Gjermania ka një president të ri: Frank-Walter Steinmeier

Parlamenti gjerman e ka votuar kryetarin e ri të shtetit. Që në raundin e parë është zgjedhur ish ministri i jashtëm socialdemokrat, 61-vjeçari Frank-Walter Steinmeier.

Frank-Walter Steinmeier. Foto: Golden Brown / Shutterstock.



Kryetai i ri i Gjermanisë është ish ministri i punëve të Jashtme të vendit, Frank-Walter Steinmeier. Socialdemokrati në asamblenë e përgjithshme të parlamentit gjerman ka fituar që në raundin e parë 931 nga 1’239 votat e vlefshme për president. Steinmeier e zëvendëson Joachim Gauck, të cilit i skadon mandati më 18 mars 2017.

Frank-Walter Steinmeier ka lindur më 1956 në Detmold të landit Nordrhein-Westfalen. Babai i tij ishte marangoz. Presidenti i ri në kohën e qeverisjes së Gerhard Schröder ka qenë shef i kabinetit të kancelarit. Në këtë kohë ai ka qenë i angazhuar rreth programit të tij të njohur social «Hartz-Reform», një projekt jo edhe aq i lavdëruar.

Në qeverinë e koalicionit të parë të gjërë të Merkelit, më 2005, Steinmeier u emërua ministër i Jashtëm, kurse më 2007 edhe zëvendëskancelar. Në zgjedhjet e 2009-tës ai konkuroi për kancelar me socialdemokratët. Por partia e tij ra në 23 për qind, që përbën rezultatin më të ulët që ka shënuar ajo nga viti 1949.

Në periudhën në vazhdim të qeverisjes demokristiane-liberale, Steinmeier deri në vitin 2013 ka ushtruar funksionin e kryetarit të grupit parlamentar të socialdemokratëve në Bundestagun gjerman. Në qeverisjen demokristiane-socialdemokrate në vazhdim, më 2013, ai u emërua përsëri ministër i Jashtëm. Përndryshe, trasmeton Tages Anzeiger, ai prej vitesh i prinë listës së politikanëve më të dashur të Gjermanisë.

Steinmeier me rastin e zgjedhjes e ka falënderuar bashkëshorten e tij, e cila tani duhet ta ndërpresë karrierën e saj profesionale dhe të marrë rolin e zonjës së parë, megjithëse roli i çiftit presidencial në Gjermani edhe ashtu është «tradicional». Zgjidhet njëri, kurse nga tjetri kërkohet ta dorëzojë profesionin e tij, është shprehur presidenti i ri gjerman. Zonja e re e parë ka punuar si gjykatëse në Gjykatën Procedurale në Berlin.

Në pyetjen se kush e ka bindur të kandidojë për president të Gjermanisë, Steinmeier është shprehur: «Gruaja ime jo». Ai i kishte premtuar asaj vazhdimisht se angazhimi i tij po do të biente… Edhe tani kur kishte kandiduar për president. «Por ajo nuk e beson këtë prej kohësh», ka thënë ai. Steinmeier i është falënderuar asaj edhe një herë për mirëkuptimin e kandidimit: «Pa ty nuk do të mund ta bëja dhe pa ty s’do ta kisha bërë». ks