Gëzuar me C₂H₅OH!

Çdo pikë alkooli është e dëmshme, tregon një studim. Një ekspert thotë: mos pini fare. Një tjetër thotë: ngadalë, kjo është gabim. Gazeta gjermane «Die Zeit» ofron ndihmë për një temë delikate – përmes një teksti fantastik.




Një molekulë e vogël: gjashtë copëza hidrogjen dhe një copëz oksigjen, të cilat sillen rreth dy atomeve prej karboni – siç rrinë mysafirët pranë tavolinës. Kjo molekulë të bën të hareshëm, llafazan, gazmor, nganjëherë madje ndikon që të dashurohesh. Por molekula në fjalë të lodhë, të bën mendjehumbur, mendjeturbullt dhe ngatërrestar. Mund të të dëmtojë shëndetin, bile edhe të të vrasë. Molekula quhet etanol – por ne e njohim me një emër tjetër: alkool. Është pjesë e përditshmërisë sonë. Nuk kalon një ndejë pa shampanjë. Shumë ditë të punës përfundojnë me një birrë. Ka pak lokale në të cilat nuk shërbehet alkool. Alkooli ka shije: të disponimit të mirë, suksesit, lumturisë. Kështu fillonte së fundi një tekst në gazetën gjermane «Die Zeit» mbi alkoolin dhe a duhet pirë apo jo këtë pije shejtani.

Nga alkooli vdesin mijëra njerëz. Edhe në viset shqiptare. Analiza e «Die Zeit» merret me Gjermaninë, por afërmendsh se alkooli shkatërron edhe mëlçitë e shqiptarëve. Sepse mëlçitë e çdo mileti janë të ndjeshme. Molekula e vogël të shkatërron – ngadalë. Rrit shtypjen e gjakut, shton rrezikun e goditjes në tru, dëmton zemrën dhe shkakton kancer. Alkooli sulmon proceset e ndryshme trupore: metabolizmin, sistemin hormonal, mbrojtjen e imunitetit dhe komunikimin mes nervave. Pirja e duhanit, alkooli dhe ushqimi i pashëndetshëm janë faktorët më të rrezikshëm që shkaktojnë sëmundje.

Në ranglistën e studimeve që vitin që shkoi kanë ngjallur më së shumti debate janë dy analiza mbi rreziqet e alkoolit. Studimin e kanë formuluar shkencëtarët e projektit «Global Burden of Disease», i cili kuantifikon efektet e sëmundjeve dhe faktorëve të rrezikut. Përfundimi i tyre: çdo pikë alkool dëmton.

Nga ana tjetër vështirë të mohohet se një birrë në fund të ditës së punë nuk është freskuese. Një gotë verë duke ngrënë pasta – nuk është ide e keqe. Një gllënjkë raki me apo pas kafes espreso – demonstrim i lumturisë. Psikologu i evolucionit Robin Dunbar nga Universiteti i Oxfordit e ka dëshmuar këtë shkencërisht. Ai ka vëzhguar dhe intervistuar mysafirët në pabe (pubs), pastaj ka vlerësuar të dhënat nga anketat online. Rezultati: kush pi alkool, ka më shumë miq të ngushtë. Një rrjet i dendur social ka efekte pozitive për shëndetin. Dunbar thotë: «Kush ka miq, është më rezistent kundër sëmundjeve. Vetmia është vrasësi më i madh». Edhe në raportet biznesore pirja e alkoolit ka efekte konduktive (ngrohëse). Këtë e kanë konstatuar ekonomistët Justus Haucap dhe Annika Herr nga Universiteti i Düsseldorfit. Alkooli zgjidh gjuhën dhe mundëson një pamje në veten e vërtetë të një njeriu, duke forcuar besimin e ndërsjellë.

Zyra gjermane për çështje të varësisë (DHS) deri më tani i ka këshilluar gratë që brenda një dite të pinë vetëm 12 gramë alkool të pastër, ndërsa burrat maksimum dyfishin. 12 gramë alkool i pastër – kjo i përgjigjet një të tetës së një litri verë ose 0,3 litra birrë (një gotë e vogël). Gati askush nuk e respekton këtë këshillë. Dhe nuk janë vetëm njerëzit e thjeshtë që pinë pa masë. Sa më i lartë të jetë statusi socioekonomik i grave, aq më i madh numri i atyre që pinë me tepri alkool.

