«Gjuetari i migrantëve» arrestohet pas protestës anti-rome

Një protestë masive anti-rome në Bullgari përfundoi të dielën me arrestimin e tre huliganëve, përfshirë famëkeqin gjuetar të migrantëve, Petar Nizamov.

Petar Nizamov pas seancës së tij në Malko Tarnovo më 15 prill. | Foto: BIRN



Mijëra bullgarë nga pjesë të ndryshme të vendit, përfshirë rrokerë dhe huliganë futbolli, u bashkuan të dielën në mbrëmje në një tubim masiv anti-rom në Asenovgrad.

Tubimi erdhi pas një lufte mes grupeve të hënën e kaluar midis vendasve me origjinë rome dhe të rinjve të ekipit vendas të kajakëve. Nëntë romë të dyshuar se kanë sulmuar ekipin sportiv po presin gjyqin nga qelia.

Protesta e së dielës, e pesta radhazi, u përshkallëzua pasi protestuesit fanatikë u përpoqën të prishnin bllokadën e policisë që ruante lagjen rome nga turma e zemëruar.

Megjithatë, qindra policët që mbikëqyrnin tubimin, i penguan përplasjet serioze.

Tre persona janë arrestuar për huliganizëm, tha të hënën zëdhënësi rajonal i policisë Atanas Ilkov.

Njëri prej tyre është Petar Nizamov «Perata», i cili mori famë të keqe ndërkombëtarisht pasi u shfaq në një video të «një arrestimi qytetar» të tre migrantëve afganë prillin e kaluar.

Nizamov u arrestua të hënën në qytetin Burgas, pasi sulmoi një kameraman nga televizioni BTV, gjatë përleshjeve me policinë në rrugët e Asenovgradit pranë lagjes së komunitetit rom.

Gazetari, Petar Dzhanavarov, dyshohet se është goditur, pështyrë dhe kërcënuar nga Nizamov.

Nizamov ka tashmë tre dënime gjykate, asnjë prej të cilave nuk e ka çuar në burgosjen e tij.

Pas «arrestimit qytetar» të paligjshëm të tre afganëve në 2016 ai përballej me gjashtë vite burg për kufizim ilegal të lirisë.

Megjithatë, një gjykatë në Burga e liroi atë nga të gjitha akuzat në 2017 për shkak të mungesës së provave ndaj tij.

Ndër kërkesat kryesore të protestuesve në Asenovgrad janë rritja e pranisë së policisë për të garantuar rendin publik në qytet, integrimin më të mirë të komunitetit rom dhe shembjen e shtëpive të ndërtuara ilegalisht në lagjen rome.

Tensionet midis romëve dhe bullgarëve etnikë kanë shpërthyer disa herë në Bullgari në vitet e fundit, zakonisht në lidhje me krimin.

Përleshjet më të këqija u zhvilluan në vitin 2011, kur pati protesta anti-rome në të gjithë vendin pas vdekjes së dy të rinjve bullgarë.

Në vitin 2015, protestuesit rrethuan lagjet e romëve në fshatin jugor të Garmenit, si dhe në lagjen Sofa’s Orlandovtsi, por policia pengoi dhunën.

(https://www.reporter.al/gjuetari-i-migranteve-arrestohet-pas-protestes-anti-rome/)