Gjakova shënon Ditën e Çlirimit – hapet shtëpia-muze e familjes Qerkezi

Me një sërë aktivitetesh është shënuar sot 14 Qershori, Dita e Çlirimit të komunës së Gjakovës. Dita ka nisur me homazhe dhe vendosje të kurorave me lule pranë varreve të dëshmorëve dhe martirëve të komunës së Gjakovës, kontributi dhe sakrifica e të cilëve, është themeli dhe vula e lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

Homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve ka bërë edhe kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, e cila është shoqëruar nga nënkryetari i komunës, Ramadan Hoti si dhe drejtorët komunalë e bashkëpunëtorët tjerë.

Me këtë rast, Kusari – Lila ka thënë se nderimi më i madh u takon pikërisht të rënëve për liri, kontributi i të cilëve është i pakontestueshëm.

Në vazhdën e kujtimit dhe nderimit të dëshmorëve dhe martirëve, kryetarja e komunës së Gjakovës po sot e ka bërë zbulimin e Pllakës Përkujtimore të Shtëpisë Muze të Familjes Qerkezi, e cila tash e tutje do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të gjithë mysafirëve të interesuar për ta mësuar nga afër jo vetëm historinë e familjes Qerkezi, por tërë historinë e krimeve të bëra nga Serbia në komunën e Gjakovës gjatë viteve 1998 – 1999.

Gjatë nënshkrimit të memorandumit me zonjën Ferdonije Qerkezi, kryetarja Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se shtëpia e familjes Qerkezi është një shtëpi e shenjtë, për faktin se dhimbjen e ka kthyer në forcë, për ta krijuar një vend – muze, si dëshmi për vuajtjet që kanë përjetuar banorët e komunës së Gjakovës.

«Muzeu i familjes Qerkezi, është dëshmi e gjallë e sakrificës dhe vuajtjeve të popullit shqiptar në komunën e Gjakovës nga okupuesi serb. Është muze që shënon historinë më të re të popullit shqiptar dhe vuajtjen dhe sakrificën për pavarësimin e Kosovës. Regjimi Serb, nuk kurseu askënd nga vrasja dhe çnjerëzimi dhe nga shtëpia prej ku u nxorën dhe u vranë 11 meshkuj me 1999, burra dhe djem të ri, tani do të dëshmohet për këtë histori dhe historitë tjera të ngjashme që ndodhen në tërë Kosovën. Ky është kontributi më i madh që e bëjmë për ata që s’janë më, ruajmë kujtimin për ta dhe tregojmë historinë tonë, që në ardhmen kurrë më të mos na përsëritet. Njëkohësisht, ia rikujtojmë vetes obligimet tona për t’iu dëshmuar brezave se jo rastësisht ndodhën këto ngjarje në Gjakovë», ka thënë Kusari – Lila.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit, po sot është bërë inaugurimi edhe i Muzeut të Historisë, institucion i cili po i rikthehet Gjakovës pas një periudhë të gjatë të mos funksionimit.

Në ceremoninë e inaugurimit të këtij muzeu, kryetarja Kusari – Lila ka kujtuar se komuna e Gjakovës ka një të kaluar të ndritur jo vetëm në aspektin historik, prandaj, sipas saj, hapja e muzeve të tilla janë forma më e mirë për prezantimin e kësaj të kaluare të ndritur.

«Muzeu i lidhjes shqiptare të Prizrenit, dega në Gjakovë, shënon historinë e lavdishme të kombit në përpjekjet për mbrojtjen e tokave shqiptare pas copëtimit të tyre nga super fuqitë e asaj kohe. Muzeu Historik i Lidhjes Shqiptare u hap sot për të dëshmuar historinë shqiptare dhe rolin e patriotëve shqiptar në luftën për çlirim dhe pavarësi të Shtetit të parë Shqiptar në Ballkan», ka përfunduar kryetarja Mimoza Kusari – Lila.