Gjergj D. në Üsküb

Një parodi nga Zuzarëlandi i vitit 2018.

Ilustrimi Shutterstock



A ka njerëz të lumtur në Kosovë? Po, si nuk ka. Shikojeni Gjergj D. Do bëhet ambasador. Pasi arriti aq shumë suksese si zëvendësministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, pasi punoi në harmoni të plotë me shefin e tij, Salep S., Gjergj D. po shpërblehet me një post të ri. Në të vërtetë nuk po shpërblehet, por po ngarkohet me një mision të ri, me një detyrë të re, në mënyrë që të vazhdojë punën për të mirën e Kosovës, si dikur, si në vitet ’90, kur Gjergj D. arriti të entuziazmojë të gjithë liberalët e botës – nga Zimbabveja në Zuzarëland.

Gjergj D., politikan me nam e nishan nga Vilajeti i Kosovës, do të bëhet ambasador në Üsküb. Henry Kissingeri i diplomacisë kosovare do të përfaqësojë Vilajetin e Kosovës në Republikën e Maqedonisë Veriore. Ditën e parë të punës Gjergj D. do ta nisë me propozimin për të rrëzuar Xhaminë e Larme në Tetovë. Ditën e dytë do të shkojë në Kumanovë për të parë nëse janë ndërtuar ato shtëpitë që u prishën gjatë përleshjes mes disa shqiptarëve dhe forcave policore maqedonase. Gjatë vizitës ambasadori do të thotë se shqiptarët e vrarë në Kumanovë ishin mercenarë të Efendi Padishahut. Në përgjithësi: për gjithçka i ka fajet Republika Otomane e Turqisë. Në ditën e tretë të punës Gjergj D. do të freskohet në liqenin e Ohrit, në ditën e katërt do të hapë Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Strugë, me ç’rast do të kërkojë largimin e disa poetëve nga Afrika. Ditën e pestë, si krejt kosovarët, edhe Gjergj D. do të bëjë një selfie në Kanionin e Matkës. Ditën e pestë, po ashtu, do të bëjë përpjekje për t’i pagëzuar sipas ritit katolik liderët prootomanë të Lëvizjes Besa. Ditën e gjashtë do ta kalojë duke shkruar raportin e tij të parë për shefin e tij të dashur Salep S. Ditën e shtatë do të pushojë, sepse ashtu thotë Bibla.

Gjergj D. është njeri me fat. Thotë se gjatë luftës e ka rrahur Gabim Thërrmija. Por, atëherë Gabim Thërrmija ishte gjaknxehtë dhe pasi tërë ditën vriste nja 100 ushtarë e policë serbë, në mbrëmje për t’u çlodhur i shpërndante disa flakaresha edhe për komunitetin shumicë shqiptar. Njëherë, kur ishte zemëruar diçka, Gjergj D. doli në televizor dhe tha: «Në vitin 1998 Gabim Thërrmija e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalur Gabim Thërrmija me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht për shkak se jeni parti politke që e përkrahni presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pasë maltretim fizik, psiqik, moral… disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam maltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident». Do të ishte interesant të dëgjohet shpjegimi i Gjergj D. se çka nënkupton ai me keqtrajtimin moral? Ndonjë bisht sëpate në fundshpinë?

Një gazetë dikur e afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) shkroi në fund të vitit të kaluar se ata që kanë hëngër dajak nga Gabim Thërrmija po shpërblehen me poste. Një shpullë – një post. Dy shpulla – dy poste. Tri shpulla – tri poste. Gjergj D. duhet të ketë hëngër shumë shpulla në një ditë të vitit 1998 për të bërë gjithë këtë  karrierë. Gojëkëqinjtë, gojëgjarpërit dhe ngucakeqët në Prishtinë thonë se jo vetëm Gjergj D. po e materializon, po e monetarizon një keqkuptim me Gabim Thërrmijën. Një «oficer i LDK-së», po ashtu i ledhatuar nga Gabim Thërrmija, është shpërblyer me post diplomatik, ndërsa smirëzinjtë po thonë se pasi «oficeri i LDK-së» nuk është treguar i kënaqur vetëm me një post, Gabim Thërrmija ka ndikuar që gruaja e «oficerit të LDK-së» të bëhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Këso investimi strategjik nuk janë të aftë të bëjnë as spekulantët më të mëdhenj të bursave nga Tokio në New York. Rregulla të tjera vlejnë në bursën ballkanike.

A ka njerëz të lumtur në Kosovë? Po, si nuk ka. Shikojeni Gjergj D. Do bëhet ambasador. Do ketë shofer, asistent, pjekës të kafes e rakisë për t’i kaluar më lehtë ditët e mërzisë – në Üsküb. Ambasadori ynë. Përfaqësuesi ynë. Fytyra e ndritshme e Kosovës. Fytyra e shndritshme e Kosovës. Mjeshtri i kartelave. Eksperti i udhëtimeve. Eksperti më i madh i Perandorisë Osmane. Shkupi është vetëm stacion tranzitor për këtë kuadër. Gjergj D. duhet të ngjitet më lart në olimpin diplomatik të Kosovës. Përse jo ambasador në Berlin? Përse jo në Washington? Përse jo në Madrid? Atje diplomati ynë do të mund t’u tregonte spanjollëve se në histori kemi qenë në anën e duhur: spanjollët kanë dëbuar pushtuesit myslimanë, të cilët në al-Andalus sollën disa formula të matematikës që s’i merrte vesh askush, ndërsa shqiptarët kanë luftuar kundër «hordhive osmane». Përse të mos dërgohet në Londër Gjergj D.?

Kushtet i plotëson për çdo post prej asaj dite kur me hapa skenderbegianë u nisë nga Prishtina për në Drenicë për të treguar shkathtësitë e tij diplomatike. Siç po ecin punët në Kosovë, urimi më i mirë do të jetë ky: «Ishalla, jarabi, edhe ti ke qenë me Gjergj D. në Drenicë më 1998?» Pastaj lirisht mund t’i bëni gati valixhet për të shkuar në mision diplomatik. Pyetja e pyetjeve është kjo: çka do të bëhet Gjergj D. kur të kthehet nga Shkupi?