Gjilani fillon projektin «puna në distancë»




Sali Hasani, procesmbajtës në sekretarinë e Kuvendit Komunal të Gjilanit, që nga sot do të punojë në shtëpinë e tij, falë projektit të Komunës së Gjilanit për punën në distancë të emërtuar «Prej Shpije».

 

Ky është projekti i parë i kësaj natyre në nivel vendi dhe rajon, e zyrtari Sali Hasani thotë se ndjehet i privilegjuar, njofton kumtesa komunale.

«Unë ndjehem si zyrtari më i privilegjuar i Gjilanit sepse po e filloj ta zbatoj një projekt të ri, atë të punës në distancë. Që nga sot, një zyre e shtëpisë sime është zyre e Kuvendit Komunal dhe të gjitha përgjegjësitë e mia do t’i kryej me përgjegjësi, elan dhe vullnet shumë të madh», ka thënë Hasani në ceremoninë e hapjes së zyrës në shtëpinë e tij, në të cilën ka marrë pjesë edhe kryetari Lutfi Haziri dhe drejtori i Administratës, Nazim Gagica, transmeton Koha.net.

«Gjilani është Komunë model sa i përket aplikimit të metodave të punës në administratë. Është programi i katërt që ne po e aplikojmë për këto 18 muaj, programe këto jashtëzakonisht në interes të ofrimit të shërbimeve për qytetarët, por edhe në interes të funksionalitetit», ka thënë me këtë rast kryetari Haziri.

Kreu i Gjilanit tha se përparësia e këtij programi është se e mban të ‘okupuar’ në punë sërish tetë orë zyrtarin në fjalë, por është shumë më fleksibil në atë se si e menaxhon ditën.

«Profesori i gjuhës shqipe, Sali Hasani, i cili punon në sekretarinë e Kuvendit, është punëtori më i vjetër në shërbim civil, është zyrtari më i përgjegjshëm dhe është njëri prej autoriteteve, të cilin e kemi vendosur ta pilotojmë në këtë program të punës «Prej Shpije». Kjo ndikon në realizimin e qind për qind të objektivave të punës sepse do të merret me procesverbale, që prodhohen nga Kuvendi. Ne besojmë shumë se menaxhimi punëve nga Sali Hasani do të jetë model për të tjerët. Në kuadër të kësaj, këto shërbime që po i ofrojmë ne janë kryesisht ato që nuk kanë impakt apo nevojë të drejtpërdrejt të punës dhe orareve të punës fizikisht në objektet e Komunës së Gjilanit», u shpreh Haziri.