtësisë Gruevski do të ishte në burg për shkak të përgjimit të 20 mijë qytetarëve dhe dyshimeve për inskenim të incidenteve ndëretnike në Maqedoni. Shqiptarët duhet të ndihmojnë që Maqedonia të bëhet shtet funksional. Është në të mirën e tyre.