Gjobitet myslimani më i mërzitshëm i Zvicrës

Boshnjaku Emir Tahiroviq është shndërruar në figurë të urryer në Zvicër, sepse nuk ka lejuar vajzën e tij të marrë pjesë në lëndën e notit në shkollë dhe ia ka ndalur djalit të këndojë në kor. Myslimani i «devotshëm» Tahiroviq jeton nga ndihmat sociale.

Emir Tahiroviq e mban veten për «mysliman të devotshëm» dhe me gjasë mendon se të tillë atë e bën mjekra. Foto: SRF

Emir Tahiroviq është 40-vjeçar, por është i papunë. Para gjyqit ai tha se ka konkurruar në disa firma për t’u punësuar, por është refuzuar. Tahiroviq deri më tani nga enti social ka marrë 300 mijë franga – një shumë marramendëse e vjelë nga taksat e qytetarëve. Tahiroviq e mban veten për «mysliman të devotshëm» dhe me gjasë mendon se të tillë atë e bën mjekra. Ai thotë se për shkak të mjekrës nuk po e marrin në punë. Por i pëlqen të jetojë në Zvicër dhe të marrë para nga enti social, ndërkohë që në shtëpi ka kohë të lexojë Kuranin.

Por para gjyqit Emir Tahiroviq nuk doli për shkak se e lexon Kuranin, edhe në Zvicër është e garantuar liria e besimit. Tahiroviq doli para gjyqit për shkak ia ka ndaluar vajzës së tij të marrë pjesë në lëndën e notit në shkollë. Djalit të tij i ka thënë se nuk guxon të këndojë, sepse një gjë e tillë na qenkësh e ndaluar për myslimanët. Tahiroviq ka thënë se i pengon edhe shkronja «t», sepse ia kujton kryqin.

Një gjykatë zvicerane e ka dënuar Tahiroviqin të mërkurën me gjobë, jo me burg. Ai duhet të paguajë një gjobë prej 4000 franga. Gjykatësi e shpalli boshnjakun me banim në Zvicër fajtor për shkeljes së obligimit për edukim, shkelje të ligjit për arsim dhe padëgjueshmëri ndaj vendimeve të autoriteteve.

I pyetur se përse ia ndalonte vajzës së tij pjesëmarrjen në not, ai tha: «Do të isha i pafe nëse do të lejoja një gjë të tillë». Prokurorja e rastit deklaroi se edhe nga të huajt duhet të pritet t’i respektojnë ligje e Zvicrës. Një apel i tillë nuk i ka bërë përshtypje Tahiroviqit. Ai ka thënë se do të vazhdojë të luftojë «për të drejtat» e tij. Në mediumet zvicerane Tahiroviq quhet «Mühsam-Muslim»: myslimani i mërzitshëm. (-lli)