Gecaj i përgjigjet Vetëvendosjes që e quajti atë «spiun të SHBA-së»

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Bajram Gecaj, i është përgjigjur përmes Facebookut, një akuze që thotë t’i ketë ardhur nga Vetëvendosje, e që i është thënë «spiun i ShBA-ve».




«Këto ditë u akuzova nga Vetëvendosja si spiun i ShBA-ve me aludimin se edhe kryeministri aktual Isa Mustafa e paska pas një drojë të kësaj natyre nga unë në kohën sa unë isha koordinator i LDK-së në koalicionin VLAN», ka thënë Gecaj.

Ai ka thënë se kjo është «një akuzë krejtësisht e pa sens dhe e pa bazë».
«Kjo dëshmon edhe një herë për kompensimin e mungesës së argumenteve me sulme e insinuata. Me shumë dëshirë nuk do të merresha me të tilla sulme por, konsideroj, në të vërtetë jam i bindur se është fatkeqësi që në politikën tonë ka njerëz të cilët bashkëpunimin tim me SHBA-të, por edhe konceptet properëndimore të partisë të cilës i takoj i konsiderojnë spiunim dhe të dëmshëm për shtetndërtimin dhe demokratizimin e Kosovës», ka shkruar ai.