Gjorgje Ivanovi e mprehu shpatën

Bota e përparuar i refuzon truqet e presidentit maqedonas. Gruevski dhe Ivanovi si heronj komikë po luftojnë kundër erës së re që fryn në botë dhe në vend. Ata po rrëzohen aty ku u ngritën: në raport me shqiptarët. Ky është një mësim që vlen edhe për Zaevin.




Gjorgje Ivanov nuk dorëzohet. Presidenti maqedonas prej javësh e ka bllokuar funksionimin e institucioneve të vendit me refuzimin për t’ia dhënë mandatin e qeverisë Zoran Zaevit. Me pretekstin se ky e afirmuaka një program të Shqipërisë dhe po e rrezikuaka unitetin e Maqedonisë. Pardje i vizitoi forcat e armatosura dhe u kapërdis se ai, ajo, apo… janë të gatshëm… Dhe, kujt i kërtilet Ivanov? Shqipërisë, që është anëtare e NATO-s, apo shqiptarëve në Maqedoni, që janë qytetarë të saj?

Ivanov nuk ndihet i vetmuar. E thotë edhe Unioni Evropian: Rusia i ka futur duart në Ballkan. Ajo ka dalë hapur në mbrojtje të Ivanovit dhe tutorit të tij, Nikola Gruevski. Vëllai i madh! Dhe, ata e shijojnë këtë përkrahje, ajo u jep zemër. Gruevski dhe Ivanovi po e braktisin prejardhjen e maqedonasve nga Leka i Madh dhe po kthehen në origjinë. Gjithsesi më kundërthënës është konflikti me Greqinë, vendin dhe civilizimin të cilin Leka i Madh e ka përfaqësuar me ekspeditat e tij historike.

Ivanov dhe Gruevski janë ngritur kundër gjithë botës së përparuar. Ata janë shndërruar në heronj komikë të Maqedonisë. Atyre nuk u beson as Unioni Evropian, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët, jo se jo. Por, si duket, as maqedonasit vetë. Mashtrimet e tyre kanë shpërthyer si vullkan. I kanë dëgjuar njerëzit në ligjëratë të drejtë. Thjesht, i ka shkelur koha. Ata janë kundër erës së re që po fryn në botë dhe në vend. Ata janë shtruar në një betejë të dëshpëruar me frymën evropiane.

Ivanov dhe Gruevski u hakërrehen shqiptarëve. Si gjithmonë. Me thirrjet e fundit po i kthehen armikut kujdestar, fillestar dhe përfundimtar. Kjo është trajektorja e çdo shkelësi. Po ngufaten në urrejtjen ndaj shqiptarëve. E gjithë karriera e tyre politike është ngritur mbi shkeljen e tyre. Me aksione policore, me dhunë, me diskriminim. Nuk ka ndonjë performancë tjetër politike dhe ekonomike për të thënë. Përveç shkeljeve të tjera të nxjerra nga përgjimet: manipulimi i zgjedhjeve dhe zhvatjet.

Historia, thonë, nuk përsëritet. Pos si farsë. Kështu ka ndodhur në ish-Jugosllavi. S’do mend që shkaku i ngritjes mund të bëhet edhe shkak i rrëzimit. Një mësim universal? Dalldia e Gruevski&Co e ka detyruar edhe Zoran Zaevin të shpjegohet. Ai i ka mohuar disa të drejta që përfliten si të dakorduara. Disa medie shqiptare këtë e shohin si tradhti, disa të tjera si konfirmim për shqiptarët. Ndërkohë ka reaguar edhe partia e Ali Ahmetit. Si duket, Zaev e ka shkelur pak. Sikur luajti nga fjala për publikimin e bisedave të Mostrës.

Si do që të zhvillohen ngjarjet në Maqedoni, Zaev do të ketë rast ta dëshmojë njëmendësinë e tij demokratike. Premtimet e tij për respektimin e shqiptarëve. Nëse do ta ketë me hile, atëherë mund të mendohet se pa ndonjë vonesë të madhe do të futemi në ndonjë dimension tjetër të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase. Atëherë mbase nuk do të mjaftojë më që kartëmonedhat e Maqedonisë të shkruhen edhe në shqip. As nuk do të duhet që policia të identifikohet me shqiptarët.

Shqipja në uniformat e ushtrisë dhe të policisë do të thoshte se këto dy institucione të shtetit, më të urryerat e shqiptarëve, sado formalisht, po u afrohen atyre. Kartëmonedhat, gjithashtu. Kjo monedhë, vlerën e saj, sado modeste, e ka edhe falë shqiptarëve. Ata kontribuojnë në mirëqenien ekonomike të shoqërisë, bëjnë qarkullim me aktivitetin e tyre afarist, që është më i spikatur se ai i maqedonasve, sikur edhe me remitancat e mërgimtarëve. Fundja: kushtetuta nuk është më e shenjtë se qytetarët.