Gjermania zvogëlon prezencën ushtarake në Kosovë

Ushtarët gjermanë do të vazhdojnë prezencën e tyre në Kosovë. Megjithatë, kabineti federal ka vendosur që, meqenëse situata në vend po shkon drejt zhvillimeve pozitive, numri i ushtarëve të ulet në 1,350 sosh.




Deri më tani, në Kosovë kanë qenë të stacionuar 1,850 ushtarë gjermanë që nga mesi i vitit 1999. Draft-propozimi i ri parasheh uljen e këtij numri në 1,350. Ky propozim duhet miratuar në Bundestagun (Parlamentin) gjerman para se të finalizohet.

Krahas zvogëlimit të numrit të ushtarëve, Qeveria Federale do të kërkojë edhe vazhdimin e mandatit, kërkesë e cila gjithashtu duhet të kalojë në Bundestagun Gjerman, raporton Koha.net.

Sipas Qeverisë Federale, gjendja në Republikën e Kosovës është në përgjithësi stabile.

«Kjo për shkak të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë gushtin e vitit 2015. Lajmi i mirë është se KFOR-i nuk ka pasur nevojë të intervenojë direkt në periudhën e fundit të mandatit. Situata relevante mund t’i zgjidh edhe Policia e Kosovës», thuhet në këtë njoftim, të cilin e transmeton Koha.net.

Duhet kujtuar se Gjermania, së bashku me SHBA-të dhe Italinë, janë shtetet me prezencën më të madhe ushtarake në Kosovë.

Gjithashtu, nëse do të jetë e nevojshme përdorimi forcës shtesë, batalioni gjermano-austriak është i gatshëm, thotë Qeveria Federale gjermane. Ai përbëhet nga rreth 710 ushtarë, ndërsa pjesa gjermane është rreth 524 sosh.

Në pjesën e dytë të vitit 2016, batalioni do të jetë i gatshëm për veprim për 7 ditë. Ndërsa, në pjesën e parë të 2017-ës, gjendja e gatishmërisë do të ndryshojë në 14 ditë.

Megjithatë, Qeveria gjermane konsideron se prezenca e forcës ndërkombëtare të KFOR-it është ende e nevojshme për të stabilizuar ambientin.