Gjeneralë, bankierë, miq të Rusisë dhe pak gra

Kush është kush në kabinetin e presidentit Donald Trump? Një galeri me portrete nga gazeta gjermane «Die Zeit».

Shtëpia e Bardhë, Washington DC. Foto: Shutterstock



Betsy DeVos, ministre e Arsimit

Betsy DeVos, 58-vjeçare, është njëra prej grave më të pasura të Amerikës. Vjehrri i saj ka themeluar ndërmarrjen e distribucionit të drejtpërdrejtë Amway, vëllai i saj firën e sigurisë Blackwater. DeVos është donatore e madhe e Partisë Republikane, por përkrahëse e Trumpit ajo nuk ka qenë deri më tani. Në Kongresin e partisë në Cleveland, kur Trump u nominua, ajo madje votoi për rivalin e tij pa asnjë shans, John Kasich. Që donatorët e mëdhenj shpërblehen me dhurata politike është praktikë e njohur në SHBA. Barack Obama, ta zëmë, e kishte emëruar ministre të Tregtisë miliarderen Penny Pritzker; donatorë të tjerë u bënë ambasadorë.

DeVos prej vitesh angazhohet që prindërit të gëzojnë lirinë e zgjedhjes së shkollave për fëmijët e tyre – secila familja mund ta dërgojë fëmijën në atë shkollë që dëshiron, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për shkollë publike apo private. Plani i saj është ky: kush dëshiron të dërgojë fëmijën e vet në shkollë private apo fetare, por për këtë nuk ka para, do të marrë subvencione nga shteti. Në këtë mënyrë shkollat pjesërisht private tërthorazi do të financoheshin me para të taksapaguesve. Synimi i DeVos është që sistemin e shkollave publike, të cilin Trump gjatë fushatës elektorale e kishte quajtur «monopol qeveritar», ta ndajë dhe privatizojë me ndihma nga arka publike. Pas kësaj qëndron qasja klasike republikane për të tërhequr qeverinë prej sa më shumë fushave shoqërore dhe të jetës që të jetë e mundshme.

Bashkë me burrin e saj Betsy DeVos ka themeluar Windquest Group, një firmë investimesh, e cila investon në energjitë e ripërtritshme dhe teknologji të pastra. Ministria e Arsimit me 4400 zyrtarë do të ishte administrata e parë publike, të cilën do e drejtonte DeVos. Bashkë me politikanet me përvojë Elaine Chao, e cila është paraparë si ministre e Transportit, dhe Nikki Haley, e cila pritet të bëhet ambasadore në OKB, DeVos është deri më tani një nga tri gratë në kabinetin e Trumpit.

Michael Flynn, këshilltar për siguri

Gjeneral-lejtënanti Michael Flynn, 56-vjeçar, më herët ka udhëhequr shërbimit sekret ushtarak – Defense Intelligence Agency. Ai është njëri nga tre gjeneralët në kabinetin e Trumpit dhe deri më tani figura më e kontestuar.

Ish-kolegë të tij thonë se stili i punës i Flynn ka qenë kokë më vete dhe i padisiplinuar, sipas tyre ai me qejf dhe shpejt u besonte pretendimeve të dyshimta. Dikur punëtorët e tij nisën t’i quajnë deklaratat e tij pa dëshmi Flynn facts. Obama e largoi para kohe nga posti i shefit të shërbimit sekret dhe ky hap u arsyetua me gabime në menaxhment. Flynn, ndërkaq, deri më sot thotë se ai ishte përjashtuar nga puna për shkak të qëndrimit të tij agresiv kundër islamizmit. Gjenerali e ka quajtur Obamën gënjeshtar dhe sistemin amerikan të drejtësisë të korruptuar. Kanalin televiziv CNN ai e akuzoi se ishte manipuluar nga shteti.

