Gjashtë alarme false për bombë alarmojnë kryeqytetin e Malit të Zi

Gjatë dy javëve të fundit në Podgoricë pati gjashtë alarme false për bombë, gjë që ka ngritur dyshime nga policia për identitetin e personave që kanë bërë telefonatat.

Qendra tregtare Delta në Podgoricë. Foto: Wikimedia



Hotel Ramada në Podgoricë u evakuua të martën në mbrëmje, pas një telefonate anonime të një kërcënimi për bombë – por policia nuk gjeti asgjë të dyshimtë, sipas medias malazeze.

Paralajmërimi ishte një alarm i rremë, por policia evakuoi disa dhjetëra njerëz. Pas dy orësh, të gjithë vizitorët u kthyen në hotel.

Alarmi i rremë ishte rasti i gjashtë i ngjashëm në Podgoricë në më pak se dhjetë ditë, ku njerëz anonimë raportojnë te policia kërcënime për bombë.

Në skena kaotike, policia javën e shkuar evakuoi qendrën më të madhe tregtare në vend, Delta City dhe një klub nate, Beagle.

Kërcënimet false për bombë u raportuan në Hotel Hemera, në qendrën e biznesit Capital Plaza dhe në hotel Hilton, që të treja vendet më të vizituarat nga të huajt në Podgoricë dhe nga biznesmenët vendas.

Hetimet në të pesta raportimet nuk zbuluan asgjë, sipas policisë, që dërgoi njësi speciale për të evakuuar zonat dhe për të kontrolluar pajisjet e mundshme eksplozive.

«Oficerët e policisë zbuluan se ky raportim fals erdhi nga një vend tjetër në rajon. Policia, përmes kanaleve të Interpolit për komunikimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kanë ndërmarrë tashmë aktivitete për të identifikuar personin që bëri telefonatën», tha policia pas alarmit të gjashtë fals të martën.

Në të pesta rastet e mëparshme, policia tha se raportimet false erdhën nga vende fqinje por nuk dha më shumë detaje.

Duke cituar burime nga policia, disa media lokale raportuan se telefonatat për kërcënime bombe erdhën nga Serbia dhe Bosnja, por këto pretendime nuk u konfirmuan zyrtarisht.

Në median sociale, komentet varionin nga paniku për kërcënimet e ISIS te pretendimet se alarmet ishin «ushtrime sekrete të NATO-s», ku vendi do të anëtarësohet këtë pranverë.

(https://www.reporter.al/gjashte-alarme-false-per-bombe-alarmojne-kryeqytetin-e-malit-te-zi/)