Gecaj: Në VLAN ishte diskutuar djegia e Gjykatës Kushtetuese, e ndali LDK-ja

Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ia ka kujtuar deklaratën e Albin Kurtin, kur kishte thënë se «ata të PDK-së janë hajna të ligës së parë, e të tjerët janë të ligës së dytë».




Në Interaktiv të KTV-së, Gecaj ka thënë tash me këta të ligës së dytë, Vetëvendosje po do anarki.

Aty, Gecaj ka kujtuar edhe një detaj, në kohën kur partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, bashkë me Vetëvendosjen, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën për Kosovën ishin «bllokuar» në VLAN. Por Gjykata Kushtetuese kishte deklaruar se ky koalicion nuk mund ta marrë pushtetin.

«Në atë kohë, në tavolinë ka dalë propozimi ‘të kapen stupcat’ e të digjet Gjykata Kushtetuese. LDK nuk e lejoji një gjë të tillë», ka thënë Gecaj. Ai nuk është përgjigjur prerë nëse ky propozim ka ardhur nga Vetëvendosje.

Megjithatë Gecaj më tej ka thënë se gjithçka tash në bllokun opozitar orkestrohet nga Vetëvendosje, dhe se po habitet me partinë e Ramush Haradinajt e atë të Fatmir Limajt që po i bashkohen kësaj.

Gecaj ka folur edhe për hedhjen e vezëve në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa, në Kuvendin e Kosovës, nga deputetët e opozitës, kur ai po provonte të raportonte për Marrëveshjet e arritura në Bruksel me Serbinë.

«Është e turpshme. Në botë politikanët gjuhen me ve, por ndoshta nga qytetarët apo nga shoqëria civile, e jo nga deputetët», ka thënë Gecaj.

Ai ka thënë se edhe partitë në pushtet do të mund të ftonin simpatizantë para Kuvendit, dhe kësisoj të shkaktohej anarki, e kaos.

«Vetëvendosja, ju e dini që nuk e njohin Republikën e Kosovës, e tash po dalin në mbrojtje të kësaj republike. Pra nuk e njohin republikën e Kosovës.
«Unë besoj që edhe ata që kanë dhënë jetën për këtë ditë, e kanë ditur që në të ardhmen do të jemi dy shtete dhe do të kemi flamurin tonë», ka thënë Gecaj.

Kur ka folur për peticionin, Gecaj ka thënë se «në çështjen e nënshkrimeve që po bëhen, është keqpërdorim i ndjenjave nacionale».

«Vetëm kur u thuhet se kjo marrëveshje sjell Serbinë në Kosovë, ajo nënshkruhet. I sigurojmë të gjithë ata që kanë nënshkruar se Bosnjëzimi i Kosovës nuk do të ndodhë», ka thënë Gecaj, përcjell koha.net. «Tërheqja e nënshkrimit nuk ndodhë kurrë, ne kemi negociuar, kjo s’ka ndodhur brenda nate. Personalisht kam qenë disa herë në Bruksel dhe kemi punuar ndonjëherë deri në mëngjes pa gjumë», ka shtuar ai.

Ai ka thënë se edhe deklarata e Jabllanoviqit është përdorur qëllimisht për të keq, jo pse ka qenë shumë për t’u kundërshtuar.