Gjithandej Skënderbeu

Ai është luftëtar dhe shenjtor njëkohësisht – një kult. Në kulturën e arbëreshëve të Italisë, ai është gjithandej i pranishëm. Si piktura, si buste apo disqe argjile, si emërtabelë, a hotel, në tregime dhe në këngë, Skënderbeu është gjithkund. Një shëtitje në fshatrat Civita dhe Frascineto, të cilët janë themeluar para 500 vjetëve nga arbëreshët.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu para më shumë se 500 vjetëve ka luftuar kundër turqve në rajonin e Shqipërisë së sotme. Në këtë kohë mijëra njerëz, nga shkaku i luftërave dhe mjerimit u arratisën nga këto vise dhe e kaluan detin për në Itali. Trevat e braktisura të Italisë jugore nga lufta, mortaja dhe tërmeti gjithnjë e më shumë u populluan nga arbëreshët, të cilët këtë e morën në kujtim të vendlindjes që u detyruan ta linin. Ata u vendosën në Apuli, Kalabri, në Basilikata dhe në Sicili, për t’u bërë atje pjesë e popullsisë italiane. Por, ata nuk e harruan kurrë prejardhjen e tyre. Me këngë dhe festa, me simbole dhe histori e ruajtën me shekuj lidhjen me Mëmëdheun. Vetëm në Kalabri janë 32 fshatra me shqiptarë, të cilët që nga mërgimi i tyre e kanë ruajtur gjuhën dhe kulturën e arbëreshëve.

Një funksion të rëndësishëm në kulturën e kujtesës së tyre e luan heroi kombëtar shqiptar Skënderbeu, i cili i pathyer nga lufta kundër osmanëve vdiq në vitin 1468. Në të gjithë këto fshatra gjenden rrugë dhe sheshe, të cilat e kanë marrë emrin e tij. Sikurse në Civita.

Civita – çifti – fole shqiponjash

Një fshat, emri shqiptar i të cilit është Çifti dhe domethënia e të cilit tregon prejardhjen e tij shqiptare. Emri italian i fshatit është Civita, rrjedh nga fjala shqipe çift dhe ka kuptimin e folesë së shqiponjës, përkatësisht çerdhja e shqiponjës. Fshati shtrihet përafërsisht 250 kilometra në jug të Napolit dhe 75 kilometra në veri të kryeqytetit të krahinës Cosenza.

Menjëherë rrugës për në sheshin e Civitas përballesh me bustin e Skënderbeut, i cili duke qenë i vendosur në qendër nuk mund të mos e shohësh. Vetëm pak hapa më larg, një tablo fasade e tregon atë në një skenë beteje në luftë kundër osmanëve.

«Le Vallje»

Vizatimi me ngjyra të hapura menjëherë ngjitur me të i jep Civitas një shkëlqim edhe në mot të vranët. Ajo e shfaq festën tradicionale popullore «Le Vallje», e cila mbahet të enjten e çdo viti pas fetave të Pashkëve për nder të Skënderbeut.

Menjëherë në sheshin qendror, ku zhvillohet festa, gjendet Museu Etnik Arbëresh. Dhe, gjersa gjendesh në Museo Etnico duke e studiuar prejardhjen e Gjergj Kastriotit… mund të ndodhë që ia pret rrugën një Skënderbeu të gjallë. Për shembull, Giorgio Maria Castriota Scanderbegut dhe birit të tij Alessandro të brezit të tridhjetë.

Imazhe – buste – flamuj

Në zonën e hyrjes së Museo Etnico, raftet janë të stolisura nga një pllakë argjile me Skënderbeun dhe një bust ndërmjet dy flamujve tavoline të Shqipërisë dhe të Kosovës. Rrugës për në katin më sipër kalon bri një tabloje gjigante, e cila edhe një herë e paraqet Skënderbeun me vija dhe ngjyra të buta në mënyrë heroike.

Në katin e dytë të muzeut vazhdon me tablonë e radhës në pragun e dritares, të cilën nuk mund të mos e vëresh. Dy piktura të tjera në dhomën përbri e paraqesin Skënderbeun në një pozë madhështore para disa simboleve kombëtare shqiptare: një shqiponjë dhe flamuri shqiptar. Në mesin e tyre, luftëtarit i qëndron në krah nobelistja e paqes me prejardhje shqiptare, Nëna Terezë.

Lady Liberty me luftëtarin

Vetëm pak kilometra nga Civita shtrihet fshati gjithashtu i themeluar prej arbëreshëve, Frascineto. Atje gjendet biblioteka e albanologut Padër Antonio Belushi. Në paradhomën e bibliotekës, busti i Skënderbeu qëndron pranë atij të Lady Liberty.

Padër Antonie Belushi rrëfen për marrëdhëniet me emigrantët shqiptarë në Amerikën Veriore nga fillimi i shekullit XX. Federata Panshqiptare Vatra, e themeluar më 1912, e ka bashkuar një numër të madh organizatash shqiptare në SHBA për t’i përfaqësuar atje interesat e emigrantëve shqiptarë. Përfaqësuesit e Vatrës e kishin gjithashtu një ndikim të madh në formimin e shtetit shqiptar.

Museo del Costume Albanese

Muzeu i Kostumeve Shqiptare në Frascineto e mbledh trashëgiminë historike dhe estetike të kostumeve të komuniteteve shqiptare të Italisë Jugore. Artefakte magjepsëse mbretërore, si kostume origjinale nga shekulli XIX, ekspozohen përbri kostumeve në miniaturë, të cilat i veshin kukullat.

Dhe, në mes tyre: Skënderbeu.

IMG_2039Lindaklein