Gjilani merr mbështetjen e Francës për përfshirje në rrjetin e qyteteve historike të Evropës

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, të mërkurën është takuar me Ambasadoren e Francës në Kosovë, Maryse Daviet, të cilën e ka informuar për zhvillimet e përgjithshme në Gjilan, duke marrë mbështetjen dhe përkrahjen e fuqishme të saj, për përfshirjen e Gjilanit në rrjetin e qyteteve historike të Evropës.




Me këtë rast, Haziri ka thënë se ambasadores Daviet i ka dhënë informacionet e përgjithshme për Gjilanin, zhvillimet dhe punët që janë duke u bërë në shumë fusha, nga e cila ka marrë edhe mbështetje për Gjilanin si Qytet Historik.

«Sot takova ambasadoren e Francës në Kosovë, të cilën e kam informuar për Gjilanin në përgjithësi, për zhvillimet e ndryshme që kanë ndodhur e po ndodhin, për aspektet e pasura historike që ka Komuna jonë, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme që janë vlera krenarie e Gjilanit. Nga ky takim kam marrë mbështetjen e fuqishme të autoritetit të ambasadores, për përfshirjen e qytetit Gjilanit në rrjetin e gjerë të qyteteve historike të Evropës. Kemi me çka të prezantohemi në këtë rrjet, duke nisur nga monumentet dhe elemente të ndryshme e të shumta historike, kulturore, fetare, etj, që si Komunë me rëndësi strategjike për pozitën gjeografike që ka, është interesante dhe me karakteristika që ofrojmë, do të jemi qytet tërheqës me një vëmendje të veçantë në këtë rrjet të qyteteve historike», tha për këtë takim kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.