Gjermania përmirëson imazhin me pranimin e refugjatëve

Janë ngritur së fundi dy dilema: A është shteti më i pasur dhe më i populluar i Evropës duke u munduar ende që të lajë gjynahet edhe shtatëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës? Dhe a mos ka «Willkommenskultur» një hise merkanteliste nga frika e plakjes dhe rënies së popullsisë?

Foto: Shutterstock.com



«Kjo është dita më e lumtur e jetës time», ka shkruar gjermanisht dhe arabisht Ghadir Douba në faqen e tij në «Facebook» më 1 shtator. Katër vjet pas largimit nga Siria bashkë me prindërit e tij dhe arritjes në Gjermani në moshën 17-vjeçare, ka marrë pasaportën gjermane dhe lajmin se ka kaluar testin e parë të rëndësishëm në shkollën e mjekësisë në të njëjtën ditë. «Më nuk jam i huaj!» ishte postimi i radhës në llogarinë e tij.

Nëna e zotit Douba, Adiba Hamed, që, sikur se ai, nuk fliste gjermanisht kur kishte emigruar në Gjermani pak para se të plaste lufta në vendlindje, së fundi ka marrë kualifikimin e duhur për të dhënë gjuhë gjermane si gjuhë të dytë në shkollë. (Qysh edhe ndodh, e ka nënshkruar kontratën e parë të punës më 1 shtator.)

«Gjermania hapi kufijtë dhe krahët për ne», ka thënë zonja Hamed, derisa po ecte në shkollën fillore ku do të nisë të japë mësim prej javës së ardhshme. Në tabelën e orareve, ishte mirëpritur me një poster me tetëmbëdhjetë flamuj. Flamuri sirian ishte bash në midis.

«Është vendi i vetëm me mesazh të qartë», ka deklaruar zonja Hamed, 44 vjeçe. «Madje edhe vendet arabe kanë mbyllur kufijtë e tyre. Të gjithë sirianët duan të vijnë në Gjermani».

Shumë emigrantë po marrin rrugën drejt Suedisë dhe Holandës gjithashtu. Disa madje kanë nisur të kthejnë kokën kah Britania e Madhe, megjithëse kryeministri David Cameron i ka përshkruar si «tufa» refugjatët.

Por fotografitë e refugjatëve duke brohoritur «Gjermania, Gjermania», derisa mbërrijnë përgjatë rrugës së kontinentit drejt tokës së shpresës, kanë ndryshuar përshtypjen e shumëkujt për vendin që ishte përceptuar si fajtor për gjenocidin e kryer gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas fjalëve të kancelares Angela Merkel, qëndrimi i sertë i së cilës gjatë kohës së krizës së borxhit grek për të mos lëshuar pe ndaj politikave të papërgjegjshme greke kishte nxitur grekët të mbanin postere me Merkelin me uniformë naziste: «Bota e sheh Gjermaninë si vend të shpresës dhe mundësisë, dhe kështu nuk është menduar gjithnjë».

Në një qendër strehimi të aziliantëve në Hanover në Gjermaninë perëndimore, një nënë e ka pagëzuar të bijën me emrin Angela Merkel. Në Munih, në stacionin e trenit, derisa një grup sirianësh të rinj po zbrisnin, kanë thënë se do të bënin çmos për Gjermaninë. «Madje edhe do të bëhem ushtar», ka thënë Othmani, një 22-vjeçar nga Damasku. Janë këto fjalë zotimi të një rioshi që është zhvendosur prej një realiteti të luftës.

Mediat gjermane e kanë quajtur këtë «përrallë shtatori». Bujaria gjermane është pasuar me zotime e përkushtime të nxjerra nga zemra prej atyre që thonë se do të jenë besnikë ndaj vendit dhe se u është shpëtuar jeta falë dashamirësisë së Berlinit zyrtar. A mund të jetë ky fillimi i fundit të rehabliimit të imazhit të pasluftës së Gjermanisë?

Më 2006 ishte zhvilluar ajo që u quajt «përralla verore». Gjermania ishte nikoqire e Kupës së Botës në futboll. Bota pa me sytë e saj një komb të tranformuar, duke shprehur mikpritje të përzemërt dhe dashamirëse, madje edhe atëherë kur nikoqiri ishte jashtë garës për titull pas humbjes në gjysmëfinale prej Italisë. Atëherë Gjermanisë i kishte dalë nami si «Kampionia botërore e mikrptijes».

Por kësaj here është ndryshe. Mikpritja nuk është ofertë që zgjat vetëm sa koha e një kampionati ose për shkak të mungesës së përkohshme të fuqisë punëtore, që në vitet gjashtëdhjetë kishte nxitur ftesën për «punëtorët mysafirë» nga Turqia dhe vendet e tjera në pritjet e gabuar se do të ktheheshin në vendlindje. Kësaj here, nëse është për t’i besuar Merkelit, Gjermania është e ndërgjegjshme se po mundohet të vërë bazat e gjermanëve me përzierje të ndryshme: sirianogjermanë, irakianogjermanë, afganogjermanë.

«Nëse e kryejmë si duhet këtë punë», ka deklaruar ajo para deputetëve këtë muaj, «ne vetëm se fitojmë».

Evropa edhe njëherë është acaruar me Gjermaninë. Kësaj here, nuk është puna se Gjermania është agresive dhe se dëshiron të zgjerojë kufijtë, por për shkak të bujarisë agresive për hapjen e kufijve, duke i bërë të pamundshme kontrollet kufitare.

Janë ngritur së fundi dy dilema: A është shteti më i pasur dhe më i populluar i Evropës duke u munduar ende që të lajë gjynahet edhe shtatëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës? Dhe a mos ka «Willkommenskultur» një hise merkanteliste nga frika e plakjes dhe rënies së popullsisë?

Në një studim të botuar në «Frankfurter Allgemeine Zeitung», sugjerohej së fundi se kur Gjermania mendon për refugjatët, pikërisht këtë e ka ndërmend.

Ky diskutim nuk i bën përshtypje Moussa Mohammadit, kardiolog dhe baba i katër fëmijëve nga Dara’a e Sirisë, që ka fituar në shkurt statusin e refugjatit në Gjermani. «Nëse i duhemi Gjermanisë, është në rregull», ka thënë ai, «sepse edhe neve na duhet Gjermania».

(«New York Times»)