Gërvalla, figurë emblematike e muzikës

Paraqitja e Jusuf Gërvallës në botën tonë të muzikës në fund të viteve ‘60 ishte e papritur, e rrufeshme, por e fuqishme. Veprimtaria e tij jashtëzakonisht frymëzuese dhe origjinale e bën atë njërin ndër figurat më të rëndësishme në fushën e këngës te ne, shkruan sot Koha Ditore.




Opusi i Jusuf Gërvallës në fushën e muzikës nuk është vëllimor, por shfaqja e tij në ambientin tonë të muzikës, për atë kohë kur ai filloi të këndonte, ishte diçka e re dhe e posaçme e që u arrit me muzikalitetin dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm që ai kishte. Këndi nga i cili ai i qasej muzikës, në të vërtetë, ishte gjithashtu i veçantë.

Në muzikë vinte nga bota letrare, ai ishte poet dhe natyrisht me shumë kujdes i qasej lidhjes së vargut poetik dhe atij muzikor. Dhe pikërisht ky trajtim i drejtë i gjuhës shqipe ishte krejtësisht i ri në muzikën tonë të asaj kohe.

Sidomos kjo ka vlerë për shkak se gjuha shqipe në atë kohë, pas njësimit institucional të gjuhës në vitin 1972, filloi të konsolidohej dhe kishte nevojë për trajtim të mirë dhe kompetent në të gjitha segmentet e jetës jo vetëm në botën e profesionistëve të letërsisë.