Gjermania s’mund t’i bëjë ballë valës së refugjatëve




Gjermania të dielën ka rikthyer kontrollet kufitare, pasi që ky shtet, më i madhi në Evropë, e ka pranuar se nuk po mund t’i bëjë ballë mijëra azilkërkuesve, që po mbërrijnë për çdo ditë në këtë shtet.

 

Berlini ka bërë të ditur se kjo masë e përkohshme do të vlejë fillimisht në kufirin jugor me Austrinë, ku numri i refugjatëve është rritur jashtë mase, që kur kancelarja Angela Merkel hapi kufijtë gjermanë për refugjatët, një javë më parë.

«Qëllimi i masave të tilla është kufizimi valës së madhe të njerëzve që po vijnë në Gjermani dhe kthimi i procedurave të rregullta gjatë hyrjes së njerëzve në këtë shtet», ka thënë Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, duke shtuar se një gjë e tillë është e domosdoshme edhe për shkaqe sigurie.

Vendimin e Gjermanisë e ka mbështetur ekzekutivi i BE-së, zyrtarë të të cilit kanë thënë se Gjermania ka bazë ligjore për rikthimin e kontrolleve kufitare.

«Rikthimi i përkohshëm i kontrolleve kufitare midis shteteve anëtare është një rast i jashtëzakonshëm, që parashihet dhe rregullohet përmes Kodit Kufitar të Schengenit, në rast të një gjendjeje krize», ka bërë të ditur përmes një deklarate Komisioni Evropian.