Gazetës zvicerane i dhimbsen kosovarët për sigurimet në kufi dhe targat prej letre

Autoritete kosovare po ua vështirësojnë jetën shoferëve. Përveç një sigurimi shtesë që duhet të paguajnë, ata tani duhet të gjinden edhe me targa prej letre. Transmeton Neue Zürcher Zürcher Zeitung.

Pamje nga trafiku në Prishtinë. OPIS Zagreb / Shutterstock.com

Atë çfarë po heqin shoferët në Kosovë për momentin, nuk e kanë merituar. Kështu konstaton gazeta e njohur zvicerane Neue Zürcher Zeitung. Prej disa vitesh emigrantët kosovarë po plaçkiten në hyrje të vendit. Ata duhet të lidhin një sigurim shtesë, sepse sigurimet kosovare nuk bashkëpunojnë me sigurimet ndërkombëtare. Për një afat prej dy javësh, ata në hyrje duhet të paguajnë 50 euro.

Por, kjo nuk është e gjitha, pohon gazeta: Duke qenë se autoriteti i trafikut dështoi të porosiste me kohë targa, janë harxhuar rezervat. Ata që tani dëshirojnë ta regjistrojnë një veturë, duhet të presin për të marrë targa nga kartoni. «Po, nga letra», përsërit raporti. Ndonëse ato vlejnë vetëm përkohësisht. Në rreshjen e parë ato do të fshihen dhe do të bien. Ajo që i irriton për më tepër shoferët, është fakti që përveç Shqipërisë asnjë shtet tjetër nuk i njeh targat prej letre. Ata që dëshirojnë t’i vizitojnë të afërmit e tyre në Maqedoni, duhet ta marrin autobusin. Gazeta zvicerane i referohet portalit «Birn», kur thotë që organizimin e targave qeveria e kishte shpallur në korrik të 2015-tës. Por, asnjëri prej ofertuesve nuk i paskësh plotësuar kushtet teknike. Tani, vazhdon raporti i gazetës zvicerane, prokuroria ka filluar hetimet.

Një dritë në fund të tunelit për shoferët kosovarë, sipas NZZ-tit, duket megjithatë. Deri më tani, në hyrjen në Serbi, ata duhej të nxirrnin një targë-provë. Sepse Serbia nuk e njeh pavarësisnë e Kosovës dhe e refuzon kalimin e veturave me shenjat e saj. Tani negociatat kanë sjellë një zgjidhje. Serbia i pranon targat kosovare, përderisa ato nuk janë prej letre, edhe Kosova nga ana e saj i njeh targat serbe. Por çështja ka një cen: Lejohet të kalojë, vetëm ai që e mbulon stemën e Kosovës. ks