Ulrich John drejton Institutin për Mjekësi Sociale dhe Parandalim në Universitetin e Greifswaldit në Gjermani. Ai është i specializuar në «Public Health», shëndet publik. John është njëri prej shkencëtarëve më të njohur gjermanë që merret me hulumtimin e pasojave të alkoolit. Ai vetë pi më së shumti një gotë verë për vete, ndërsa në ngjarje të ndryshme parimisht nuk pi asgjë alkoolike. «Çdo ditë nga dhjetë orë merrem me alkool. Pyetja – a ia dalë të them ‘jo’? – merr karakter sportiv. E çfarë bën vaki pastaj?»

Gazetarja e «Die Zeit» pyet: zoti John, sa alkool guxoj të pi?
John: Më së miri fare. Atëherë jeni në anën e sigurt.
Kur bëhet rrezikshëm?
John: Qëllimisht nuk pranoj të përmend shifra konkrete. Pikërisht këtë nuk duam ta bëjmë më.
Të shtunën e kaluar dolëm katër veta dhe pimë dy shishe verë. A është keq kjo?
John: Po, është keq. Është pirje për t’u dalldisur.
Dalldisur?
John: Pirja për t’u dalldisur fillon pas katër pijeve për gra, pas pesë për burra. Kjo ndërlidhet me një rrezik shtesë. Konsumuesit e alkoolit deri në dalldi vdesin më herët.
Një gjysmë shishe verë për person, nuk janë katër gota!
John: Por gati. Me një pije ne kuptojmë 10 deri 12 gramë alkool të pastër, kjo i përgjigjet afërsisht 0,1 litra verë.
Domethënë shumë njerëz pinë tepër.
John: Pikërisht.

Profesori John thotë se nuk pranon të përcaktojë kufirin e konsumimit të alkoolit, sepse njerëzit nuk mund t’i përfytyrojnë rreziqet. Andaj, porosit ai, më së miri fare alkool. John e di se njerëzit e quajnë prishës të lezetit. Ai thotë se njerëzit duhet të fillojnë të kuptojnë se alkooli nuk ofron kënaqësi, por i shkakton dëm shëndetit. John numëron shtatë organe në të cilat alkooli mund të favorizojë kancerin: në gojë dhe fyt, laring, ezofag, mëlçi, zorrë të trashë, rektum dhe gji femëror.

Angela Wood nga Universiteti i Cambridge është si të thuash kundërshtarja e profesorit Ulrich John. Wood nuk është eksperte e alkoolit, por e statistikës. Për studimin e saj ajo ka vlerësuar të dhënat e 599’912 njerëzve. Trajtesa është botuar në revistën e famshme shkencore «The Lancet» dhe merret me vlerat që prekin pragun e rrezikut.

Gazetarja e «Die Zeit» pyet: doktoresha Wood, sa guxoj të pi?
Wood: Nëse në javë pini më shumë se 100 gramë alkool të pastër, shtohet rreziku që të vdisni më herët. Këtë e ka treguar studimi ynë.
Sa shumë rritet rreziku?
Wood: Nëse jeni 40-vjeçare dhe në vend të 100 gramëve gjatë javës pini dyfishin, ju vdisni gjysmë viti më herët. Mesatarisht natyrisht!
Si është e mundur që jetëgjatësia në vendet arabe si Omani apo Arabia Saudite është dukshëm nën nivelin perëndimor, ndonëse atje nuk pihet alkool?
Wood: Kjo ka të bëjë me faktin se në ato vende vdesin më shumë të rinj, sidomos fëmijë. Kjo e ul dukshëm jetëgjatësinë.

Mjekët thonë se gratë e durojnë më pak alkoolin se sa burrat. Andaj duhet të pinë më pak. Përse molekula, përse C₂H₅OH (kjo është formula kimike e etanolit) ka ndikim aq të madh në turpin e njeriut? «Die Zeit» e shpjegon kështu: një shikim në biokimi: alkooli përbëhet nga elementet e jetës – karboni, hidrogjeni, oksigjeni. Pikërisht për këtë trupi i hidhet kësaj molekule. Tretet lehtë, depërton në çdo qelizë dhe në qoshen më të largët të trupit, madje edhe në tru. Vetëm pak substanca arrijnë të kapërcejnë pragun e gjakut dhe trurit. Molekula e vogël është e ngarkuar me shumë energji dhe për këtë arsye tepër atraktive për metabolizmin, të cilin mund ta shkund gjithandej. Raporti ynë ndaj alkoolit është aq shpërthyes sepse ne në anën elementare jemi të ngjashëm: njeriu dhe alkooli janë të bërë për njëri-tjetrin. Gëzuar! (dialogplus.ch)