Gjethet e vdekura

Jacques Prévert



Oh! Sa do desha që ti t’i mbaje mend
Ditët e lumtura kur patëm dashuri
At’herë jeta ishte m’e bukur
Dhe dielli digjte më fort se tani.
…Gjethet e vdekura mblidhen mbi lopatë…
E sheh që nuk e kam harruar
Kujtimet dhe brerjet gjithashtu
dhe er‘ e veriut i shpie diku
drejt harresës në të ftohtën natë…
E sheh që nuk e kam harruar
këngën që më pate kënduar…
Ish kënga jonë për ne të dy
Se ti më doje
Dhe un‘ të doja
Jetonim bashkë dhe un‘ dhe ti…
Se ti më doje
Dhe un‘ të doja
Po jeta ndan ata që duhen
krejt butësisht
dhe qetësisht
hapa të dashurish mbi rërë
prej detit shuhen…
Gjethet e vdekura mblidhen mbi lopatë
kujtimet dhe brerjet gjithashtu
Po e heshtur dhe besnike kjo dashuri
Jetës i falet me gaz në sy…
E bukur ishe oh! sa të doja
A mundesha vallë të të harroja?
Së larti dielli na përvëlonte
Me të ëmblën mike që zemra donte…
Tani s’më mbeti përveç se mall
Po këngën që më pate kënduar
Gjithmonë kam për ta dëgjuar
Ish kënga jonë për ne të dy
Se ti më doje
Dhe un‘ të doja
Jetonim bashkë dhe un‘ dhe ti
Se t’i më doje dhe unë të doja
Po jeta ndan ata që duhen
fare butësisht
dhe qetësisht
hapa të dashurish mbi rërë
prej detit shuhen…

Përktheu Dalan Shapllo