Gjilani shënon ditën e rivarrimit të dëshmorëve të UÇK-së

Në varrezat e dëshmorëve në Gjilan, për nderë të shënimit të Ditës së Rivarrimit të Dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga kjo zonë, ku ishin prezent udhëheqësit e institucioneve më të larta nga niveli lokal dhe ai qendror.




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili shoqërohej edhe nga disa deputetë të kësaj legjislature, ka thënë se Kosova është një vend i cili ka dhënë shumë qytetarë të saj për lirinë e vendit, është derdhur shumë gjak dhe ishte vetëm një qëllim, luftë deri në lirinë e vendit.

«Sot është dita e rivarrimit të dëshmorëve të Zonës Operative të Karadakut. Çdo përvjetor ne përulemi para dëshmorëve të cilët dhanë gjithçka që Kosova të gëzojë sot lirinë, me besimin e madh që amanetin e tyre ta çojmë deri në fund. Familjarët e dëshmorëve duhet të jenë krenarë për bijtë e bijat e tyre që janë flijuar, në të njëjtën kohë bashkëluftëtarët e tyre, që ta vazhdojnë rrugën dhe amanetin e tyre dhe gjithë qytetarëve Kosovës, që ti vlerësojnë edhe më shumë, vlerat të cilat janë më sublime në vendin tonë», tha në fjalën e tij kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli.

Me këtë rast nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, ka thënë se ajo që bënë dëshmorët është një vepër e shenjtë e cila mund të bëhet vetëm në mbrojtje dhe garantim të lirisë së truallit ku të gjithë ne jemi të lindur.

«Heronjtë, dëshmorët dhe martirët e Gjilanit u sakrifikuan për sjellë lirinë e popullit dhe mbrojtjen e vendit. Ata këtë vepër të shenjtë e bënë, jo për të sulmuar dikë, por për të garantuar lirinë e brezave që do të vinë edhe pas nesh. Vargu i shqiptarëve të rënë në luftën për liri, është shumë i gjatë dhe i vazhdueshëm deri në kulmim të organizimit ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjaku i derdhur për liri, na obligon të gjithëve që të punojmë më shumë dhe më me ngulm në jetësimin e amanetit të tyre, ndërtimin, zhvillimin dhe përparimin e vendit», tha ndër të tjerash në fjalën e tij nënkryetari Rexhep Kadriu.

Kurse ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka thënë se kjo ditë është shumë e madhe për Gjilanin, është ditë e dhimbjes, e mburrjes, e krenarisë por edhe ditë e kujtimit të veprës për ata të cilët sot nuk janë në mesin tonë.