Gazetat kryesore gjermane: «Provokim bajat i Serbisë ndaj Kosovës»

Dy gazetat më me ndikim në Gjermani, «Frankfurter Allgemeine Zeitung» dhe «Süddeutsche Zeitung», komentojnë zhvillimet e fundit në Serbi dhe Kosovë rreth «aferës treni».




Gjatë fundjavës lidhur me tensionet mes Serbisë dhe Kosovës kanë raportuar mediat kryesore elektronike gjermane, kryesisht duke u bazuar ne njoftimet e agjencisë së lajmeve DPA. Në numrat e tyre të së hënës gazetat «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) dhe «Süddeutsche Zeitung» (SZ) raportojnë shkurt, por që të dyja mbajnë qëndrime redaksionale me komente.

FAZ thekson se fjalët luftarake mes Serbisë dhe Kosovës gjatë fundjavës ishin më shumë bubullima teatri. «Përleshjet e dhunshme mes dy shteteve aktualisht nuk duken të mundshme. Por ngjarja tregon sa e brishtë është paqja dhe stabiliteti në Ballkan. Grindja mbi lidhjet e trenit mes Beogradit dhe veriut të Kosovës të banuar nga serbët, nuk është pozë, por një simptomë e rrezikshme e krizës. Po të bëhej fjalë vetëm për lidhje trafiku, çështja do të zgjidhej në mënyrë aq pragmatike si shumë punë të tjera në vitet e kaluara. Por Serbia provokoi, duke ia ngjitur trenit parullën <Kosova është Serbi> – dhe kosovarët me vullnet e pranuan topin. Përballë stagnimit ekonomik dhe korrupsionit të elitave politike tensionet po rriten edhe në shtete të tjera të Ballkanit. Para së gjithash lufta e ashpër për pushtet në Maqedoni, ku po instrumentalizohen edhe kundërthëniet etnike, ka potencial ta përfshijë mbarë rajonin në rrëmujë», shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung».

Njëjtë argumenton edhe gazeta «Süddeutsche Zeitung». Konflikti më i ri mes Beogradit dhe Prishtinës vlerësohet si shumë më tepër se një pozë. «Kosova dhe Serbia janë mbase fqinjët më të vështirë që aktualisht mund të ofrojë Europa. A është kjo arsye për të dy palët të jenë të qetë dhe të sjellshëm? Jo. Serbia dërgoi të dielën një tren pasagjerësh në shtetin fqinj, ku me shkronja të mëdha shkruante: <Kosova është Serbi>. Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq e ndali trenin pak para kufirit dhe këtë e shiti si gjest paqeje. Vetëm kështu, sipas tij, ishte evituar një konflikt. Sado bajat të jetë ky provokim dhe sado absurd të jetë inskenimi që Serbia ia bën vetes si shtet që mbështetë paqen – ky tren nuk ishte thjesht një pozë. Ai na kujton se paqja në Europë është rezultat i kompromiseve të dhimbshme. Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë bazohet në premtimin se të dyja mund të bëhet pjesë e BE-së. Për arrogancën dhe shkurtpamësinë, me të cilën po shkatërrohet nga brenda kjo BE, çmimin fillimisht nuk do ta paguajnë (popullistët e djathtë) Farage, Le Pen apo Petry, të cilët gjenden në qendër të BE-së. Shpërbërja do të fillojë nga periferitë – atje ku BE, në të vërtetë, domethënë shpresë». (-lli)