Gjermani: Gati 70 mijë kosovarë me azil të refuzuar

Në Gjermani jetojnë më shumë se gjysmë milioni azilkërkues të refuzuar. Politikanët po kërkojnë kthimin e tyre në vendet e prejardhjes.

Refugjatë në stacionin e trenit në München, shtator 2015. Foto: Shutterstock

Një raport mbi qindra-mijëra azilkërkues të refuzuar, të cilët vazhdojnë të jetojnë në Gjermani, ka nxitur disa politikanë gjermanë të kërkojnë kthimin e tyre. Në fund të qershorit në Gjermani jetonin 549’209 njerëz, të cilët para shumë vitesh kishin kërkuar azil në Gjermani – pa sukses. Kjo shifër është bërë publike nga qeveria gjermane pas një pyetje të partisë Die Linke (E Majta). Shumica e azilkërkuesve (406’065) jetojnë në Gjermani më shumë se gjashtë vjet. Gjysma e azilkërkuesve të refuzuar, megjithatë, kanë një leje qëndrimi me afat të pakufizuar, 34,8 për qind me afat te kufizuar. Shumica e azilkërkuesve të refuzuar rrjedhin nga Turqia (77’600), Kosova (68’549) dhe Serbia (50’817).

Zëvendësshefi i grupit parlamentar të partive konservatore (CDU/CSU) në parlamentin gjerman, Hans-Peter Friedrich, kërkoi ndryshimin urgjent të rregullave të dëbimit nga Gjermania. «Kush lejon që azilkërkuesit e refuzuar ta tërheqin për hunde në këtë mënyrë shtetin, shkatërron besimin e qytetarëve në aftësinë e shtetit për të vepruar. Dispozitat ligjore duhet të ndryshohen urgjentisht», tha Friedrich për gazetën «Bild». Friedrich ka qenë ministër i Brendshëm i Gjermanisë.

Shefi i sindikatës së policëve gjermanë, Rainer Wendt, deklaroi se në Gjermani ekziston një «industri e vërtteë e pengimit të dëbimeve». Kjo, sipas tij, duhet të ndryshojë menjëherë. Wendt akuzoi avokatët dhe organizatën Pro Asyl për pengimin sistematik të dëbimeve. Qeveria gjermane po ashtu ka akuzuar mjekët që qëllimisht lëshojnë dokumente të rrejshme apo ekspertiza, me të cilat «konfirmohet» se azilkërkuesit janë të sëmurë. (-lli)