Gjermani që synon të ringjallë futbollin e Kosovës

Lutz Lindemann ka qenë një yll i futbollit në Gjermani. Tani ai po përpiqet t’i ndihmojë Kosovës për të gjetur vendin e saj në arenën ndërkombëtare të futbollit. Lindemann ka premtuar se «nëse kualifikohemi për Ligën e Kampionëve, atëherë me duart e mia do ta pastroj përmendoren e Bill Clintonit në qendër të Prishtinës».

Lutz Lindemann. Foto: MDR



Lutz Lindemann është pafund i kënaqur me vendimin e tij për të ardhur në Prishtinë. «Diçka më e mirë s’ka mundur të më bëjë vaki», thotë ai në bisedë me një reporter të gazetës gjermane «Die Zeit». «Sa rron, mëson. Kurrë s’kam takuar njerëz më të përzemërt», tregon ai mbi përvojat e tij në Kosovë. Lindemann ka qenë president i FC Carl Zeiss Jena dhe yll i futbollit në Gjermaninë e dikurshme Lindore.

Gjermani Lindemann ka ardhur këtë verë për të jetuar në Prishtinë – dhe për të punuar. Së pari ishte angazhuar si drejtor sportiv dhe nga vjeshta edhe si trajner i KF Prishtinës. Me anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA futbollit kosovar i janë hapur rrugët për të depërtuar në arenën ndërkombëtare. Lindemann është ftuar në Prishtinë që të ndihmojë për kualifikimin e KF Prishtinës në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm. KF Prishtina është themeluar në vitin 1922, shkruan «Die Zeit».

Lindemann thotë se ëndërr e madhe e të gjithë kosovarëve është të jenë të pranishëm në ligat e futbollit ndërkombëtar. Në raundin e parë KF Prishtina do të ballafaqohet me ekipe nga Gjibraltari dhe Andorra, sfida këto të kalueshme. Por më së voni në raundin e dytë vështirë se mund të ecet më tutje, parashikon gazeta gjermane, duke shtuar se KF Prishtina për nga niveli nuk e kalon ligën rajonale gjermane.

Lindemann thotë se aktori i tij i pëlqyer është John Wayne, pionier dhe kauboj. Cilësi të ngjashme kërkohen edhe në Kosovë. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me kushtet për trajnim dhe vendimet e çuditshme të arbitrave. «Njëherë po planifikoj për një vit, më pëlqen kjo detyrë. Ndoshta deri atëherë mësoj se si kosovarët telefonojnë me dy telefona mobilë, kryejnë njëkohësisht 120 punë dhe me bërryla drejtojnë automjetin», thotë Lindemann. Ai ka premtuar se «nëse kualifikohemi për Ligën e Kampionëve, atëherë me duart e mia do ta pastroj përmendoren e Bill Clintonit në qendër të Prishtinës».

Ende nuk dihet nëse stadiumi i Prishtinës do të jetë i gatshëm për lojëra futbolli në vitin 2017, arenat ku luajnë futbollistët kosovarë u përngjajnë më shumë arave, shkruan «Die Zeit». Edhe ekipi kombëtar i Kosovës është duke i zhvilluar ndeshjet jashtë vendit, sepse mungojnë stadium që i plotëson kriteret e FIFA-s.

«Rroga mesatare në Kosovë është 300 euro, pensioni më i lartë 140, papunësia tepër e madhe. Lojtarët e Prishtinës fitojnë mes 500 dhe 1500 euro në muaj. Si gjithkund edhe këtu futbolli është sporti numër një. Kosova është shtet i ri, kultura civile tek duhet të zhvillohet. Pa ryshfet nuk funksionon asgjë në përditshmëri, as në futboll. Një ish-trajner thotë: <Për ne janë të rëndësishme kontaktet e mira me arbitra. Nëse një ekip gjendet në fund të tabelës, nganjëherë mund të arrihet shumë me para>. Rrëfime të zakonshme të Ballkanit të stilit të perëndimit të egër. Shumë politikanë janë të korruptuar, edhe policia shpesh mbyll sytë». (-lli)