Ish-kolegë të tij nga ushtria ishin të habitur kur para pak kohësh panë fotografi që tregonin Flynnin bashkë me presidentin rus Vladimir Putin. Ish-oficeri i shërbimit sekret kishte mbajtur një referat në Moskë – me pagesë. Si Trump edhe Flynn angazhohet për bashkëpunim më të ngushtë me Rusinë në luftë kundër të ashtuquajturit «Shtet Islamik» në Siri dhe Irak. Ai e sheh islamizmin si kërcënimin më të madh të Amerikës. Flynn madje ka thënë se sheriati islamik tashmë aplikohet në disa pjesë të SHBA-ve. Iranin ai e llogarit në mesin e kundërshtarëve kryesorë të Amerikës.

Në Kongresin e Republikanëve Flynn dirigjoi brohoritjet kundër Hillary Clinton, ku bëhej thirrje për burgosjen e saj. Më vonë ai përmes Twitterit përhapi teorinë konspirative, sipas të cilës Clinton dhe menaxheri i saj elektoral John Podesta nga një pizzeri në Washington mbajnë një rrjet pornografik me fëmijë.

Steven Mnuchin, ministër i Financave

Steven Mnuchin, 53-vjeçar, ish-punëtor i bankës Goldman Sachs, është njëri prej tre personave që vijnë nga Wall-Streeti, të cilët Trump deri më tani i ka nominuar në ekipin e tij qeveritar. Gery Cohn, po ashtu nga Goldman Sachs, pritet të jetë këshilltar kryesor për ekonomi, investitori Wilbur Ross ministër i Tregtisë.

Edhe këto emërime kanë një traditë të gjatë. Nga Roosevelti e Bill Clintoni deri te Bushi presidentët vazhdimisht u kanë besuar poste të rëndësishme qeveritare bankierëve të Goldman Sachs. Konfliktet e interesit, që burojnë nga këto emërime, janë të mirënjohura. Rrjedhimisht, banka bart nofkën «Government Sachs». Tek Borack Obama ia kishte mbyllur rrugën Goldman Sachsit për të marrë pushtet. Pas krizës financiare kjo nuk ishte befasuese.

Qe Trump sërish po i sjell në Washington bankierët, është befasuese sidomos për shkak se gjatë fushatës zgjedhore ai ka atakuar ashpër «elitën e Wall Street». Deri më tani kjo kundërthënie duket se nuk po u pengon zgjedhësve të tij.

Mnuchin ka punuar 17 vjet për Goldman Sachs, edhe babai i tij ka qenë partner në këtë bankë. Pastaj ai ishte bërë i pavarur me një fond investimesh. Gjatë krizës financiare ai fitoi shumë para falë një marrëveshjeje shumë fitimprurëse me autoritetet qeveritare. Rrjedhimisht, kjo marrëveshje ishte e kontestuar, sepse paratë e fituara ishin para të taksapaguesve, të cilat qeveria i kishte investuar për shpëtimin e bankave – një shpërndarje klasike nga poshtë lart.

Si ministër i Financave Mnuchin pritet të zbatojë uljen e taksave, siç ka paralajmëruar Trump, dhe të përgatis një program gjigant infrastrukturor. Po ashtu ai tashmë ka paralajmëruar se do t’i heq disa rregulla, të cilat qeveria Obama i ka aplikuar ndaj Wall Streetit.

Jeff Sessions, ministër i Drejtësisë

Jeff Sessions, 70 vjeçar, është njëri prej politikanëve të paktë me përvojë në kabinetin e ardhshëm. Ky jurist dhe senator nga Albama, bir i një dyqanxhiu, konsiderohet si njëri prej anëtarëve më konservatorë të Kongresit. Republikani ka qenë një përkrahës i hershëm publik i Trumpit.

