Gjethi i fikut – ose Donald Trumpi dekoron krejt Kosovën

Mbi letrat e rrejshme falënderuese, dekoratat dhe anekdotat e tjera politike të Kosovës.




Para disa vitesh shefi i PDK-së dhe i qeverisë, i cili tani është president i Kosovës, e kishte një këshilltar izraelit. Emrat e të dyve janë lakuar për afera financiare. Pa e paragjykuar fare këtë këshilltarin nga Izraeli, më pati bërë shumë përshtypje mbiemri i tij: RAUBVOGEL. Në shqip i bie: Shpend grabitqar! I tillë hyri në historinë e Kosovës. Zoti Ariel Raubvogel e këshilloi PDK-në për të marrë pushtetin, për të «fituar» zgjedhjet, ai qëndroi pas fushatës për europianët e rinj, një kontratë në vlerë prej 6 milionë dollarë amerikanë, nënshkruar për firmën Saatchi & Saatchi. Fushata për europianët e rinj ishte tejet e suksesshme. Kosovarët ka dhjetë vite që udhëtojnë pa viza në zonën e Schengenit dhe Prishtina sapo ka hapur kapitullin 23 të negociatave me BE-në, vitin e ardhshëm, më 1 korrik, tamam para se kosovarët të dynden nga Durrësi në Sarandë, në Sheshin «Familja, Prona, Shteti» në kryeqytetin e Kosovës do të festohet hyrja e Republikës sonë në BE. Këshilltari Raubvogel na ka ndihmuar…

Tash po shohim se si një person nga Amerika me mbiemrin FEIGENBLATT ka filluar t’i stolis me «letra falënderuese të presidentit Donald Trump» politikanët e Kosovës, sidomos ata të prirë për ndreqje imazhi të pandreqshëm. Feigenblatt domethënë gjeth fiku. Në frazeologjinë e gjuhës gjermane ka një shprehje: të përdorësh dikë si Feigenblatt, si gjeth fiku, ka këtë kuptim: të përdorësh diçka si arsyetim për të fshehur diçka; të ndërmarrësh një masë, e cila nuk e zgjidh problemin, por shërben për maskimin e problemit; të fshehësh anët negative të një gjëje.

Duket se Otto von Feigenblatt, i ashtuquajtur «ambasador nderi i Kosovës», është duke shërbyer bash si gjeth fiku për të fshehur një gënjeshtër të madhe: se Donald Trumpi personalisht po u dërgon letra falënderimi, dekorata, medalje, urdhra, pllaka e çka jo tjetër politikanëve të Kosovës. Fitohet përshtypja se Trumpi në të ardhmen do të dekorojë mbarë Kosovën dhe secilit shqiptar dhe secilës shqiptare do t’i thotë: «Ju njoh mirë juve shqiptarëve, jeni trima».

Latinët e kanë një fjali: Nomen est omen. Fjalë për fjalë domethënë: emri është shenjë. Kjo i bie: emri i një personi saktë dhe me ironi e përshkruan dhe karakterizon emrin e dikujt. Në rastin e zotërinjve Raubvogel dhe Feigenblatt duket se fantazia e politikanëve të Kosovës ka funksionuar në mënyrë brilante. S’ka mbiemra më të mirë për t’u tallur me taksapaguesit kosovarë.
E.R.