Gjermanët vendosin – jo vetëm për vendin e tyre

Deri në orën 18:00 mbi 60 milionë gjermanë mund të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Kancelarja e deritanishme Angela Merkel pritet të qeverisë edhe në katër vitet e ardhshme, por me kë? Me socialdemokratët si deri më tani apo me «Koalicionin Xhamajka»? Nga qeveria e ardhshme në Berlin do të varet dukshëm edhe ritmi i integrimit të vendeve të Ballkanit në BE.

Foto: Shutterstock



Sot një pjesë e madhe e Europës shikon në drejtim të Gjermanisë. A do të qeveriset ky vend edhe në katër vitet e ardhshme nga kancelarja e deritanishme Angela Merkel apo shefi i ri i qeverisë gjermane do të quhet Martin Schulz? A do të hyjë triumfalisht në parlament Alternativa për Gjermaninë (AfD), një parti e ekstremit të djathtë? Ekziston rreziku që AfD të jetë forca e tretë politike në parlament. Për herë të parë që nga viti 1945 në Bundestagun gjerman do të jenë të pranishëm deputetë radikalë, të cilët thyerjen e tabuve në politikën gjermane e kanë shndërruar në shenjë dalluese.

Mbi 60 milionë zgjedhës nga Müncheni në Hamburg dhe nga Berlini në Bonn deri në orën 18:00 mund të përcaktohen për partinë, të cilës do t’ia falin besimin. Duke pasur parasysh faktin se shumë votues deri në çastin e fundit kanë qenë të pavendosur, nuk mund të thuhet me siguri të plotë se si do të duket përbërja e re e parlamentit gjerman.

Një gjë është e sigurt: partia e parë pritet të dalë CDU e kancelares Merkel. Sipas anketës së fundit të televizionit publik ARD, konservatorët mund të marrin rreth 37 për qind të votave. Socialdemokratët e prirë nga Martin Schulz, ish-kryetar i Parlamentit Europian, i pret një ditë e zezë: vetëm rreth 20 për qind e gjermanëve e kanë ndërmend të votojnë për ta. Socialdemokratët janë si të thuash viktima të politikës së tyre progresive: prej se Angela Merkel e ka marrë drejtimin e CDU-së, ajo e ka socialdemokratizuar dukshëm partinë dikur tejet konservatore. Merkel i ka demontuar të gjithë konkurrentët e brendshëm, të cilët angazhoheshin për politikë më konservatore. Në udhëheqjen e Merkel CDU është hapur ndaj migrantëve, ka pranuar se realitet i Gjermanisë së sotme është edhe shoqëria multietnike, në fund të legjislaturës aktuale një pjesë e madhe e deputetëve të CDU-së votuan bashkë me socialdemokratët dhe partitë opozitare për legalizimin e martesave mes njerëzve me gjini të njëjtë. Diçka e tillë nën drejtimin e Helmut Kohlit ka qenë e paimagjinueshme. Merkel është një politikane që i përshtatet atmosferës së kohës. Kjo është parë edhe kur mori vendim për mbylljen e centraleve bërthamore pas katastrofës nukleare në Fukushima të Japonisë më 2011. Këtë hap ajo e ndërmori pasi presioni i opinionit publik ishte i madh.

Merkel u bë kancelarë në vitin 2005 dhe deri më tani ka qeverisur në dy mandate me socialdemokratët (2005-2009 dhe 2013-2017).

Meqë për shumë çështje CDU dhe SPD kanë mendime pothuaj të ngjashme, dueli televiziv mes Angela Merkelit dhe Martin Schulzit, i cili u zhvillua para disa ditësh, ishte monoton, sipas gjykimit të analistëve politikë. Kjo nuk ishte ndonjë befasi, sepse Merkel dhe Schulz kanë qenë partnerë dhe aleatë të rëndësishëm gjatë ballafaqimit me krizën financiare në BE.

Sa i përket Ballkanit CDU dhe SPD nuk dallojnë. Të dy partitë kryesore përkrahin integrimin e rajonit në BE, por me asnjë kusht nuk janë të gatshme të bëjnë kompromise sa i përket përmbushjes së kritereve. Ndërsa Merkel në takime me politikanë serbë ende nuk ka kërkuar eksplicit që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, Schulz para disa vitesh në një takim me kryeministrin e atëhershëm serb Ivica Daçiq kishte thënë se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën.

Schulz nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni të serishëm me partinë e Merkelit. Analistët politikë më shumë preferojnë që socialdemokratët të shkojnë në opozitë, sepse qëndrimi në pushtet i dy partive të mëdha e lë vendin pa opozitë të fuqishme dhe kështu u krijon mundësi aventurierëve politikë të zaptojnë skenën.

Sidomos në mediat gjermane po pritet me ankth rezultati i AfD-së, e cila quhet madje parti neonaziste. Krerët e kësaj partie provokojnë gati çdo ditë me parulla që nxisin urrejtje, përkrahës së AfD-së rregullisht kanë penguar tubimet në të cilat fliste Angela Merkel. Ekziston rreziku që AfD të jetë forca e tretë politike në parlament.

Merkel ndoshta do të ketë dy opsione për koalicion: me socialdemokratët si deri më tani apo me Liberalët (FDP) dhe me Partinë e Gjelbër. Për shkak të ngjyrave të partive politike ky koalicion quhet «Xhamajka» – ngase flamuri i Xhamajkës ka të njëjtat ngjyra – zi, gjelbër, verdhë. Po u arrit ky koalicion, atëherë si ministër potencial i punëve të Jashtme përmendet Cem Özdemir nga Partia e Gjelbër. Özdemir nga mediat gjermane përshkruhet si «shvabë i Anadollit» për shkak se rrjedh nga një familje çerkeze e Turqisë. Özdemir është kritik i ashpër i presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdoan.

Në zgjedhjet e sotme gjermanët nuk do të vendosin vetëm për vendin e tyre. Nga qeveria e ardhshme gjermane do të varet se si do të ecën integrimi i vendeve të Ballkanit në BE, kur do të hiqen vizat e Schengenit për qytetarët e Kosovës, edhe sa shtetas të Kosovës do të riatdhesohen për shkak se nuk i plotësojnë kushtet për azil në Gjermani. Nga qeveria në Berlin do të varet edhe fati i Greqisë në të ardhmen e afërt, por edhe rrjedha e procesit të Brexitit. Me fitoren e Emmanuel Macron në Francë Merkel si kancelare potencialisht e ardhshme do të ketë një partner për të çuar përpara agjendën europiane. Për shkak të fuqisë ekonomike Gjermania respektohet në botë, e sidomos në BE, por ka edhe shtete që ia kanë frikën. Nga Gjermania kërkohet të shpëtojë BE-në, por shumica e fuqive të mëdha nuk janë të gatshme të përkrahin anëtarësimin e përhershëm të Gjermanisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Henry Kissinger ka thënë se Gjermania është tepër e vogël për botën dhe tepër e madhe për Europën. Kësisoj, kancelares së ardhshme apo kancelarit të ri i mbetet si detyrë të gjejë masën e duhur për të lundruar me anijen gjermane nëpër detin e politikës botërore.