Sessions është kundërshtar i vendosur i politikës liberale të imigrimit. Ai po ashtu nuk ka ngurruar të jetë i afërt me platformën e djathtë populliste Breitbart, të cilën e drejton këshilltari kryesor strategjik i Trumpit, Stephen Bannon. Në një intervistë Sessions së fundi ka paralajmëruar se si ministër i Drejtësisë do të mendojë për ekskomunikim të myslimanëve, ndonëse një masë e tillë do të ishte kundërkushtetuese, ngase do të shkelte lirinë fetare.

Sessions përherë ka kundërshtuar ashpër modernizimin dhe hapjen e Partisë Republikane ndaj pakicave. Më 1986 u refuzua emërimi i tij si gjykatës, sepse u bë e ditur se në dy situata ishte shprehur me përbuzje ndaj zezakëve. Akuzën se është racist Sessions e ka hedhur poshtë përherë dhe ka përmendur proceset e tij të zhvilluara si prokuror në Alabama. Atje ai me sukses i kishte akuzuar dy anëtarë të Ku-Klux-Klanit për shkak të vrasjes së një zezaku. Por kritikët e fajësojnë se kishte ngritur aktakuzë kundër aktivistëve zezakë të të drejtave civile për shkak të kinse manipulimit të zgjedhjeve. Në këtë proces ai nuk pati sukses.

Në shtetin e tij të prejardhjes, në Albama, të cilin e përfaqëson qe 20 vjet si senator, Sessions është jashtëzakonisht i popullarizuar. Edhe në Kongres ai madje edhe te demokratët gëzon respekt – jo për qëndrimet e tij, por mbase për paraqitjen e përzemërt dhe me respekt ndaj të tjerëve.

Rex Tillerson, ministër i Jashtëm

Rex Tillerson, 64-vjeçar, është president dhe drejtor i koncernit të naftës Exxon Mobil që nga viti 2006. Për këtë firmë ai punon qe 41 vjet. Tillerson është inxhinier me profesion, ai ka bërë karrierë në një ndërmarrje, e cila është e organizuar sipas rregullave të ashpra. Me prejardhje nga Texasi, ai përshkruhet si njeri me shumë integritet. Nën udhëheqjen e Tillersonit ndërmarrja e tij i ka pranuar faktet shkencore, të cilat dëshmojnë ekzistencën e ndryshimeve klimatike. Ai është angazhuar për një tatim për dioksidin e karbonit dhe ka përkrahur Marrëveshjen e Parisit për Klimë.

Rex Tillerson në të vërtetë nuk ka kurrfarë përvoje politike, por ai e njeh botën. Ai mban kontakte të ngushta me qarqe qeveritare – prej Meksikës e Jemenit deri te Emiratat e Gjirit Persik. Negociatat për biznes ecin sipas rregullave të tjera si bisedimet diplomatike, por Tillerson së paku i njeh disa prej bashkëbiseduesve të tij të ardhshëm. Kjo vlen edhe për Vladimir Putinin, me të cilin Tillerson njihet qe më shumë se 20 vjet – një raport biznesi, të cilin disa republikanë e quajnë problematik.

Si shef i koncernit të naftës i emëruari për ministër të Jashtëm ka lidhur shumë marrëveshje fitimprurëse me Moskën. Kështu Exxon në Rusi nisi të bëjë gati për shfrytëzim një fushë të madhe me naftë, e cila ka një vlerë prej 300 miliardë dollarë. Më 2013 Putini e dekoroi Tillersonin madje me Urdhrin e Miqësisë. Për shkak të sanksioneve, të cilat SHBA-të dhe BE i vendosën kundër Rusisë më 2014 pas aneksimit të Krimesë, Exxon u detyrua të ndërpres punimet në fushën me naftë dhe kështu humbi shumë para. Një afrim me Rusinë do t’i sillte shumë para koncernit të tij. Në Washington shumë njerëz tani pyesin veten nëse Tillerson ka mjaft distancë ndaj Putinit, në mënyrë që të mos e shoh atë si ish-partner biznesi, por si njeri të paskrupullt gjeopolitik të pushtetit. (-lli)