Gettysburg Adress

Një fjalim i rrallë mbajtur prej ish-presidentit të SHBA-ve, Abraham Lincoln, më 19 nëntor 1863, në Gettysburg, në inaugurimin e një memorali ushtarësh të rënë në betejën e ngadhënjimit të ushtrisë së shteteve veriore. Fjalimi prej tre minutash ka hyrë në historinë e teksteve të demokracisë moderne. Fjalia e fundit e tij është skalitur në memorialin e Linkolnit në Uashington.

Memoriali i Abraham Lincolnit në Washington. Foto: Brandon Bourdages / Shutterstock

Para tetëdhjetë e shtatë vjetëve, etërit tanë në këtë kontinent sollën në jetë një komb të ri, nxënë në liri dhe duke iu detyruar mendimit se të gjithë njerëzit janë të krijuar njëlloj.

Tani po bëjmë një luftë të madhe qytetare për ta gjetur nëse ky komb, apo çfarëdo kombi, i nxënë kështu dhe me këto detyrime, mund të jetojë gjatë. Jemi mbledhur në një fushëbetejë të madhe të kësaj lufte. Jemi mbledhur për ta përuruar një pjesë të saj si vendin e prehjes së fundit për ata, të cilët e dhanë jetën që ky komb të jetojë. Kjo është me mend dhe me vend.

Por, në një kuptim më të gjerë ne nuk mund ta përurojmë këtë tokë, ne nuk mund ta bekojmë dhe nuk mund ta shenjtërojmë atë. Burrat trima, të gjallë dhe të vdekur, të cilët kanë luftuar këtu, e kanë përuruar atë në një mënyrë, e cila shkon përtej asaj, ku ne mund të shtojmë ose të heqim diçka. Bota zor se do ta mësojë ose se do të kujtohet për gjatë kohë në atë çfarë ne po themi këtu, por ajo nuk mund ta harrojë kurrë atë çfarë bënë ata këtu. Na takon më shumë neve këtu, neve të gjallëve, t’i përkushtohemi punës së pakryer, të cilën ata e kanë çuar përpara në një mënyrë kaq bujare. Na takon më shumë ne që t’i dedikohemi detyrës së madhe që kemi përpara – që nga këta të rënë të nderuar të nxëmë më shumë vetëmohim ndaj kauzës, për të cilën ata dhanë gjithë pasionin e tyre, – që ne të konstatojmë të vendosur se këta të rënë nuk kanë vdekur kot, se ky komb me ndihmën e Zotit do të përjetojë një lindje të re në liri dhe se qeverisja e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk guxon të fshihet nga faqja e dheut.

(Marrë nga libri i Martin Kaufhold «Die grossen Reden der Weltgeschichte». Përktheu nga gjermanishtja: Kujtim Shabani)