Gjendja e serbëve: Me Putinin, skeptik ndaj Europës, por s’duan të vuajnë (aq) për Kosovën

Çka mendojnë serbët për Kosovën dhe për botën? Shumica është e bindur se Beogradi nuk do të pranojë që Kosova të ketë ulëse në OKB. Ndërsa përqindja e atyre që besojnë se Serbia duhet të jetë anëtare e BE-së brenda një viti ka rënë nga 38 në 34 për qind. Detaje nga një anketë e gazetës «Politika» dhe agjencisë «Faktor Plus».




Në krye të listës së halleve të serbëve janë – standardi jetësor dhe papunësia. Sipas një ankete të gazetës «Politika» dhe agjencisë «Faktor Plus» 88 për qind e serbëve janë të këtij mendimi. 78 për qind si problem të madh e shohin korrupsionin dhe kriminalitetin. 55 për qind e serbëve si problem të rëndësishëm e shohin Kosovën. 58 për qind e të anketuarve besojnë se Beogradi nuk do të pranojë që Kosova të ketë ulëse në OKB, 22 për qind besojnë se po.

56 për qind mendojnë se për Serbinë më së miri do të ishte që çështja e Kosovës të mbesë «konflikt i ngrirë», 23 për qind kërkojnë një marrëveshje që parasheh ndarjen e Kosovës, ndërsa vetëm 7 për qind janë të gatshëm që në kuadër të shkëmbimit të territorit Kosovës t’i jepen Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. 6 për qind përkrahin njohjen e Kosovës nga Serbia në kufijtë ekzistues të Kosovës.

48 për qind e të anketuarve theksojnë se nuk besojnë se një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë do të arrihet, 36 për qind thonë se po, 16 për qind nuk e dinë. 33 për qind e atyre që i janë përgjigjur pozitivisht pyetjes mbi marrëveshjen mes Serisë dhe Kosovës besojnë se ajo do të arrihet brenda 5 viteve, 26 për qind brenda dy viteve, 14 për qind brenda 10 viteve. Në pyetjen nëse do të «ishit të gatshëm që jeta juaj personale të vuajë» që Kosova të mbetet në Serbi – 48 për qind thonë se nuk janë të gatshëm të vuajnë për Kosovën, 28 për qind thonë se janë të gatshëm të vuajnë, por jo tepër, ndërsa vetëm 16 për qind do të vuanin rëndë që Kosova të mbetet nën Serbi.

Ndërsa përqindja e atyre që besojnë se Serbia duhet të jetë anëtare e BE-së brenda një viti ka rënë nga 38 në 34 për qind. Sa i përket rejtingut të politikanëve, kryetari Aleksandar Vuçiq është më i popullarizuari se të gjithë politikanët serbë së bashku. Edhe partia e tij SNS i prin listës me 53,8 për qind. Socialistët gëzojnë përkrahjen e 9,8 për qind të të anketuarve, ndërsa grumbulli i partive opozitare Savez za Srbiju (Aleanca për Serbinë) mbështetet nga 14,4 për qind.

Për 57 për qind të serbëve lideri i huaj të cilit i besojnë më së shumti është Vladimir Putini, pas tij vjen Shi Xhinpin i Kinës (36 për qind), ndërsa nga liderët perëndimorë 30 për qind i besojnë Angela Merkelit dhe 23 për qind Donald Trumpit. (dialogplus.ch)