Gjëmimet e Ballkanit rrezikojnë t’i sjellin kokëçarje Trumpit

Serbë të gëzuar me fitoren e Donald Trumpit në Mitrovicë, një zyrtare e qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, e cila thotë: «Më ka ardhur në majë të hundës dhe jam lodhur prej Prishtinës dhe Beogradit», ëndrra për ndryshim kufijsh ne Preshevë dhe një kryetar komune, i cili tregon se e ka mposhtur ish-kryetarin që ngaherë kishte bërë thirrje për bashkim me Kosovën. Shqiptarë të fuqizuar nüe Maqedoni. Në Kosovë, Serbi, Bosnjë dhe Mal të Zi shenjat e tensioneve etnike janë përsëri në ngritje, shkruan Andrew MacDowall në «Guardian».

Pamje nga Mitrovica. Foto: Shutterstock



Një fytyrë e njohur shfaqet nëpër billbordet e mëdha rrugëve dhe shesheve të lëna pas dore në qytetin ballkanas të Mitrovicës veriore. «Serbët ishin me të!», thuhet në sloganin e shkruar në anglisht poshtë imazhit të Donald Trumpit, që duket se po i shikon kalimtarët e rastit. Dhe shumë serbë të këtij qyteti të dominuar nga serbët në Kosovë do të pajtoheshin. Serbët ishin fort të kënaqur me fitoren e Donald Trumpit në zgjedhje, nëse jo për asgjë tjetër, atëherë për shkak se mposhti gruan e Bill Clintonit, që i priu fushatave të bombardimeve ajrore të NATO-s kundër forcave serbe në Bosnjë dhe Kosovë.

Tani Ballkani përsëri po rrëshqet drejt krizës. Po vihen në dyshim kufijtë, tensionet politike po ziejnë dhe po dëgjohen fjalë për këmbime territoresh si burimi i fundit që rajoni të mos zhytet në dhunë. Harrojini Kinën dhe Lindjen e Mesme: ish-Jugosllavia mund të shfaqet si testi i parë i vërtetë kokëçarës për politikën e jashtme të Trumpit.

Një bela plasi muajin e kaluar për trenin serb të mbuluar me sloganin «Kosova është Serbi» në gjuhë të ndryshme e që ishte nisur në drejtim të Mitrovicës, duke shkaktuar krizën më të madhe të viteve të fundit në rajon. Shumica e Kosovës dominohet prej shqiptarëve, të cilët përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullsisë.

Megjithëse treni u ndal jashtë Kosovës, shtete anëtare të NATO-së, Kroacia dhe Shqipëria, i kanë kërkuar Aleancës Veriatlantike ta rishikojë planin paqeruajtës në Kosovë. Presidenti serb, Tomislav Nikoliq, tha se ai dhe djemtë e tij do të rroknin personalisht armët nëse do të kërcënoheshin serbët në Kosovë.

Fuqizimi i shqiptarëve në Maqedoni

«Besoj se të gjitha këto tensione nuk kanë kurrfarë lidhje me qytetarët», thekson Adrijana Hoxhiq, drejuese e Zyrës Administrative të Mitrovicës veriore. «Në veri të Kosovës ende ka shpresë se do ta heqin qafen frikën. Edhe mua personalisht më ka ardhur në majë të hundës dhe jam lodhur prej Prishtinës dhe Beogradit, sepse jemi viktimizuar prej politikanëve të lartë».

Po na del edhe puna e Bosnjës. Ndarë prej pengesave që vihen prej dy federatave – pjesës serbe dhe asaj boshnjako-kroate – pas një lufte trevjeçare në vitet nëntëdhjetë, Bosnja asnjëherë nuk ia ka dalë ta marrë veten njëherë e përgjithmonë. Republika autonome Srpska vazhdimisht kërcënon me referendum për pavarësi, njëherësh duke kërcënuar edhe me bojkotim të institucioneve qendrore të qeverisjes për shkak të lëvizjeve të Sarajevës për të sfiduar një vendim drejtësie të një gjykate ndërkombëtare drejtësie që e pastron Serbinë prej fajësisë në gjenocidin e viteve 1992-95.

Në anën tjetër edhe Mali i Zi i pat punët pisk për shkak se në fund të vitit, qeveria malazeze pretendoi se e shpëtoi vendin prej një grusht shteti të orkestruar nga institucionet ruse.

