Gazetaria me shishen e Gjorgje Martinoviqit

Asgjë nuk janë lajmet e rrejshme («fake news»), çka janë shpifjet e pandërprera të shtypit bulevardesk të Beogradit. Pas arrestimit të Ramush Haradinajt revolver-gazetarët serbë kanë hyrë në terrenin e çmendurisë.

Balllina e 11 janarit 2017 e fletushkës fashiste serbe «Informer».



Gjeneratave të reja në Kosovë ndoshta nuk ju kujtohet «rasti Martinoviq». Gjorgje Martinoviqi ishte një fshatar serb nga rrethina e Gjilanit, i cili, me gjasë, ishte merakli i praktikave bizare seksuale. Ka njerëz të tillë që nga kohërat antike. Më 1 maj 1985, në Ditën e Punëtorëve, Martinoviqi u shtrua në spitalin e Prishtinës me disa plagë në anus. Autoriteteve policore të asaj kohe u tha se këtë të zezë ia kishin bërë shqiptarët, duke ia futur një shishe të thyer të birrës – në anus. Demek, i pafajshmi, i urti bujk serb tha se ishte duke punuar në arën e tij, kur u sulmua nga dy shqiptarë të maskuar, të cilët e lënduan aty ku s’lëndohet burri, e lëre më një serb krenar.

Ndërsa mjekët e trajtonin Martinoviqin, shtypi serb u hodh në ofensivë për të trajtuar skandalin. Për gazetarët serbë, të dehur nga nacionalizmi dhe urrejtja antishqiptare, gjithçka ishte e qartë: keqtrajtimi i fshatarit serb ishte pjesë e «planit të shqiptarëve» për t’i përzënë serbët nga Kosova. Shqiptarët prezantoheshin në shtypin ekstremist të Beogradit si krijesa të pacivilizuara natyrore dhe të fiksuara vetëm te potenca e tyre seksuale. Frantz Fanoni, një psikiatër francez, shkrimtar, politikan dhe pionier i dekolonizimit, shkruante: «Zezaku është gjenitalja. (…) Kush thotë dhunim, thotë zezak». Për shtypin serb «zezaku ballkanik» ishte shqiptari. Atë duhej dehumanizuar, në mënyrë që pastaj t’i merreshin të gjitha të drejtat dhe në fund të dëbohej nga vendi i tij.

Martinoviqi u shpall martir nacional, i cili u sakrifikua në altarin e ortodoksisë, duke zënë vend në galerinë e heronjve serbë si Sveti Sava, Car Dushani, Car Lazari dhe të tjerë. Për Martinoviqin nuk shkruan vetëm gazetarët. Në fushatën e egër e ksenofobe kundër shqiptarëve u kyçën edhe artistët serbë. Piktori Miça Popoviq e paraqiti Martinoviqin në mënyrë simbolike si Jezu Krisht të kryqëzuar. Domethënë: Jezu Krishti modern serb ishte një bujk nga Gjilani që ishte maltretuar me shishe të birrës. Atëbotë kishte shqiptarë cinikë që pasi e pinin birrën, e bënin copë e grimë shishën me arsyetimin se «disa serbë po i fusin aty ku s’duhet shishet e birrës së Pejës». Për rastin Martinoviq kishte debatuar edhe parlamenti i atëhershëm i Jugosllavisë.

Vite më vonë, pas një hulumtimi të gjatë, gazetari suedez Peter Kadhammar nga e përditshmja «Afondbaldet», erdhi në përfundimin se Martinoviqi kishte dhënë deklarata që nuk përputheshin me njëra-tjetrën. Koloneli Novak Martinoviq, kryeshef i Shtëpisë së Armatës në Gjilan, ky Gjorgje Martinoviqi punonte rojtar, deklaroi se punëtori i tij e kishte pranuar se e kishte lënduar veten: «Këtë e kam bërë unë». «Këtë» domethënë: Gjorgje Martinoviqi po provonte një lloj mastrubimi homoseksual, mbase tinëz gruas së tij, Jagodinkës.

Raportimet mbi «rastin Martinoviq» janë shembull i neveritshëm i shkollës së gazetarisë së kriminalizuar serbe, e cila ka dominuar gjatë viteve ’90 dhe në forma vulgare ka mbijetuar edhe pas rrëzimit të regjimit të Slobodan Millosheviqit në vitin 2000. Ndalimi i Ramush Haradinajt para disa ditësh në Francë i ka dhënë hov fushatës përmanente urrejtëse të mediave bulevardeske serbe kundër shqiptarëve. Tabloidet e Beogradit, shumica nën kontroll direkt apo indirekt të qeverisë, kanë hyrë në terrenin e çmendurisë – kuptohet të inspiruara nga gjuha e politikanëve. Zëdhënësi i Millosheviqit, Ivica Daçiq, ministër i Jashtëm dhe i dyshuar si mik i ngushtë i shumë baronëve të krimit të organizuar në Serbi, tha se diaspora shqiptare mund të sulmojë përfaqësitë diplomatike serbe si hakmarrje për arrestimin e Haradinajt në Francë. Të mërkurën revolver-gazeta «Informer» raportoi se shqiptarët po bëjnë plane për të kidnapuar «Anën e bukur». Bëhej fjalë për Ana Hrustanoviqin, shefe e Misionit të Serbisë në Bashkimin Europian. «Informer» i referohet «agjentëve rusë» si burim informacioni. Kjo është po aq e besueshme sa të thuash se Vladimir Putini e ka marrë Çmimin Nobel për Paqe.

Fletushka serbe «Informer» ka edhe lajme të tjera: shqiptarët, sipas saj, e kanë vënë në shënjestër edhe ambasadorin serb në Athinë. Mbi këto dy lajme qëndron superlajmi: «Tramp (Trump): Gjenerali Mladiq është hero». Menjëherë «sqarohet» se bëhet fjalë për një «tweet» të rrejshëm pas të cilit mund të qëndrojë Barack Obama, por thuhet po ashtu se «tweet» edhe mund të jetë i vërtetë. Me rëndësi titulli mashtrues, gënjeshtar, shkronjat e vogla nuk luajnë rol. Më 5 janar po kjo gazetë në ballinë paralajmëronte se «kasapi i ISIS-it Lavdrim Muhaxheri po përgatit sulme kundër kishave serbe».

Nga kjo lloj gazetarie e pistë nuk janë të sigurt as rivalët politikë të kryeministrit Aleksandër Vuçiq. Ka disa ditë që ish-ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiq, i cili ka treguar ambice për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale, goditet me të gjitha mjetet nga «Informer». Një ditë Jeremiq është antirus, ditën tjetër xhihadist, pastaj bashkëpunëtor islamistësh. Përfaqësuesit e shoqërisë civile, ndërkaq, për gazetat si «Informer» janë tradhtarë, «pederi», shtriga dhe kështu me radhë.

Një shtet me një shtyp të tillë dhe me politikanë aq të papërgjegjshëm po integrohet hap pas hapi në BE. Shumë kohë para se botën perëndimore ta përfshijë fenomeni i lajmeve të rrejshme («fake news»), në Serbi është bërë pjesë e diskursit publik një gjuhë gazetareske që i afrohet asaj të rojtarëve të kampeve naziste të shfarosjes. Në fakt, të ashtuquajturit gazetarë apo redaktorë të këtyre mediave serbe do të kryenin me zell edhe punën e kasapëve në çdo diktaturë. Gjak, klikime, tirazh, rrena, shpifje, denoncime. Ky është ushqimi i tyre i përditshëm. Që nga 1 maji 1985, kur Gjorgje Martinoviqit i rrëshqiti shishja.