Gjermania, me kontroll të kufijve




Gjermania ka vendosur sërish kontrollin e përkohshëm në kufirin e saj me Austrinë, raporton TV ARTA .

 

Kjo është mënyra e Berlinit për t’u ballafaquar me valën e madhe të refugjatëve që çdo ditë po hyjnë në vend, transmeton Koha.net. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, deklaroi se nuk mund të zgjedhin refugjatët vendin ku do të vendosen dhe iu bëri thirrje shteteve të tjera të BE-së të mos qëndrojnë indiferente, por të bëjnë më shumë.

Sipas ministrit, edhe pse kontrollet do të fokusohen më së shumti tek Austria, qëllimi i Berlinit është që verifikimet, edhe pse përkohësisht, të shtrihen përgjatë gjithë kufijve të brendshëm të Bashkimit Evropian.

Objektivi është i qartë, sqaroi ai, këto masa synojnë kufizimin e vërshimit të njerëzve drejt Gjermanisë dhe rikthimin e procedurave të rregullta të pranimit të të huajve në një vend.

Edhe pse nuk shpjegoi në detaje sesi do të funksionojnë kontrollet në fjalë, ministri e bëri të qartë se ato mund të shkaktojnë deri diku probleme me shërbimet hekurudhore.

Gjermania po ashtu ka informuar në mëngjes kolegët nga Austria se kanë ndërprerë përkohësisht shërbimin hekurudhor drejt Austrisë.