Në fund Maqedonia, ish-republika më jugore jugosllave, po përballet me telashe për ta formuar qeverinë e re pas krizës politike të gjatë në të cilët shqiptarët etnikë po tregohen përherë e më të panënshtruar. Vendi rroku përsëri vëmendjen kur një kongresist i afërt me Trumpin sugjeroi se ajo duhej të ndahej prej shteteve fqinje.

«Maqedonia nuk është shtet. Më vjen keq, nuk është shtet», deklaroi Dana Rohrabacher, kongresist që drejton komitetin për politikë të jashtme në Kongres dhe që vazhdimisht ka mbrojtur Vladimir Putinin. Komenti i tij në fillim të shkurtit nxiti kundërpërgjigje të ashpër në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup.

Këmbimi i territoreve

«Situata është katastrofale», thekson Belgzim Kamberi, aktivist shqiptar i të drejtave të njeriut dhe anëtar i lartë i partisë radikale të Kosovës, «Vetëvendosje». «Pothuajse dy dekada pas luftës, ende nuk ka paqe. Ende nuk është mbyllur në Ballkan çështja shqiptare dhe serbe; është Izraeli dhe Palestina e Europës».

Si asnjëherë më parë, rajoni nuk po vuan jo vetëm për shkak të telasheve të brendshme, por edhe prej faktorëve të jashtëm. Bashkimi Europian me kokëçarje që i shkaktohen prej zotimeve të veta qenësore, ka ftohur rajonin me ngecjen e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Qasja e Donald Trumpit ende nuk është e qartë. Njëherësh, Rusia përpiqet të projektojë fuqinë e saj anembanë rajonit që e sheh si sferë të saj ndikimi.

Kosova vazhdon të jetë qenësore. Ajo shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008, por Beogradi asnjëherë nuk e ka pranuar. Një marrëveshje e ndërmjetësuar më 2013 nga BE-ja, premtonte se Serbia do të përshpejtonte rrugën e anëtarësimit të Serbisë, dhe se Kosova do të shkonte drejt statusit të vendit kandidat. Por BE-ja ka kriza të tjera në mendje. Dhe linjat e ndarjes janë përherë shumë të holla në këtë rajon.

Në veri të Kosovës, rrugët janë të mbushura anash me flamuj serbë, dinari serb vazhdon të jetë monedhë këmbimi, kompanitë serbe kryejnë shumicën e shërbimeve dhe gjuha që flitet në rrugë është në përgjithësi serbishtja. Tabelat qarkullojnë pa targa; ato që i kanë targat zyrtare të Kosovës i heqin në momentin që kalojnë në veri. Ana tjetër jugore e qytetit është pothuajse krejtësisht shqiptare dhe administrohet në mënyrë të ndarë.

Politikanët oportunistë – e përbashkët e ballkanasve

«Nëse jeni sjellë këtu në Mitrovicë të veriut, do të thotë se këtu më shumë është Serbi se Kosovë, kjo është diçka e rrejshme», thekson Hoxhiq. «Nuk ma merr mendja se kjo qëndron në fund të fundit».

Hoxhiq thekson se rajoni mund të përmirësojë gjendjen nëse këmbimi i territoreve do të diskutohej me negociata menjëherë pas luftës së vitit 1999. Tani, disa analistë po flasin për idenë e këmbimit të territoreve – t’i jepet Mitrovica veriore Serbisë në këmbim të Luginës së Preshevës Kosovës. «Ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve», thekson Hoxhiq.

Pavarësisht simbolizmit nacionalist, ka pak apetit për konflikt në mesin e qytetarëve të rëndomtë në rajon. Shumëkush shpreh pafuqinë e shteteve të rajonit në raport me makineritë e fuqive më të mëdha në kuadër të planeve gjeopolitike.

«Populli serb dhe ai shqiptar janë të fundit që duhet drejtuar gishtin e fajit. Politikanët po hyjnë mes popujve», thekson Vukoje Utviq, 74 vjeç, shofer i pensionuar ambulance. «Luftërat na kanë ardhur në majë të hundës».

Diplomatët në rajon gjithashtu kanë ndihmuar me ftohjen e gjakrave të politikanëve, megjithëse janë të shqetësuar se politikanët po i shfrytëzojnë tensionet për të shmangur popullin prej telasheve të tyre të brendshme.

