Gazetaria e pavarur turke para gjyqit

Në Stamboll ka filluar procesi gjyqësor kundër 17 gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë të gazetës sekulare turke «Cumhuriyet» - me akuza të mjegullta.




Can Dündar, ish-kryeredaktor i gazetës «Cumhuriyet», një e përditshme sekulare dhe properëndimore turke, është i akuzuari kryesor në procesin kundër gjithsejtë 17 gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë. Dündar ka arritur të arratiset dhe jeton në ekzil në Gjermani, ku shkruan kolumne javore për gazetën «Die Zeit» dhe angazhohet në demaskimin e regjimit të Rexhep Taip Erdoanit, presidentit turk.

Të hënën, në ditën e fillimit të procesit kundër kolegëve të tij, Dündar botoi një shkrim në gazetën zvicerane «Tages Anzeiger», i cili ishte përkushtim dhe akuzë kundër drejtësisë turke dhe presidentit Erdoan. Dündar tha se me nxjerrjen para gjyqit të kolegëve të tij po atakohet gazetaria e pavarur. Sipas tij, gazetarët e «Cumhuriyet-it» nuk kanë bërë asnjë krim, përveç se kanë raportuar besnikërisht mbi zhvillimet në Turqi – domethënë kanë kryer punën e tyre.

Dündar përkujtoi se në mesin e të arrestuarve është edhe një burrë që përgatiste çajin në bufenë e redaksisë. Ai kishte thënë se nëse vjen Erdoani në redaksi, nuk do ta shërbente me çaj. Një polic, i cili e kishte dëgjuar, e denoncoi dhe kundër çajbërësit të «Cumhuriyet-it» u ngrit aktakuzë për shkak të fyerjes së presidentit.

Të hënën salla e gjykatës në lagjen Caglayan të Stambollit ishte e vogël për të zënë të interesuarit që kishin ardhur të përcjellin hapjen e procesit. Kur në sallë u sollën të akuzuarit, të pranishmit duartrokitën në shenjë përkrahjeje. Shumë vëzhgues përkujtuan me ironi se procesi u hap më 24 korrik në Ditën e Shtypit. Më 24 korrik 1908 pushteti i atëhershëm i xhonturqve kishte vendosur të heq censurën e shtypit.

Sipas organizatave për mbrojtjen e gazetarëve në Turqi momentalisht ndodhen 166 gazetarë në burg. Ky numër pritet të rritet pasi që më 12 korrik është lëshuar fletarrest kundër 34 ish-punëtorëve të televizionit shtetëror TRT. Ata akuzohen se janë mbështetës të Lëvizjes Gülen.

Me akuza të ngjashme ballafaqohen edhe një pjesë e gazetarëve të «Cumhuriyet-it», ndonëse kjo gazetë vazhdimisht ka qenë kritike kundër predikuesit Fethullah Gülen, me të cilin Erdoan ka bashkëpunuar gjatë dhe mbështetësit e partisë AKP të Erdoanit nga respekti shpesh i janë drejtuar Gülenit me «Hoxhë Efendi». Një pjesë tjetër e gazetarëve të «Cumhuriyet-it» akuzohen për mbështetje të grupeve terroriste – bëhet fjalë për parti kurde apo prokurde. Ish-kryeredaktori i «Cumhuriyet-it» Can Dündar pyeti në tekstin e tij se si është e mundur që gazetarët të akuzohen për përkrahje të terroristëve kurdë kur vetë qeveria e Erdoanit ka negociuar me ta në përpjekje për të zgjidhur çështjen kurde.

Prokuroria ka kërkuar mes 7,5 deri në 43 vjet burg për të akuzuarit. Që në hapje të procesit u bë e qartë se akuzat e prokurorisë janë tepër të mjegullta. Prokurorët thanë se redaksia kishte ndryshuar politikën redaktuese dhe ishte bërë instrument i Lëvizjes Gülen. Që tani shihet se pushteti i Erdoanit ka ambicie të dirigjojë politikën redaktoriale të mediave. Kolumnisti i njohur Kadri Gürsel nënvizoi se nuk është anëtar i kryesisë së Fondacionit të «Cumhuriyet-it», siç pretendohet në aktakuzë. Shefi i bordit të gazetës Akin Atalay se prokurori Murat Inam vetë është i dyshuar në një proces kundër gjoja përkrahësve të Gülenit. Procesi kundër gazetarëve të «Cumhuriyet-it» ka karakter simbolik dhe epilogu i tij do të tregojë nëse drejtësia turke është shndërruar në instrument të torturës të presidentit Erdoan. Shenjat nga fillimi i procesit tregojnë në këtë drejtim. (-lli)