Gjermani: Ende nuk ka dëshmi konkrete kundër vëllezërve të arrestuar kosovarë

Mediat lokale nga Duisburgu i Gjermanisë njoftojnë se hetuesit akoma nuk kanë dëshmi se dy vëllezërit e burgosur kosovarë po përgatisnin sulm terrorist. Por shërbimi sekret gjerman, i cili ka përgjuar bisedat e tyre, i konsideron ata si pjesë të skenës së fanatikëve islamikë.

Një polic gjerman në qendrën tregtare në Oberhausen.



Pas arrestimit të dy vëllezërve kosovarë në Duisburg të Gjermanisë nën dyshimin se po përgatiteshin të sulmonin një qendër të madhe tregtare, duket se hetuesit gjermanë nuk kanë ende dëshmi konkrete kundër tyre. Siç njofton «radio duisburg» dyshimi fillestar kundër kosovarëve nuk ka rezultuar i saktë. Hetuesit i kanë marrë në pyetje të dyshuarit të premten, por nuk kanë dëshmi evidente se ata po përgatisnin sulm ndaj qendrës tregtare «CentrO» në Oberhausen afër Diusburgut. Kështu ka bërë të ditur policia në Essen. Me urdhër të gjykatësit dy kosovarët, të cilët supozohet të jenë besimtarë konservatorë të islamit, do të qëndrojnë në arrest deri nesër. Pastaj autoritetet duhet të marrin vendim nëse do t’i lirojnë të arrestuarit.

Të dy kosovarët u arrestuan në orët e para të së premtes pas sinjaleve nga shërbimi sekret gjerman se ata po përgatisnin një sulm terrorist. Lajmi ka qarkulluar sot gjatë gjithë ditës në mediat ndërkombëtare. Aksioni i arrestimit të vëllezërve kosovarë duket se ishte spektakular. Sipas televizionit WDR policia hyri në dy banesa në Duisburg pak para orës 01:00, duke thyer dyert. Policë të armatosur rëndë morën në shënjestër dritaret e banesave. Sipas televizioneve WDR, NDR dhe gazetës Süddeutsche Zeitung policia konfiskoi në banesat e vëllezërve kosovarë «bartës të të dhënave», siç përshkruhen në gjermanisht USB-të.

Ministri i Brendshëm i landit Nordrhein-Westfalen Ralf Jäger lavdëroi qasjen e policisë. «Policia e landit ka vepruar dje në Duisburg shpejt dhe me vendosmëri. Tani hetimet duhet të vazhdojnë me këmbëngulje për të kuptuar gjithçka mbi planet e të arrestuarve dhe përkrahësit e tyre eventualë», njoftoi Jäger. Hetimet kundër vëllezërve kosovarë po i zhvillojnë zyrtarë të shërbimit sekret dhe nëpunës të policisë kriminalistike.

Fqinjët i përshkruan kosovarët si myslimanë jashtëzakonisht konservatorë. Njëri prej tyre thuhet se ishte vizitor i rregullt i një xhamie të njohur si qendër e fanatikëve fetarë. Para disa muajsh kjo xhami kishte tërhequr ftesën dërguar një predikuesi fetar të kontestuar. Kjo xhami ishte bastisur që në vitin 2012 nga policia.

Televizionet WDR, NDR dhe gazeta Süddeutsche Zeitung njoftojnë se dyshimet fillestare kundër vëllezërve kosovarë ishin serioze. Në bisedat e përgjuara nga shërbimi sekret gjerman ishte konstatuar një kërcënim serioz i sigurisë publike. Duke pasur parasysh këtë situaë autoritetet kishin vendosur të reagojnë me shpejtësi. Të dy kosovarët thuhet se kanë qenë pjesë e skenës së fanatikëve fetarë (selafistëve) në Duisburg. Autoritetet gjermane nuk përjashtojnë lidhjet e tyre me milicinë terroriste «Shteti Islamik».