Gjithçka gati për «Takimet e Gjeçovit 2015»

Në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, ditën e shtunë, më 10 tetor 2015, duke filluar nga ora 11, mbahet edicioni i 44-të i manifestimit letrar, kulturor e shkencor «Takimet e Gjeçovit 2015».




Manifestimin e organizon Shoqata e Shkrimtarëve «Shtjefën Gjeçovi» e Zymit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe të Drejtoratit të Kulturës të komunës së Prizrenit.

Si zakonisht manifestimi përbëhet prej dy pjesëve qendrore: Tribuna që sivjet i kushtohet «Vendit të Kosovës në UNESCO». Për këtë çështje do të mbahen katër kumtesa nga kuadrot më përgjegjëse të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë dhe të UNESCO-s.

Në vazhdim do të hapen dy ekspozita: Njëra në temën «Fotografia familjare» e studentëve të etnografisë të Universitetit publik «Hasan Prishtina» të Prishtinës, dhe ekspozita tjetër do të jetë e artistit dhe skulptorit Llesh Biba, nga Tirana, ku do të ekspozohen punime – drugdhendje me motive të ndryshme.

Ndërkaq, pjesa e dytë do të jetë «Ora letrare Anton Pashku», në kuadër të së cilës së pari shënohet përvjetori i Pjetër Bogdanit (flet Prend Buzhala), e pastaj 15 poetë nga viset etnike shqiptare dhe diaspora do t’i deklamojnë poezitë e tyre.

Në kuadër të manifestimit letrar, kulturor e shkencor «Takime e Gjeçovit 2015», sikurse edhe vjetëve të mëparshme, jepen edhe çmimet: «PLAKETA PJEËR BOGDANI», «PLAKETA SHTJEFËN GJEÇOVI» dhe «PLAKETA ANTON PASHKU», si dhe çmimi kryesor «UNAZA E KATIT» (Katarina Josipi).

Do përmendur se në kuadër të këtij evenimenti kulturor pritet që të përurohet edhe rruga Zym-Shëngjergj-Mulliri me Erë, asfaltimin e të cilës e kreu ditë më parë komuna e Prizrenit.

Në fund, para të pranishmëve do të shfaqet një program i begatë kulturo-artistik Ansambli etno-kulturor «Katarina Josipi» e Zymit.