«Ka vetëm një sponsor potencial për ndryshime kufijsh, Rusia, e cila tani për tani nuk është pro kësaj ideje, dhe nuk jam i sigurt se shtetet e reja mund ta mbrojnë territorin që do ta merrnin», thekson një diplomat i huaj perëndimor me përvojë të gjatë në rajon «Madje nuk i druaj trazirave të reja të llojit të vitit 2004. Të gjithë janë të përkushtuar ndaj dialogut të Brukselit; ndryshimi i kufijve as që vjen në shprehje. Vetëm nëse e përmendi këtë punë, njerëzit ndihen si në kohën e paraluftës në Bosnjë, dhe mbase ju mendoni se e keni huq krejt».

«Viti i mbrapshtë» për Ballkanin

Diplomatët e përshkruajnë këtë vit si «vit i ankthshëm» për politikën në rajon, me zgjedhje në Serbi, me zgjedhje të parakohshme në horizont në Kosovë, dhe me manovrimet për zgjedhjet e reja që priten vitin e ardhshëm në Bosnjë. Priten edhe aktakuzat e para prej Gjykatës Speciale të themeluar në Hagë për gjykimin e krimeve që dyshohet se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që do të mund të implikonte shumë anëtarë të elitës politike të vendit, duke krijuar potencialin për destabilizim.

Sugjerimi për këmbim territoresh ka rifokusuar vëmendjen edhe në Preshevë, qytezë e vogël e varfër me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, ku banorët kullosin delet në kodrën që lëshohet drejt sheshit të qytezës. Lugina e Preshevës, që përfshin edhe komunat fqinje, Bujanoc dhe Medvegjë, ishte qendra e konfliktit të vitit 2001 ndërmjet autoriteteve serbe dhe kryengritësve shqiptarë, që kishin marrë kontrollin e zonës pas luftës së vitit 1998-99 në Kosovë. Më 2015 në Kumanovë, qytet vetëm rreth 30 kilometra larg kufirit maqedonas, pati përleshje ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave lokale të sigurisë, ku mbetën 18 të vrarë.

Por Shqiprim Arifi, shqiptar etnik me qasje të moderuar politike, i cili është zgjedhur vjet kryetar i Preshevës, ngulmon se nuk do të ketë luftëra. Arifi, i cili ishte lindur aty, por rritur në Gjermani, ka bërë të ditur se e ka mposhtur ish-kryetarin që ngaherë kishte bërë thirrje për bashkim me Kosovën, dhe kishte mbajtur qëndrim antagonist ndaj qeverisë serbe. Arifi ka thënë se po punon me autoritetet qendrore serbe për uljen e shkallës së papunësisë prej shtatëdhjetë për qind në qytet dhe për përmirësimin e shërbimeve publike.

Bashkë brenda Bashkimit Europian

«Nuk duam ndryshimin e kufijve», ka deklaruar ai në zyrën e tij në ndërtesën e komunës, ku ka edhe një bust të heroit kombëtar shqiptar, Skënderbeut. «Nuk është në interes të rajonit dhe nuk është në interes të shqiptarëve. Nëse e ndryshojnë një kufi, do të hapet kutia e Pandorës, një reagim zinxhiror – Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Kurdistani. Opsioni ynë i vetëm është të bashkohemi brenda Bashkimit Europian».

Jashtë ndërtesës është një kurorë që përkujton luftëtarët e rënë më 2001, me fjalët: «Lavdi dëshmorëve të kombit anembanë trevave shqiptare». Ajo qëndron në vendin e një memoriali të gjerë dhe të lartë kundërthënës të shkulur prej policisë serbe më 2013 nën masat të hekurta sigurie.

Nëpër rrugët e Preshevës, përkrahja për bashkim me Shqipërinë dhe Kosovën është e heshtur, por më e theksuar në mesin e rinisë.

«Secili njeri dëshiron të jetë pjesë e kombit të vet, të jetojë bashkë, dhe në fund edhe ne do të jetojmë bashkë. Por tani kjo nuk mund të realizohet pa armë – nëse do të mund të jetësohej pa luftë, do të ndodhte tani», thekson Drita Murtezi, 24 vjeçe, e cila ndonëse studente e diplomuar psikologjie nuk ia ka dalë të gjejë një vend pune edhe pas kryerjes së studimeve në Universitetin e Tetovës, në Maqedoni. Ajo po sillet kot rrugës së gjerë kryesore të qytetit në Preshevë.

Por në një kafene në shesh me muzikë ritmike, Kamberi bën gjeste me një cigare të pandezur ndërsa bën fushatë për Shqipërinë e bashkuar. «Nëse keni frikë prej luftës, nuk shënoni përparim», thekson ai. «Duhet të tregohemi paqësorë, por jo pacifistë».